E Diel, 1 Nëntor 2026

Besëlidhja mund Skënderbeun

Besëlidhja ka arritur të fitojë 2-0 në transfertë përballë Skënderbeut, duke mbajtur gjallë shpresat për qëndrimin në Kategorinë Superiore. Në ndeshjen e prapambetur të javës së 20-të, ndesheshin dy skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit, një sfidë që do të përcaktonte se cila mes tyre do të kishte përsëri shanse për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar. Fituese ka dalë Besëlidhja, e cila falë blerjeve të merkatos së janarit nuk e ka pasur të vështirë të marrë tri pikët në fushën e Skënderbeut. Gjithçka ka ndodhur në pjesën e parë të ndeshjes. fillimisht ka qenë maqedonasi Petrevski që ka shënuar golin e avantazhit që në minutën e 2-të të takimit, duke gjetur të papërgatitur prapavijën e korçarëve. Më pas, në minutën e 23-të ka qenë braziliani Da Silva që ka shënuar golin e dytë duke hipotekuar këtë sukses të rëndësishëm për lezhjanët. Fitorja e ngjit Besëlidhjen në kuotën e 16 pikëve, dy më pak se Teuta që aktualisht gjendet në zonën e "play off". Meqenëse kanë mbetur edhe 13 ndeshje deri në fundin e sezonit, skuadra e drejtuar nga Neptun Bajko ka ende shpresë për të kaluar të paktën Teutën, në mënyrë që të zhvillojë sfidën shtesë për qëndrimin në Superiore ndaj një skuadre të Kategorisë së Parë. Ndërsa Skënderbeu që mbetet në kuotën e 8 pikëve, duket se i ka dhënë përfundimisht lamtumirën Superiores.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›