E Diel, 1 Nëntor 2026

- Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Fatos Nano në Konferencën e PS-së të Beratit Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Beratit ku zhvilloi disa t

- Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Fatos Nano në Konferencën e PS-së të Beratit

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Beratit ku zhvilloi disa takime.

Fillimisht, Kryeministri Nano ishte i pranishëm në Konferencën e PSSH-së së Beratit. Më tej, Z.Nano mori pjesë në inaugurimin e shkollës së mesme "Babë Dudë Karbunara", ku u zhvillua edhe një takim me përfaqësues të senatit rinor të kësaj shkolle. Në përfundim të vizitës së tij, Kryeministri Nano vizitoi Muzeun Onufri, i cili ndodhet në mjediset e Kalasë së Beratit.

Në Konferencën e PSSH-së së Beratit, Kryeministri Fatos Nano mbajti këtë fjalë:

"Të dashur Shoqe dhe shokë,
Miq dhe të ftuar, të Konferencës së 11 të PSSH në këtë kampion të socialistëve dhe progresistëve në të gjithë Shqipërinë.

Për mua është gjithnjë kënaqësi e pazëvendësueshme të takohem me ju në Konferencat tuaja dhe të ndjej të pulsojë kjo zemër e ndershme dhe e pastër që ashtu si çdo herë tjetër do të vazhdojë të ruajë qëndrueshmërinë e Partisë dhe aftësinë e saj konkurruese për fitore edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ju dëshmuat edhe në zgjedhjet vendore të tetorit të kaluar se për shoqërinë beratase, si për atë shqiptare në tërësi, socialistët dhe aleatët e tyre të Koalicionit për Integrimin janë e vetmja alternativë bindëse dhe progresiste që po transformon për të shtatin vit me radhë realitetet e Shqipërisë së vjetër dhe po i afron shoqërinë, institucionet, qytetarët dhe mirëqënien me standartet e Bashkimit Europian. Më lejoni pra solemnisht dhe në mënyrë të sinqertë t'ju përgëzoj që në 12 tetor 2003, nga 12 njësi të pushtetit vendor ku kishte zgjedhje, ju fituat në 11 prej tyre.

Rikonfirmimi i socialistëve dhe progresistëve në qeverisje qendrore apo vendore ashtu dhe në qarkun tuaj nuk është shprehje e fanatizmit tonë politik, por vlerësim realist nga shumica e qytetarëve dhe e fshatarëve të vendit për mënyrën se si socialistët e përdorin mandatin e tyre për të qeverisur dhe transformuar një vend të cilin e gjetëm me shtet të rrëzuar, një popull që pushteti i Berishës e kishte lënë pa garanci jete, një ekonomi plotësisht të rrënuar. Ne gjetëm një brez të ri sidomos të traumatizuar nga veprimet kriminale të regjimit dhe bandave të Berishës. Berati e ka ende të freskët në kujtesë se si vetëm 7 vjet më parë, këtu një kallashnikov kushtonte më shumë se një jetë njeriu.

Këto transformime të jashtëzakonshme që përjetojmë, motra e vëllezër, duhet të na bëjnë ta mbajmë kokën lart, të vlerësojmë me objektivitet: jemi më mirë se dje apo jo dhe mbi këtë bazë të forcojmë investimin politik dhe solidaritetin midis nesh për të vazhduar reformat dhe për të mposhtur përfundimisht të keqen qe tenton të penetrojë edhe në radhët tona. Ne nuk mund të lejojmë që ditët e errëta të vitit '97 të rikthehen sërish bashkë me Berishën e pandryshuar, sepse veprimtaria e tij çdo ditë tregon se mbetet i vetmi "bunker kanunor" i pandryshueshëm në një Shqipëri që rritet e zhvillohet çdo ditë.

Iu riktheva historisë së 7 viteve më parë, jo për t'i bërë qejfin vetes, por me qëllim që të gjithë të bashkojmë dhe të punojmë me forca të shumëfishuara për Shqipërinë e 10 viteve të ardhshëm që janë vitet e përmbushjes së plotë të angazhimeve tona për ta bërë atdheun anëtar me të drejta të plota të BE-së.

Kemi hyrë në vitin e zgjedhjeve parlamentare 2005, mbeten 12 muaj përballë zgjedhësve dhe shoqërisë shqiptare ka vetëm dy alternativa:

Një opozitë që kërcënon dhe mashtron me britma dhe sharrje se po të vijë në pushtet do të shkatërrojë çdo gjë që socialistët, progresistët, njerëzit dhe sipërmarrësit e ndershëm, qytetarët dhe fermerët e këtij vendi kanë ndërtuar në shtatë vite zhvillim europian dhe përballë kësaj kjo maxhorancë që ka hartuar dhe po zbaton një varg reformash të rëndësishme, të cilat e kanë transformuar faqen e vendit, kanë rritur mirëqënien, kanë afruar zhvillimet tona me ato të vendeve të Europës, kanë transformuar bashkëpunimin rajonal dhe jetën e shqiptarëve kudo në rajon dhe po mundëson që brenda një dekade Shqipëria të arrijë standartet e integrimit të plotë në familjen evropiane.

Nuk besoj se ka dyshime, siç u shfaq edhe sot në këtë forum, se ardhja në pushtet e Berishës dhe e bandave të tij do t'i shkaktonte dëme të pallogaritshme dhe të pariparueshme ecurisë së reformave të integrimit, mirëqënies individuale e familjare të shumicës së shqiptarëve, sipërmarrjes të lirë dhe tregut të konsoliduar në të cilin po integrohen të gjitha trevat e vendit, shtetit ligjor dhe institucioneve të së drejtës, administratës dhe shoqërisë civile, medias së lirë dhe qytetarisë europiane në traditën e kulturës sonë të vjetër. Të gjitha këto forcohen demokratikisht duke synuar standartet europiane, prandaj nuk mund t'i lëmë në këmbët e Berishës dhe në kthetrat e regjimit të tij.

Kjo është një lëvizje e përgjithëshme e udhëhequr me shumë kurajo dhe pjekuri nga socialistët dhe progresistët, levizja për modernizim dhe standarte europiane në mbarë Shqipërinë. Me këtë këndvështrim dhe kut matjeje duhet ta gjykojmë edhe Partisë Socialsite edhe zhvillimin e saj të brendshëm, edhe militantizmin dhe profesionalizmin e anëtarëve dhe drejtuesve të saj. Siç e kam thënë edhe në vende të tjera, në Europën e Bashkuar nuk mund të futemi vetëm kur qeveria apo administrata që varen prej saj të arrijnë standartet e kërkuara. Ky është një aksion kompleks ku sektorë dhe grupe të ndryshme shoqërore e shpejtojnë apo e ngadalësojnë procesin. Ne nuk mund të futemi në Europë me gjyqtarë të korruptuar. Nuk mund të futemi në Europë me shefa policie apo punonjës policie që bëhen solidarë me krimin dhe keqbërësit. Ne nuk mund të futemi në Europë me nëpunës të korruptuar që ushqejnë zinxhirin e rryshfeteve nga poshtë deri lart. Ne nuk mund të futemi në Europë pa një shoqëri civile të dimensioneve dhe të ndërgjegjes europiane. Ne nuk mund të futemi në Europën e Bashkuar pa një media të lirë të standarteve Europiane. Nuk mund të hyjmë në Europë pa sjellje të standarteve europiane të gjithsecilit; pa biznese, sipërmarrje, institucione të pavarura, drejtësi, opozitë dhe jetë parlamentare të standarteve europiane perëndimore. Ne nuk mund të futemi në Europë pa bllokuar krimin dhe mbrojtjen e tij nga politika. Pikërisht me këtë vlerësim duhet të gjykojmë edhe jetën dhe ardhmërinë e Partisë Socialiste, aktivitetin e saj politik dhe qytetar. Në këtë proces të mëdh europianizues askush nuk del tepër, ka vetëm vlera që duhet të standartizohen. Në këtë proces duhet të krijojmë energjitë dhe sinergjitë për konkurimin zhvillues të vlerave. Në këtë proces klanizmat, lokalizmat, pazaret e fëlliqura, dukuritë e tjera si grupazhet dhe etja e verbër për karrierë që shtyp shokët për përfitime personale janë pengesa që duhet t'i kapërcejmë një herë e mirë. Prandaj edhe konferencat zgjedhore të PSSH-së si pjesë e "Kuvendimit të Madh" të qeverisësve me qytetrët duhet ta drejtojnë më mirë për të sjellë ritme të reja zhvillimi dhe shërim nga këto plagë të trashëguara. Siç i kemi problemet brenda nesh, edhe zgjidhjet jaën brenda nesh. Brenda nesh kemi edhe fitoren e ardhshme të vitit 2005, prandaj unë kërkoj një solidaritet të paparë midis jush për të neutralzuar ata që sabotojnë dhe për të bashkuar gjithkënd që do të kontribuojë.

Ne duhet të konsolidojmë dhe të thellojmë procesin reformues të PS-së, për të mos lejuar që ajo të kthehet në një bunker të mbyllur apo më keq akoma, në përfaqësues vetëm të njerëzve të pushtetit. Për asnjë moment nuk duhet të harrojmë se Partia jonë nuk është përfaqësuese vetëm e 70 mijë anëtarëve të saj, por edhe e maxhorancës së qytetarëve dhe fshatarëve të vendit që po sjellin progres, që kërkojnë akoma më shumë mirëqënie dhe progres dhe që i kanë varur tek ne shpresat për një vend modern dhe të integruar, për një mirëqenie drejt standarteve evropiane, për ndershmëri dhe siguri në funksionimin e institucioneve dhe të administratës, për një shtet ku fëmijët ëndërr të parë nuk kanë emigrimin, por shkollimin dhe jetesën e siguruar këtu, sipas standarteve të kohës. Prandaj Partia jonë duhet të vazhdojë të përmirësojë rregullat, organizimin dhe sidomos aksionin e saj politik për t'u bërë realisht përfaqësuese legjitime dhe reale e të gjitha shtresave progresiste të mbarë shoqërisë shqiptare. Duhet t'i japim fund pranimeve fiktive në Parti që shërbejnë vetëm sa për të rregulluar votat e njërit apo tjetrit kandidat. Ne duhet të punojmë për të pasur në përfaqësim politik të gjitha kategoritë, shtresat, gjinitë dhe grupmoshat e shoqërisë. Këtë e them jo në favor të partisë-shtet, por sepse partia jonë progresiste duhet të jetë në gjendje të përfaqësojë mbarë interesat e njerëzve që punojnë për zhvillim dhe integrim. Ndryshe nuk i rregullojmë punët e kandidatit (për kryetar partie në rreth, për kryetar bashkie apo komune, apo për deputet), por do të prishim punët kombëtare të socialistëve dhe progresistëve, që si shumica dërrmuese e shqiptarëve e duam vendin në Europë. Ne duhet të ndalojmë me forcë përdorimin abuziv të karrierës politike për poste dhe përfitime të paligjshme.

Partia Socialiste nuk është thesi me miell ku ujku lyen këmbën për të gënjyer dhe ngrënë kecat.

Partia nuk është trampolinë për t'u pasuruar disa të paskrupullt, por një organizëm vullnetar njerëzish që i bashkon ideali dhe ëndërra e ndërtimit të Shqipërisë moderne dhe evropiane. Kjo është dhe ëndrra ime e madhe, kjo është ëndrra e çdo socialisti të ndershëm e të devotshëm, kjo është sfida jonë e përbashkët që do e përmbushim së bashku me sukses dhe përgjegjsi.

Motra e vëllezër,

Unë e di shumë mirë se kemi ende shumë vështirësi e probleme. Unë e di shumë mirë se ka abuzues dhe se çfarë emri kanë ata me pushtetin dhe me paratë publike. Unë e di se njerëzit lodhen ende për të mbaruar punë në disa prej zyrave të shtetit. Unë e di se një pjesë e tenderave vidhen apo shpërdorohen. Unë e di se disa deputetë a të zgjedhur të tjerë menaxhojnë mandatin që iu keni dhënë ju për interesa private të fëlliqura. Por kurrsesi nuk mund të pranoj, ashtu si edhe ju, që socialistët dhe progresistët, gjithë qeveria dhe maxhoranca paskan këto cilësi që deklaron Berisha apo disa segmente të korruptuara të medias. Për këtë arsye ne duhet të gjithë të agazhohemi për të kuruar imazhin tonë, pasi është absurde të mendosh se pas çdo ministri, pas çdo deputeti, pas çdo doganieri, pas çdo polici, pas çdo prokurori apo gjykatësi, pas çdo mjeku apo arsimtari etj, fshihet një hajdut apo ca më shumë, pas çdo hajduti na u fshika një interes partiak.

Unë e di shumë mirë se ka ende varfëri mes besh, por është absurde të pretendosh në vitin 2004 se shqiptarët po varfërohen, kur investimet dhe vendet e punës po shtohen, kur rrugët e reja po zgjaten dhe shkollat e spitalet po shumohen, kur pagat dhe pensionet po rriten gjithnjë me ritëm më të lartë se çmimet, kur shtëpi dhe apartamente banimi po ndërtohen kudo dhe blerësit e tyre shtohen, kur shteti po konsolidon fondet e ndihmës sociale dhe prioritetet për shtresat në nevojë.

Për përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të vendit tonë qeverisës, atdhetar dhe europian, për thellimin e luftës ligjore ndaj fenomeneve negative që ju shqetësojnë ashtu si shtetasit e tjerë, për median e përgjegjëshme, për partnerët ndërkombëtarë që na asistojnë dhe janë solidarë me këtë progres dhe anagazhim për reforma të maxhorancës sonë qeverisëse, këtë luftë nuk mund ta zhvillojë vetëm Kryeministri, apo vetëm qeveria, apo vetëm Kryesia e Partisë. Prandaj jam sot këtu për t'u bashkuar me ju, për të ritheksuar se pritshmëria, dërgimi i problemeve më lart, rehatia vetëm personale, mëritë apo sulmet e paprincipta ndaj njëri – tjetrit, (nuk po flas për debatin e shëndetshëm që zhvilloni këtu), mosmarrja e përgjegjësive etj, nuk mund të lejohen më mes nesh, sepse janë faktorë humbjeje. Ne duhet të krijojmë një klimë mbytëse për këto dukuri. Ne duhet të gjallërojmë më tej debatin europianizues dhe përshpejtues të reformave dhe proceseve të transformimit të të gjitha realiteteve për të bërë të mundur një fitore të thellë dhe bindëse, jo vetëm në Berat por në mbarë Shqipërinë, në zgjedhjet e vitit 2005.

Të dashur shokë e shoqe,

Nga shqyrtimi i procesverbaleve të mbledhjeve të shumë organizatave më del se baza e analizës është bërë vetëm rezultati i zgjedhjeve, por jo fenomenet, individët apo grupet që me sjelljen e tyre ndikuan në rezultatin e pakënqashëm, a thua se zgjedhjet janë zhvilluar jo nga ne, por nga njerëz të ardhur nga Marsi. Për më keq, në të shumtën e rasteve, kur bëhet fjalë për rezultate të dobëta, përgjegjësia hidhet jashtë organizatës tek qeveria në Tiranë, tek Bashkia apo prefektura, në Berat e kështu me radhë.

Motra e vëllezër socialistë në Berat dhe në gjithë Shqipërinë,
A ka në organizatën tuaj, në këshillin tuaj zonal, në KD-në tuaj, në delegatët e kësaj koference, abuzues apo të paaftë?
A ka në fshatin apo komunën tuaj, në lagjen apo qytetin tuaj njerëz që shkelin mbi interesat tuaja politike dhe europiane?
Pse duhet ta mësojmë nga ekranet e medias se çfarë bënte me tenderat Kryetari i komunës Hudënisht në Pogradec, kur ne aty kemi një organizatë Partie, e cila ende nuk ka reaguar?
Prandaj ka ardhur koha që socialistët, të gjithë socialistët të distancohen vendosmërisht nga të keqijat, nga shkelësit e ligjit, nga mospaguesit e faturave dhe të taksave, nga abuzuesit, nga hajdutët, nga kontrabandistët, nga trafikantët. Këtë aksion politik ne vazhdojmë ta kryejmë dhe ta udhëheqim në bashkëpunim me shoqërinë shqiptare, me qytetarët progresistë, me fermerët e ndershëm dhe punëtorë, dhe do ta bëjmë akoma dhe më me transparencë ligjore, nëpërmjet Kuvendimit të Madh, që po starton me gjithë shpejtësinë e tij menjëherë pas përfundimit të Konferencave të Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë. E përsëris: integrimi i Shqipërisë në Evropë nuk do të vijë vetëm nga Tirana, apo vetëm për Tiranën. Të gjithë duam të hyjmë në Evropë, prandaj të gjithë duhet të angazhohemi për ta përballuar me solidatritet këtë sfidë sa më shpejt dhe sa më mirë.

Në këtë funksion, pra të objektivit për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 nuk mund të humbasim më kohë duke prodhuar, parë apo konsumuar telenovela dashurie apo tradhëtish brenda nesh. Kjo situatë duhet të marrë fund tani, ndryshe do të jetë vonë për të gjithë. Nga këto histori rozë, më shumë vonesa do i shkaktohen të ardhmes evropiane të Shqipërisë sonë të dashur. Nuk shkon më që të gjithë kemi mbështetur bie fjala për dhjetë vjet Fadilin si Kryetar të Partisë Socialiste të Beratit, por kur e kandidojmë për detyra shtetërore na firojnë votat. Dhe e dini pse? Sepse të gjithë ata që abuzojnë me mandatin politik dhe e përdorin për përfitime personale, grupi apo fisi, kur gjejnë tek një kandidat barrierën për realizimin e qëllimeve të tyre të pista, nisin e sabotojnë, deri edhe devijojnë a shesin vota për kandidatë të forcave të tjera politike të regresit. Ka ardhur momenti që socialistët t'i japin fund historisë së nuses me vjehrrë dhe millona. Ndryshe millonai, nuk ka emër tjetër përveçse Sali Berisha.

Prandaj motra e vëllezër t'i identifikojmë së bashku zevzekët dhe të paudhët, kudo ku janë, për të mos i lejuar të përdridhen nga shtëpia në mulli. Konferenca sot përfundon, por po sot rifillon puna për të kuruar të gjitha problemet që kemi dhe sfidat që duhet të përballojmë deri në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2005-s.

Punë të mbarë dhe suksese!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›