E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ne e kemi mallkuar Zotin apo Zoti na ka mallkuar?"

 

Muaji mars është më liriku ndër dymbëdhjetë muajt e vitit. Ndërsa sythet e pemëve tregojnë me gishtat e brishtë fillimin e pranverës, njeriu ndjen përlindjen e tij shpirtërore dhe natyra shpalos tërë hiret e saj, në truallin tonë të nëmur shfaqen të befta dhe tronditëse tragjeditë. Kur ishim të vegjël, gjyshet tona na këshillonin të ruheshin nga tri gjëra: uji, zjarri dhe qeveria. Rreziku i zjarrit dhe i ujit, ishte i kapshëm për ne. "Xixë!",- thoshte gjyshja dhe ne trembeshim. Qëllonte që të na bëhej dhe ndonjë flluskë ndër gishta. Pësimi na bëhej mësim. Vonë, tepër vonë, kuptuam se dhe qeveria të digjte, se dhe qeveria të mbyste, se dhe qeveria të bënte gjëmën.

Ne, brezi ynë, që u lindëm në luftë dhe u rritëm në diktaturë, kaluam jo pak, por afro pesë dekada nën regjim përvëlues e mbytës. Sa e sa u vranë! Sa e sa u mbytën! Sa e sa u traumatizuan! Sa e save iu bë shpirti me flluska! Pritëm marsin e vitit 1992. Natyrisht, ndjemë një përlindje. Thamë se ia hodhëm. Thamë se s'do të shihnim më tragjedi me zjarr, ujë e diktaturë gjakatare. Thamë, por s'i shpëtuam dot ndëshkimit të ujit, zjarrit e qeverisë. S'i shpëtuam që s'i shpëtuam. Kërkonim dhe kërkojmë me sytë drejt qiellit, për të parë dritë dhe qetësi shpirtërore.Ne e kemi mallkuar Zotin apo Zoti na ka mallkuar?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›