E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Biznesi ndihet i pasigurt dhe në amulli

Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për vonesën e bërjes publike të udhëzimeve të ministrit të Financave, në zbatim të ndryshimeve më të fundit të legjislacionit fiskal. Nënsekretari për programin, Ilir Beqja, vuri në dukje dje se gjatë vitit 2007 kanë ndodhur 12 ndryshime në ligjet tatimore në Shqipëri, pa përfshirë këtu vendimet zbatuese. Çka, sipas tij, ka bërë që subjektet tatimpaguese të përjetojnë një situatë amullie dhe pasigurie. "Vetëm mënyra e llogaritjes së kontributeve të detyrueshme ka ndryshuar 5 herë gjatë vitit 2007", konstatoi Beqja. Duke vlerësuar se është praktikisht e pamundur të bësh plane biznesi apo të lidhësh kontrata të qëndrueshme, në kushtet kur mesatarisht çdo muaj pritet të ndodhë një ndryshim në ligjet tatimore. Sipas tij, janë të paktën 30 mijë subjekte me xhiro vjetore nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit, që në zbatim të ndryshimit të ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat‘ nuk janë njohur akoma në mënyrë të plotë me dokumentacionin që duhet të përdorin që prej 1 janarit 2008, kur ka kaluar muaji i parë i vitit. Partia Socialiste mbështet çdo përpjekje të administratës tatimore në zbatimin e ligjeve, në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, por kërkon që ‘hapat e saj gjigandë‘, siç vetëdeklarohet, të shoqërohen me bërjen të njohur të dokumentacionit që do të përdoret. Opozitarët i kërkojnë njëkohësisht qeverisë shqiptare që të paraqesë planet e saj për ndryshimet e pritshme fiskale që në fillim të vitit 2008, duke kërkuar që ato të jenë sa më të plota e të ndodhin njëherësh. "Kërkon bërjen e tyre publike, në një kohë të mjaftueshme njohëse para hyrjes së fuqi", theksoi Beqja. Duke insistuar se praktika joligjore, si ato të datës 11 janar 2008, kur udhëzimet e ministrit të Financave firmosen më 11 janar dhe hyjnë në fuqi më 1 janar të të njëjtit vit, nuk duhet të ndodhin më në një vend që pretendon se ka liri të madhe ekonomike. "Aq më tepër situata të tilla absurde, si firmosja e një udhëzimi të ministrit në datën 11 janar 2008, çuarja për botim po në 11 janar dhe dalja nga botimi po në 11 janar", nënvizoi Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›