Anëtarësimi, Shqipëria merr ftesën për në NATO
Shqipërisë do t‘i konfirmohet shumë shpejt marrja e ftesës për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet nga data 2 deri më 4 prill të këtij viti. Deri tani, asgjë nuk është zyrtare, por "Top Channel" ka mësuar se në zyrat e NATO-s në Bruksel, vendimi ende i pashpallur, tashme është marrë nga ambasadorët e 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Burime të mirëinformuara thanë se ftesa e NATO-s për Shqipërinë mbetet vetëm një formalitet i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, që do të mblidhen më 6 mars.
Kushte të forta dhe "detyra shtëpie"
Të njëjtat burime sqarojnë se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO do të shoqërohet me kushte të forta dhe "detyra shtëpie" të vështira për vendin tonë, që në thelb do të përmbajnë kërkesa politike dhe ekonomike për arritjen e standardeve të NATO-s. Në të vërtetë, optimizmi për marrjen e ftesës nga Shqipëria u paralajmërua një javë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hop Shefer, pas seancës me dyer të mbyllura, që Kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe përfaqësuesit e opozitës zhvilluan me 26 ambasadorët e NATO-s.
Afatet për negociim
Ato që mbeten për t‘u qartësuar, kur shpallja e ftesës të bëhet zyrtare, janë afatet që do të negociohen për përmbushjen e kushteve që Shqipëria të bëhet vend anëtar i Aleances Veriatlantike. Për 7 vendet e Evropës Lindore, procesi i anëtarësimit, që nga marrja e ftesës në Samitin e Pragës, ka zgjatur dy vjet dhe po kështu ndodhi edhe me tre vendet ish-komuniste, Hungarinë, Poloninë dhe Çekinë, të cilat morën ftesën në Samitin e Madridit (Spanjë) në vitin 1997 dhe dy vjet më vonë u bënë vendet e para anëtare të NATO-s, që dikur kishin marrë pjesë në Traktatin e Varshavës. Tani duket se është herët për të folur për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë, por e sigurt është se rrugën e saj, si vend i ftuar për anëtarësim, Shqipëria do ta nisë me Kroacinë. Të njëjtat burime konfirmuan se bashkë me Shqipërinë, vendimi i marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit, është një çështje e mbyllur edhe për Kroacinë, vendimi për të cilën në të vërtetë, nuk është surprizë.
Maqedonia, jashtë vendimit paraprak
Surprizë nuk është gjithashtu edhe fakti që Maqedonia, deri tani, ka mbetur jashtë këtij vendimi paraprak jozyrtar për marrjen e ftesës, ç‘ka ka rritur ndjeshëm shqetësimin e autoriteteve maqedonase. Presidenti Branko Cervenkovski u ka dërguar një letër presidentëve të 26 vendeve anëtare, ku për herë të parë pranon se çështja e pazgjidhur e emrit të shtetit maqedonas me Greqinë mund të kthehet prej saj në një bllokadë për marrjen e ftesës. Presidenti Cervenkovski u kërkon homologëve të tij "të mos pranojnë kërcënimet e Greqisë për një bllokadë të mundshme ndaj Maqedonisë dhe se çështja e emrit nuk përfshihet në kriteret për marrjen e ftesës‘, thuhet në një paragraf të letrës së publikuar nga agjencia zyrtare maqedonase e lajmeve.
Takimet
Lobingu i Topit,
Topallit dhe Berishës
Vetëm dy ditë më parë, krerët e lartë të shtetit shqiptar kanë marrë premtimin nga Letonia, se do ta mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në momentin që vendi i vogël baltik ka një peshë të rëndësishme në përgatitjen e vendimit që do të merret në Samitin e Bukureshtit. Në fillim të marsit, në kryeqytetin e Letonisë do të mbahet Samiti i Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të cilët do të përcaktojnë axhendën e Bukureshtit. Samiti i Vilnusit po përgatitet pikërisht nga Qeveria e Letonisë dhe në mënyrë të veçantë nga ambasada e këtij vendi në NATO. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë theksuar, gjatë takimeve me ambasadorin e Letonisë në NATO se, integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian mbeten projektet më madhore për qeverinë dhe shtetin shqiptar, për të cilat politika është fokusuar në përmbushjen e reformave.