E Diel, 1 Nëntor 2026

- Përshëndet Zëvendëskryeministri Namik Dokle- Sot, në mbrëmje, në Teatrin e Opers dhe Baletit, në Tiranë, nën patronazhin e Kryeministrit Fatos Nano, u organizua Ceremonia e "Ditës E

- Përshëndet Zëvendëskryeministri Namik Dokle-

Sot, në mbrëmje, në Teatrin e Opers dhe Baletit, në Tiranë, nën patronazhin e Kryeministrit Fatos Nano, u organizua Ceremonia e "Ditës Europiane të Kujtesës së Shoah". Në këtë ceremoni ku merrte pjesë edhe Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, të ftuar si dhe Trupi Diplomatik i Akredituar në Republikën e Shqipërisë, përshëndeti Zëvendëskryeministri Namik Dokle.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Shoah, që përkujtohet sivjet për herë të parë edhe në Shqipëri, është një ditë me rëndësi botërore, u shpreh z.Dokle. Caktimi i një dite të veçantë homazhi e reflektimi për fatin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore është shprehje e imponimit të vlerave themelore te lirise dhe të paqes, që krijoi antifashizmi, mbi të cilat u ndërtua rendi i ri botëror. Antifashizmi mori një prej pamjeve të veta më të ndritura në refuzimin e teorisë hitleriane të demoracës, që nxiti katastrofën më të madhe të shekullit të 20-të, zhdukjen e programuar të hebrejve.

Në vijim Zoti Dokle theksoi se Populli shqiptar e shprehu antifashizmin e vet dhe bashkimin e sigurt me aleancën më të përparuar të kohës jo vetëm me qendresën ndaj ushtrive të huaja, por edhe me mbrojtjen fisnike të hebrejve. Shqipëria është vendi i vetëm i përfshirë në luftë që nuk lejoi të cënohej asnjë hebre që kishte mundur të hynte brenda kufijve të saj historikë dhe populli shqiptar mori në mbrojtje dhe shpëtoi disa mijëra hebrej që arritën të hyjnë në vendin tonë.

Në përshëndetjen e tij zoti Dokle vuri në dukje se shpëtimi i hebrejve jorezidentë e bën Shqipërinë një rast të veçantë në botë. Prandaj sot, në këtë ditë kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për herë të parë, i kushton një seancë plenare pasojave rrënuese të holokaustit; në këtë ditë që përtakon me 60-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të Auschwitz-it; ne kemi detyrën t'u shprehim mirënjohjen tonë atyre brezave që bënë luftën dhe mbrojtën nderin e Shqipërisë, duke garantuar me sakrificë dhe dashuri njerëzore, që asnjë hebre të mos binte në duart e makinerisë së zhdukjes racore.

Shpëtimi i hebrejve në Shqipëri përbën një përvojë të rrallë për të ndikuar në vetë botëkuptimin shqiptar, tha Zv/kryeministri, në vitet e pushtimit nazifashist me gjithë mospajtimet politike, që shkonin deri në kufijtë e luftës me armë, që ekzistonin në plan të brendshëm midis këtyre faktorëve dhe grupimeve, në një pikë të gjithë u bashkuan në një qendrim: për të gjithë fati i hebrejve ishte një çështje e brendshme, për të gjithë teoria naziste e demoracës ishte e papranueshme, duke vënë në dukje se përsëritja e këtij qendrimi do të lehtësonte shumë progresin tonë historik kombëtar.

Vërtet historinë e Shqipërisë nuk e mundon asgjë nga e shkuara e saj në lidhje me judeocidin e ushtruar brutalisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Shqipëria dhe institucionet e saj bashkohen në reflektimin e përgjithshëm të njerëzimit ndaj katastrofave të tilla, ndaj urrejtjes gjenetike që është përsëritur e përsëritet në format më të ndryshme, prej gjenocidit, etnocidit, përndjekjes, aparteidit, dhunës totalitare, deri tek terrorizmi klasik e modern. Ne mund të krenohemi që në evenimentet e medha të historisë së njerëzimit, Shqipëria është rreshtuar ne krahun e luftës për liri, paqe dhe të drejta njrëzore; si dje kundër makinës njeriasgjësuese të fashizmit; edhe sot kundër terrorizmit ndërkombëtar, u shpreh zoti Dokle.

Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, uroj që holokausti dhe të gjitha format e urrejtjes dhe të dhunës masive të mbeten prapa në histori, si dukuri që përkujtohen për të ndikuar tek brezat e rinj si një profilaksi e efektshme përjashtimi dhe ndalimi, përfundoi Zëvendëskryeministri Dokle.

Në këtë Ceremoni përshëndetën edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marsi Ris, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luttz Salzman si dhe ambasadori italian Masimo Jannuci.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›