- Kryeministri Nano përuron hapjen e pikës së re doganore të Qafë-Botës - Kryeministri Fatos Nano po zhvillon një vizitë pune në qytetin e Sarandës. Z.Nano mori pjesë paradite në ceremo
- Kryeministri Nano përuron hapjen e pikës së re doganore të Qafë-Botës -
Kryeministri Fatos Nano po zhvillon një vizitë pune në qytetin e Sarandës. Z.Nano mori pjesë paradite në ceremoninë e hapjes të pikës së re doganore të Qafë-Botës, që lidh Shqipërinë me Greqinë. Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, deputetë të Sarandës dhe autoritete të pushtet vendor.
Kryeministri Nano u shpreh se kjo pikë e re doganore, e katërta mes dy vendeve, do të japë një kontribut të ri në zgjerimin e qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve midis dy vendeve. Qafë Bota ka nisur të funksionojë si pikë e kalimit kufitar që në vitin 2000, por prej sot në këtë doganë do të përpunohen edhe mallra. "Zgjerimi i funksioneve të doganës së Qafë Botës do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e kostove të shkëmbimeve tregtare dhe në rritjen e fitimeve të sipërmarrjes lokale dhe të mirëqënies së konsumatorëve lokalë kryesisht", tha z.Nano, duke shtuar se "kjo doganë do të shtojë hapësirat e lirisë ekonomike për brezin ndërkufitar dhe më gjërë nëpërmet përshpejtimit të integrimit ekonomik, social dhe institucional mes Shqipërisë dhe Greqisë si vend anëtar i BE".
Për të nisur nga aktiviteti kjo doganë, qeveria ka ndërhyrë në infrastrukturën rrugore prej 20 km nga Butrinti deri në Shkallë për të realizuar këtë vit deri në Qafë Botë edhe 7 km e fundit. Brenda këtij viti, tha Kryeministri, në këtë doganë do të nisin punimet për ta modernizuar atë, sipas standarteve europiane. Bashkimi Europian do të financojë 4 milionë euro për doganën shqiptare. Ndërsa qeveria greke është angazhuar për të financuar 60 milionë euro për një rrugë krejtësisht moderne, sipas standarteve europiane nga Qafë Bota në Krane, nga Krane në Sarandë dhe nga Krane në Jergucat.
Duke i uruar punë të mbarë personelit të doganës, Kryeministri Nano theksoi se Qafë Bota nuk do të përdoret në asnjë rast si Qafa e kontrabandës. "Rezultatet e sistemit doganor në luftë kundër kontrabandës dhe korrupsionit të arritura në vitin e fundit, që u vlerësuan edhe para dy ditësh nga përfaqësuesit e BE në Tiranë, janë garancia e qeverisë që unë drejtoj për sukses edhe në këtë pikë" tha z.Nano.
Më pas, autoritetet asistuan në përpunimin e automjeteve të para me mallra, të cilat kaluan nga kjo pikë doganore për në territorin fqinj.
Gjithashtu, Kryeministri Nano do të marrë pjesë në seminarin me temë "Bujqësia shqiptare dhe integrimi europian", si dhe do të vizitojë panairin "Konsumoni produktet shqiptare".