Është zhvilluar sot në mesditë analiza e punës së Qeverisë për vitin 2004. Në këtë analizë merrnin pjesë të ftuar, përfaqësues të lartë të shtetit dhe institucioneve, përfaqësues
Është zhvilluar sot në mesditë analiza e punës së Qeverisë për vitin 2004. Në këtë analizë merrnin pjesë të ftuar, përfaqësues të lartë të shtetit dhe institucioneve, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të politikës, shoqërisë civile, medias, biznesit etj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
"Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar miq dhe të ftuar,
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, në respektim të transparencës para publikut dhe pas analizave të detajuara në sektorët përkatës, vijmë natyrshëm në këtë analizë të thelluar të veprimtarisë së ekzekutivit për vitin 2004. Më lejoni që të theksoj qysh në fillim se Viti 2004 që sapo mbyllëm, shënoi një përparim të dukshëm e të gjithanshëm dhe për nga rezultatet shënohet si viti më i mirë dhe më i suksesshëm jo vetëm i qeverisjes sonë progresiste, por i katërmbëdhjetë vjetëve të tranzicionit.
Mbi të gjitha gjatë vitit të kaluar Shqipëria provoi dhe konsolidoi normalitetin e saj demokratik si dhe qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike. Përmirësimi i funksionimit të shtetit të së drejtës dhe i institucioneve demokratike, respektimi i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, roli aktiv dhe konstruktiv në rajon, progresi i shënuar drejt anëtarsimit në NATO si dhe normaliteti i dialogut partnerial në negociatat me Bashkimin Europian, modernizimi i vazhdueshëm i administratës publike, sigurimi i ritmeve të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike, janë disa nga cilësitë kryesore që flasin me elokuencë për qeverisjen së vitit 2004, arritje këto të vlerësuara maksimalisht nga publiku vendas dhe nga Institucionet Ndërkombëtare me të cilat bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë aktivitetin tonë qeverisës.
Programi ynë ambicioz dhe kompleks i stabilizimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror, i filluar në vitin 1998, ka dhënë rezultate të plota dhe kjo shprehet qartë edhe në treguesit kryesorë sintetikë. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur në mënyrë konstante për shtatë vjet rresht me rreth 6% në vit, kundrejt rreth 4.7% që është rritja mesatare në vendet e Europes Jug-Lindore. Rritja akumulative është, gjithashtu, më e madhe se e shumicës së vendeve të tranzicionit. Kjo është meritë e këmbënguljes për të ndërmarrë dhe zbatuar me rigorozitet reformat e thella strukturore, pasojë e zhvillimit të shpejtë të sektorëve prodhues, të atyre të ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe rialokimit të studjuar të burimeve në sektorë që gjenerojnë rritje më të shpejtë.
Politikat fiskale të ndërmarra ndryshojnë konceptualisht nga ato të periudhës para vitit 1998. Ato nuk janë bazuar thjesht në pakësimin e shpenzimeve, por kryesisht janë mbështetur në rritjen e të ardhurave buxhetore, si burim themelor për të përballuar shpenzimet publike dhe investimet kapitale, si dhe për të mbajtur në nivele ripërtëritëse elementet kryesorë të funksionimit të qëndrueshëm të shoqërisë.
Të ardhurat për frymë në fund të vitit 2001 arritën në 1386 USD apo sa dyfishi i atyre të vitit 1997, ndërsa në 2004 janë 2560 USD, ndërsa në 2005 parashikohen të arrijnë 2850, duke na dhënë sërish provën e dyfishimit në /do legjislaturë të drejtuar prej nesh. Kjo rritje e programuar vjen si rezultat logjik i rritjes së të ardhurave buxhetore të cilat vetëm për këtë vit ishin rreth 18 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Efektin kryesor në këtë arritje e dha plotësimi në masën 98.5% dhe 98.3% i të ardhurave nga tatimet dhe doganat, duke siguruar përkatësisht rreth 140 milionë dollarë dhe 10 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, si rezultat i përmirësimit rrënjësor të punës së sistemit tatimor e doganor dhe i luftës kundër korrupsionit në këtë sektor sensitiv. Rritja e të ardhurave krijoi mundësi për shpenzime më të mëdha publike, të cilat arritën në 226 miliardë lekë ose 15 miliardë më shumë se në vitin 2003. Investimet publike të financuara nga burime të brendëshme, së bashku me burimet shtesë, u realizuan për herë të parë në masën 90%, me rritje të dukshme të investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe në mbështetje të politikave sociale. Për këtë arsye ne e shohim sot jo vetëm Tiranën, por gjithë Shqipërinë, në një proces ndërtimi dhe rindërtimi të pandërprerë. Ishte plotësisht e mundëshme që këto investime të realizoheshin edhe 100%, por, ndryshe nga vitet e kaluara, nuk u lejua denatyrimi i shpenzimeve dhe i gjithë kursimi vjetor nga fondi i pagave apo miradministrimi i fondeve të ndihmës sociale u përdor për shpërblimin në fund të vitit të pensionistëve, veprim që u vlerësua nga publiku i gjerë dhe të cilin qeveria po e studion për ta shndërruar në një traditë të përvitëshme.
Politika monetare e ndjekur ka dhënë, gjithashtu, rezultate të dukshme, e shprehur qartë në një kurs të stabilizuar të këmbimit të monedhës dhe në ruajtjen e inflacionit në vlera të ulta dhe në vijimësi brenda kufijve të parashikuar. Reformimi i plotë i sektorit bankar konsiderohet si një nga arritjet më të spikatura të viteve të fundit. Vlerësimet negative të bëra nga institucionet ndërkombëtare për këtë sektor në vitin 1997, janë zëvëndësuar qartazi me cilësimin si rasti më i suksesshëm i zbatimit të reformave. Treguesi më sintetik i këtij progresi është që ndërsa në vitin 1997 rreth 95% e sektorit bankar dominohej nga shteti, sot rreth 98% e tij është në duart e sipërmarrësve privatë. Pika kulmore e këtij progresi është privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe hyrja në tregun bankar shqiptar e një kolosi si Raifeissen Zentral Bank, çka ka filluar qysh tani të japë impulset e veta pozitive në zhvillimin e mbarë financiar dhe ekonomik të vendit.
Kjo dinamikë zhvillimi është arritur të administrohet në mënyrë racionale, duke ulur peshën e borxhit të brendshëm dhe të borxhit ndërkombëtar, që shlyen ekonomia, dhe që për pasojë i përcillet çdo vit taksapaguesve. Në vitin 1997 gjetëm një defiçit prej 13% të PBB-së, që do të thotë se 13 lekë për çdo 100 lekë vlerë të re të krijuar duhet të shkonte për të shlyer këtë borxh. Sot ky tregues ka zbritur në 5.5% të PBB me tendencë të qartë të ulejes së mëtejshme drejt niveleve 3-3.5% të PBB-së, që konsiderohen edhe si nivel normal i funksionimit ekonomik të vendeve të Bashkimit Europian.
Të gjitha këto rezultate nuk janë të rastit. Ato janë në perputhje të plotë me programin afatmesëm të stabilizimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror të filluar në vitin 1998 dhe me objektivat e vëna në programin e Qeverisë të vitit 2004, madje në disa aspekte i tejkalojnë dukshëm ato. Kjo është mundësuar nga rritja e vazhdueshme e cilësisë së qeverisjes, si dhe nga baza gjithnjë e më e qëndrueshme ligjore dhe institucionale, që ka krijuar maxhoranca jonë politike vit pas viti, duke i dhënë fund kaosit të qeverisjes arkaike të viteve të para të tranzicionit.
Ky nivel zhvillimi është i çertifikuar nga institucionet ndërkombëtare që na asistojnë dhe pasqyrohet qartë në vlerësimet e shumta përgjithësuese që ato publikojnë që kanë qënë të shumta. Prej tyre unë do të evidentoja vetëm njërin prej raporteve të fundit, që e rendit Shqipërinë në vendin e 67 midis 161 vendeve dhe të tretën ne rajon, sipas Indeksit te Lirisë Ekonomike, i cili konsideron çështje thelbësore të zhvillimit, të tilla si ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi, lëvizja e kapitalit dhe investimet e huaja, politikat fiskale dhe monetare, niveli i pagave dhe çmimeve, respektimi i pronës, zbatimi i politikave tregtare dhe niveli i ekonomisë informale. Kujtoj me këtë rast se në të njëjtin raport, një vit më parë Shqipëria renditej e 81-ta, ndërsa vetëm katër vjet më parë e 121-ta.
Prandaj këto rezultate të qëndrueshme duhen konsideruar si tregues të përparimit të Shqipërisë drejt Europës moderne dhe të krijimit të një imazhi të ri të Shqipërisë, krejtësisht të kundërt me atë që prodhoi qeverisja në vitin 1997. Dëshiroj të theksoj se këto rezultate nuk janë dhe nuk mund të jenë në të mirë vetëm të maxhorancës qeverisëse, por të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Madje më shumë se sa kaq; në këto rezultate, përveç forcave politike në qeverisje, përveç shoqërisë civile dhe sipërmarrjes së lirë, kanë kontributin e vet edhe forcat politike opozitare progresiste, që me trysninë e tyre, pavarësisht teprimeve, e kanë nxitur zhvillimin. Po kështu, rol të veçantë kanë luajtur publiku dhe media, që me reagimet e tyre na kanë orientuar drejt zgjidhjesh optimale të mjaft çështjeve sensitive të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit.
Një nga cilësitë që na karakterizon në qeverisjen e vendit është fakti se ne e shikojmë me sy kritik progresin, paraqesim dhe pranojmë alternativa dhe instrumente të ndryshme dhe konkuruese qeverisëse. Por tani duhet të pohojmë me forcë se fakti që në fund të vitit 2004 kemi arritur një pikë kulmore të zhvillimit na jep të drejtën dhe shtron nevojën për të këmbëngulur për alternativa më të qëndrueshme zhvillimi, për më shumë kontribute të të gjithëve për një progres edhe më të shpejtë drejt Europës së Bashkuar.
Përveç të tjerash, rezultatet e mësipërme dëshmojnë se njerëzit i janë rikthyer punës duke e kuptuar se rruga e vetme për një pasurim të shpejtë nuk janë piramidat, por vetëm puna dhe sipërmarrja e ligjëshme; dëshmojnë se shteti është fuqizuar, se menaxhimi është përmirësuar ndjeshëm dhe se strategjitë tona të zhvillimit po japin rezultatet e pritura.
Nga ana tjetër arritjet nuk mbulojnë aspak dobësitë që janë evidentuar nga vështrimi kritik i punës së Qeverisë dhe gjithësecilit në Administratën Publike. Shumë prej tyre dolën qartë në analizat vjetore të Ministrive, të cilat këtë vit u dalluan për një frymë më të plotë kritike dhe për më shumë transparencë për publikun. Prandaj, pa dashur që t'u rikthehem atyre edhe një herë, e gjykoj të rëndësishme që në këtë raport të përqëndrohem në ato probleme që janë më thelbësoret për programet tona të së ardhmes, e veçanërisht për programin e qeverisjes së vitit 2005.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Këto nivele të zhvillimit ekonomik e shoqëror u arritën në kushtet e reformave të tranzicionit për ndryshimin e sistemit dhe përafrimit të tij me atë të realiteteve euroatlantike. Kësaj sfide të madhe e mjaft komplekse tashmë i është shtuar një sfidë e re, po kaq e vështirë për tu përballur, integrimi në zhvillimin rajonal e global.Çështja shtrohet jo më për të garantuar qëndrueshmërinë, por për të ruajtur ritmet e rritjes ekonomike, me kostot e globalizimit, pra në kushtet e konkurencës së hapur jo vetëm mes vetes, por edhe me botën. Kjo është një përmasë e re e reformave, që tregon qartë se vendi ka hyrë në një fazë tjetër, që kërkon programe më agresive, dhe mbi të gjitha, mendësi, aftësi profesionale dhe zgjidhje të reja afatgjata e të guximshme.
Le të shtrojmë këtu vetëm disa prej tyre që mund të përbëjnë shtratin e një diskutimi më të gjerë e më të thelluar. Jemi në kushtet kur është rritur trysnia për një shtet më social për shkak të varfërisë, shtresëzimit, pabarazisë së zhvillimit territorial. Është rritur trysnia e biznesit për t'u financuar më mirë dhe për të marrë edhe më shumë përgjegjësi zhvillimi. Ndërkohë, tani që institucionet ndërkombëtare po na japin gjithnjë e më shumë liri veprimi, na kërkohet të krijojmë kapacitete thithëse e shlyerse të financimeve me kushte tregtare, duke demonstruar aftësi konkuruese e dije për të marrë e shlyer borxhe, na kërkohet të hyjmë me një profil tonin në ndarjen e re ndërkombëtare të punës. Pikërisht në këtë këndvështrim duhen rishqyrtuar zhvillimi i turizmit, i agroindustrisë, energjitikës etj. dhe përshtatja e tyre me korridoret ekonomike ndërrajonale.
Shqipëria ka filluar të bëhet pjesë e një tregu rajonal të lirë nga barrierat administrative e financiare me rreth 50 milion konsumatorë. Kostot e liberalizimit të shkëmbimeve që ngarkojnë buxhetin e shtetit me rreth 2 miliard lekë në vit janë një përfitim i ndjeshëm për konsumatorin shqiptar që vjen me uljen e çmimeve, rritjen e cilësisë së mallrave dhe shumëllojshmërisë së ofertës. Kjo i paraprin lëvizjes së lirë të mallrave me Bashkimin Europian nëpërmjet adaptimit të normativës komunitare, që do të ishte pa vlerë në se sipërmarrja shqiptare nuk integrohet në mendësinë dhe standardet europiane në fushën e punësimit, mbrojtjes së konsumatorit, pronësisë intelektuale dhe industriale, kushteve mjedisore etj. dhe në se shteti nuk ndërton në kohën e duhur e përmes reformash të thella mekanizmat ligjore e institucionale të mbikqyrjes së këtij tregu sipas standarteve të ekonomisë së lirë.
Në këtë këndvështrim, sjellja e realitetit shqiptar në këtë nivel, shënon para nesh të gjithëve se ka ardhur koha për të pasur një mendim më të qartë strategjik për të ardhmen, për të identifikuar më mirë sektorët që mund të jenë kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike të ardhshme dhe për të marrë, pa humbur kohë, vendime për forcimin e përshpejtuar të tyre. SKZHES-së që kemi hartuar dhe po e zbatojmë me sukses që prej vitesh, megjithë përmirësimet e vazhdueshme që i janë bërë, nuk i jep ende përgjigje këtyre pyetjeve sepse i mungon një dimension i qartë integrimi. Bazuar në përvojën e fituar në përgatitjen e raporteve vjetore të progresit dhe me asistencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ne duhet ta rikonceptojmë dhe njësojmë këtë dokument dhe të lidhim qartazi prioritetet e tij për arritjen e qëllimeve afatgjata kombëtare me programe konkrete dhe me Programin Buxhetor Afat-mesëm. Këto duhet të shoqërohen me tregues të matshëm kombëtarë, sektorialë e lokalë, që japin mundësi për të vlerësuar progresin dhe frytshmërinë e masave që zbatohen. Ndryshimet institucionale, që sapo vendosëm, që e kalojnë në Këshillin e Ministrave funksionin e programimit strategjik dhe të koordinimit të ndihmës së huaj, do të krijojnë kushtet për të vepruar më me shpejtësi në këtë drejtim. Por kjo nuk mjafton. Demokraci do të thotë pjesëmarrje dhe bashkim kontributesh. Për këtë arsye ka ardhur koha që në trajtimin e këtyre çështjeve me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, të japin kontributin e tyre të vyer grupet e ekspertëve, trupat akademike, aktorët kryesorë të shoqërisë civile dhe sipërmarrjes së lirë.
Modeli i suksesëshëm i sektorit të energjisë elektrike, që po i paraprin më mirë se çdo sektor tjetër globalizimit që po na troket, duhet të shërbejë si pikë referimi për këtë planifikim strategjik. Aty janë gërshetuar mirë masat institucionale dhe infrastrukturore në shërbim të sigurimit brenda një periudhe afatshkurtër të aksesit të biznesit dhe qytetarit shqiptar në tregun më të lirë të mundshëm në rajon dhe Europë. Në zbatim të këtij programi strategjik po hartohen Kodet e Funksionimit të Rrjetit, Shpërndarjes dhe Matjes, rregullat e reja ndërsistemore, protokollet e tranzitit, si dhe janë nënshkruar një sërë Traktatesh e Protokollesh ndërkombëtare, duke marrë angazhime të rëndësishme për krijimin e kushteve për treg rajonaltë hapur e konkurues të energjise elektrike. Këto masa po shoqërohen me investime të mëdha në këtë sektor, të tilla si lidhja ndërsistemore me Malin e Zi, Kosovën, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Italinë. Vetëm në dy muajt e fundit janë kontraktuar rreth 20 milionë dollarë investime për përmirësimin e sistemit të shpërndarjes në tre rajone të vendit, që do të zgjidhin përfundimisht furnizimin sipas standardeve europiane të popullsisë dhe bizneseve me energji elektrike.
Ruajtja e ritmeve të zhvillimit dhe krijimi i mundësive për shpenzime shtesë, në dobi të përmirësimit të shërbimeve prioritare ndaj popullsisë dhe për të rritur shpërblimet, kushtëzohet, para së gjithash, nga rritja e shpejtë e të ardhurave. Megjithë arritjet që përmënda më sipër, është fakt se Shqipëria mbetet me nivelin më të ulët relativ të të ardhurave krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Nxitja e zhvillimit te shpejtë të biznesit privat është objektiv prioritar i Qeverisë për të rritur të ardhurat dhe hapur vende të reja pune. Reformat e thella strukturore, institucionale, ligjore, ekonomike e financiare të ndërmarra kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznesin dhe pakësimin e barrierave administrative ndaj tij, veçanërisht për procedura të tilla si regjistrimi i bizneseve, liçensimi, kreditimi nga pikpamja e aksesit dhe kostos etj., të cilat nuk rezultojnë më problematike si më parë. Përpjekje serioze janë bërë për rritjen e partneritetit me biznesin, nëpërmjet fuqizimit të rolit të Këshillit Konsultativ të Biznesit, duke e kthyer atë në një instrumet të frytshëm dialogu permanent për çështje thelbësore me interes të palëve, siç është rasti i diskutimit të paketës fiskale të vitit 2005. Megjithatë, për biznesin ka ende mjaft probleme të pazgjidhura, që lidhen me konkurencën, administratën tatimore, veçanërisht me inspektimet dhe tarifat tatimore, doganat, sistemin e ankimimit dhe atë të zgjidhjes se konflikteve. Bizneset ankohen për numrin e lartë të inspektimeve të gjithllojshme, mungesën e marrjes në kohë të informacionit, ndryshimin e shpeshtë të kuadrit ligjor dhe rregullues dhe për praktikat korruptive të punonjësve shtetërorë. Të gjitha këto shqetësime kanë dalë qartë gjatë një procesi vetëvlerësimi që Qeveria ka ndërmarrë në bashkëpunim me institucione të specializuara ndërkombëtare, që në mënyrë transparente do t'í bëhen të njohura publikut brenda muajit prill 2005. Kjo duhet të shoqërohet me një program masash të hollësishme sipas problematikës në bazë sektori, madhësie biznesi, vendndodhjeje etj., duke marrë parasysh dhe hapësirat që krijon procesi i decentralizimit.
Mbështetja më e madhe që Qeveria duhet të japë për biznesin, veçanërisht në aspektin e rritjes së aftësisë konkuruese të tij, bëhet edhe më e domosdoshme në kushtet e integrimit rajonal dhe Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë. Analiza e eksporteve të prodhimeve tona në tregun rajonal tregon qartë se kjo mbështetje është ende e pamjaftueshme. Megjithëse eksportet me vendet e tregtisë së lirë të Europës Jug-Lindore janë trefishuar, ato mbeten në nivele mjaft të ulta. Eksportet mezi kalojnë 1/5 e importeve dhe për prodhimet bujqësore ky raport është 1/10, gjë që dëshmon se përfitimi nga hapja dhe zgjerimi i tregut është shumë i ngadaltë. Një vëmendje të veçantë kërkon edhe marrëveshja që po negociohet me Bashkimin Europian, ku përfshihen të gjitha politikat integruese ekonomike e tregtare, duke nxjerrë mësimet e duhura nga marrëveshja me OBT-në. Qeveria është duke punuar me programe të qarta për të zgjidhur detyrën e shëmbjes së murit që pengon bizneset e fuqishme shqiptare, veçanërisht të atyre që operojnë në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimeve, për të marrë pjesë në zbatimin e projekteve me financime ndërkombëtare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në këtë kontekst zhvillimi të gjithanshëm, detyra të veçanta shtrohen për sektorin publik, i cili ndodhet përballë sfidës së konkurencës dhe rritjes së vlerës së tij në procesin e privatizimit. Përvoja e viteve të fundit dëshmon se privatizimi i bazuar në programe zhvillimi, i mbështetur me legjislacion bashkëkohor dhe i realizuar me procedura transparente krijon mundësi për të qënë i suksesëshëm. Janë të gjitha mundësitë që objektivi i Qeverisë për privatizimin sa më të favorshëm të kompanive Albtelekom dhe ARMO, për të cilat mbi 20 shoqëri të njohura ndërkombëtare tashmë kanë konfirmuar interesin e tyre, të përmbushet me sukses. Privatizimi i Bankës së Kursimeve, kontrata konçesionare e aeroportit të Rinasit, marrëveshja për zhvillimin e parkut energjitik në Vlorë, nënshkrimi i angazhimit për fillimin e projektit AMBO tregojnë për siguri, klime të favorshme politike, ekonomike e financiare dhe përfaqësojnë pika referimi të rëndësishme për biznesin global.
Zhvillimi i shpejtë i biznesit privat lidhet ngushtë me rritjen e investimeve të huaja direkte. Ne kemi kompletuar dhe po zbatojmë një kuadër ligjor mjaft nxitës për investimet e huaja, i cili mbështetet në një qasje liberale në përputhje me principet e tregut të hapur. Këto masa, si dhe stabiliteti politik dhe ekonomik i viteve të fundit, kanë bërë që në vitin 2004 investimet e huaja direkte të arrijnë në rreth 300 milion dollarë, duke kapur nivelin më të lartë të periudhës së tranzicionit. Kjo vlerë është dy herë më e lartë se viti 2002, 6 herë më e lartë se viti 1999 dhe 3 herë më e lartë se viti 1996 që konsiderohet si viti më i mirë i qeverisjes së Partisë Demokratike. Treguesi i investimeve të huaja për frymë është më shumë se 3 herë më i lartë se mesatarja e periudhës 1993-1997. Por pavarësisht ritmeve të larta të rritjes, ne vazhdojmë të jemi në nivele ende të ulta krahasuar me vende të tjera të rajonit. Gjatë 4 vjetëve tek ne është investuar rreth 350 dollarë për frymë, ndërkohë që në Kroaci, e cila përben një shembull që ne po e ndjekim në shumë drejtime, është investuar 6 herë më shumë. Qeveria është e ndërgjegjëshme se nevojat e ekonomisë dhe garantimi i ritmeve të qëndrueshme të rritjes kërkojnë së paku dyfishimin e këtij treguesi (FDI për frymë) dhe nxitjen e një shpërndarjeje gjeografike të tyre në dobi të zhvillimit lokal, sepse sot rreth 67% e investimeve të huaja direkte është përqëndruar në Tiranë dhe Durrës. Administrata shtetërore duhet me urgjencë të programojë detyra të qarta për përmbushjen shkallë-shkallë të këtyre objektivave tepër ambiciozë të Qeverisë.
Në programin tonë të qeverisjes, një nga prioritet është tkurrja e ekonomisë informale dhe në këtë drejtim është bërë shumë, siç e dëshmojnë edhe shifrat e arritjeve që nuk do të ishin të mundura pa realizuar këtë transformim. Por kufizimi i mëtejshëm i ekonomisë informale mbetet një burim tjetër potencial për rritjen e të ardhurave dhe mbetet një nga çështjet më të debatuara nga institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare financiare. Sektori privat në Shqipëri rilindi pas disa dekadash boshllëku dhe metodat e evazionit fiskal u perfeksionuan më shpejt se reformimi i administratës fiskale. Gjatë kësaj periudhe i është dhënë më shumë rëndësi përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator, veçanërisht në tatime dhe dogana, zvogëlimit të shkallës së burokracisë, rritjes së efiçiencës dhe transparencës së përdorimit të fondeve publike dhe rritjes së besimit ndaj institucioneve, më shumë se sa kërkesave për zbatimin rigoroz të tyre. Ndërkohë, moskontrolli në cikël të plote i bizneseve, duke e nisur nga importi, apo mosmonitorimi periodik i ciklit ekonomik të grupmallrave kryesore, cënojnë rëndë efikasitetin e zbatimit të ligjeve, reduktojnë arbitrarisht masën e detyrimeve tatimore dhe kontributin në buxhet, lejojnë deformimin e konkurimit në treg dhe krijojnë kushte për pazare me bizneset në kurriz të buxhetit te shtetit. Si rezultat, plotësimi i të ardhurave të planifikuara shpesh herë është spontan, pa ditur me saktësi numërin e bizneseve dhe potencialin pagues të tyre. Mbi të gjitha, puna e derisotme është kufizuar në masa të njëanshme e të cunguara për reformimin e administratës dhe nuk është konceptuar si një reformim rrënjësor i sistemit dhe i vetë biznesit.
Këto dobësi pasqyrohen drejtpërsëdrejti në rezultatet. Megjithë tendencat pozitive në realizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, këto përbëjne ende vetëm rreth 15% të PBB dhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që është tatimi më i rëndësishëm, përfaqsojnë vetëm rreth 7% të PBB, ndërsa tatimet e tjera kontribuojnë fare pak në të ardhurat kombëtare. Po kështu, kontributi i sigurimeve shoqërore e shëndetësore vazhdon të jetë shumë i vogël, rreth 4% të PBB-së, duke bërë që buxheti i shtetit të transferojë çdo vit shuma të konsiderueshme fondesh për të përballuar nevojat.
Në këto kushte kërkohet funksionimi më efiçient i rregjimit tatimor dy llojesh, që mbështetet në tatimin mbi vlerën e shtuar dhe mbi biznesin e vogël, duke e ristudjuar kufirin ndarës midis tyre, duke e diferencuar angazhimin për secilin grup, duke evidentuar saktë xhiron reale të bizneseve dhe duke bërë projeksione më realiste për të ardhurat. Kërkohet forcimi i bashkëpunimit institucional midis administratës tatimore dhe strukturave lokale për identifikimin e bizneseve që i shmangen plotësisht apo pjesërisht detyrimeve tatimore. Kërkohen, gjithashtu, rezultate konkrete në rritjen e shkallës së identifikimit të subjekteve ekonomike që nuk paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetsore të punonjesive të tyre. Këto përpjekje duhen kordinuar me masat për të ulur rolin e ekonomise cash, duke nxitur që transaksionet financare të bizneseve të bëhen nëpërmjet bankave.
Sfida e kufizimit të mëtejshëm të ekonomisë informale kërkon domosdoshmërisht edhe përshpejtimin e aplikimit të teknologjive të reja në financat shqiptare. Prandaj menjëherë duhet të nisë një program për informatizimin e plotë të administratës tatimore, për ngritjen e një sistemi të përqëndruar të dhënash e raportimi që përfshin tatimet, doganat, sigurimet shoqërore, zyrat e rregjistrimit të pasurisë etj. Kësaj duhet t'í paraprihet me ndryshime të shpejta ligjore, që i hapin udhë këtij sistemi të njësuar menaxhimi të financave publike, si barrikada më e mirë ndaj evazionit fiskal. Kjo përbën njëkohësisht thelbin e reformimit të plotë të sistemit ekonomiko-financiar të vendit për ta sjellë atë në standardet e Bashkimit Europian.
Siç e thashë më sipër, Qeveria deklaron vullnetin e saj të plotë politik dhe vendosmërinë e saj për të luftuar ekonominë informale dhe ka vendosur një bashkëpunim seroz e transparent me institucionet ndërkombëtare për përcaktimin e rrugëve të zgjidhjes së këtij problemi madhor. Ajo është e vendosur ta fillojë këtë reformë dhe Ministria e Financave, që ka demonstruar kapacitete menaxhuese bashkëkohore, do të ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe timen personale për ta përmbushur këtë detyrë.
Rritja e të ardhurave merr rëndësi të veçantë për zonën rurale, ku, megjith ndryshimet e mëdha, ritmet e zhvillimit ekonomik mbeten të ngadalta dhe aksesi ndaj shërbimeve bazë mjaft i ulët. Nevoja për t'u fokusuar mirë në këtë problem bëhet më e ngutshme sepse në zonat rurale banojnë më shumë se gjysma e popullsisë se vendit dhe ato po përshtaten me shumë vështirësi me hapjen e tregut, gjë që po e rëndon edhe më shumë gjendjen në fshat. Ndërkohë, bujqësia vazhdon të jetë kontribuesi kryesor i rritjes ekonomike dhe ne mbetemi vendi me ndikimin më të madh të këtij sektori krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e ka ndjekur me kujdes zbatimin e detyrave të lëna për përparimin e zbatimit të reformës së tokës, masave nxitëse të prodhimit bimor e blegtoral, shtimin dhe zgjerimin e prodhimit agroindustrial, progresin e reformës së pyjeve dhe forcimin e shërbimit këshillimor. Për secilën nga këto detyra raportohen tregues të përmirësuar dukshëm krahasuar me një vit më parë. Po kështu, ka përmirësime në administrimin e alokimeve financiare dhe në mënyrë të veçantë në ecurinë e projekteve të shumta me financime të donatorëve ndërkombëtarë.
Shqetësimi i Qeverisë është se ndikimi real e i drejtpërdrejt i këtyre masave në gjendjen ekonomike të fshatit është shumë më i ngadaltë se parashikimi. Reforma e tokës raportohet se është zbatur në 98.9% të sipërfaqes dhe dokumentet e pronësisë janë ndarë për rreth 97.6% të saj, por realisht një pjesë e konsiderueshme e tokës së ndarë është me probleme të pazgjidhura dhe në komuna të largëta malore kjo pjesë e kalon gjysmën e sipërfaqes së tokës bujqësore. Investimet në rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja janë realizuar në masën 100% dhe detyrat e parashikuara për reformën e menaxhimit të sistemit të ujitjes dhe kullimit janë tejkaluar, por realisht aftësia ujitëse është e ulët dhe përmbytjet nuk janë të rralla. Prodhimi blegtoral gjatë vitit 2004 është rritur dukshëm por në shumë komuna sasia e qumështit që përpunohet nuk arrin as 10% të prodhimit dhe mundësitë për ta tregtuar janë ende shumë të kufizuara.
Duke e analizuar me sy kritik këtë çështje madhore për vendin, Qeveria ka arritur në përfundimin se efiçienca e masave për përparimin ekonomik e social të fshatit është mjaft e ulët për shkak se shumica e ndërhyrjeve mbështetet në prioritete të ngushta sektoriale dhe ato janë të veçuara nga njëra - tjetra. Kjo mënyrë të vepruari është diametralisht e kundërt me konceptin bashkëkohor të zhvillimit rural, i cili, në dhjetëvjeçarin e fundit, është promotori i politikave financuese të Bashkimit Europian, që synojnë rritjen e cilësisë së jetës në fshat. Samitet e tokës, të mjedisit dhe ushqimit të mbajtura gjatë këtij dhjetëvjeçari, si dhe marrëveshjet dhe deklaratat e shumta që kanë dalë nga forumet ndërkombëtare, kanë vënë në lëvizje një proces dinamik për zhvillimin rural, por objektivat dhe masat tona nuk janë plotësisht koherente me këtë proces.
Me pikësynimin për t'u dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve, Qeveria krijoi Komitetin Ndërministror për Zhvillimin Rural dhe ka kërkuar hartimin e platformës kombëtare aftmesme për zhvillimin rural dhe integrimin ndërsektorial të investimeve në shërbim të këtij zhvillimi. Strategjia e përgatitur, pasi t'í nënshtrohet diskutimit me specialistë vendas e të huaj, do të paraqitet për miratim në muajin prill të këtij viti, në mënyrë që brenda vitit të fillojë zbatimi i saj në një qark pilot dhe vitin e ardhshëm të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit, duke u marrë në konsideratë në paketën financiare të vitit 2005 e në vazhdim.
Nëpërmjet këtyre masave të integruara, Qeveria synon në përmirësime të shpejta të nivelit të jetesës në fshat, me ndërhyrje të përqëndruara afatshkurtra për përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, me pikësynimin që të rrisë aftësinë konkuruese të prodhimit tonë bujqësor e blegtoral, të nxisë zgjerimin e shpejtë të agroindustrisë dhe të përmirësojë aksesin e prodhimeve në treg. Rivlerësimi dhe përdorimi më optimal, domethënë vënia në shfrytëzim në të mirë të vetë banorëve i burimeve ekonomike në fshat, veçanërisht i pronësisë mbi pyjet, është një dimension tjetër i rëndësishëm i kësaj strategjie. Këto do të paraprihen me ndryshimet e nevojshme ligjore dhe me ndryshime institucionale, duke filluar nga riorientimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe i strukturave në vartësi të saj drejt çështjeve të Zhvillimit Rural.
Ruajtja e ritmeve të zhvillimit kushtëzohet gjerësisht edhe nga burimet njerëzore dhe këtu cilësia e arsimimit është përcaktuese. Qeveria ka iniciuar një rikthim serioz në reformimin e sistemit arsimor sepse përparimi i deritanishëm i tij, i mbështetur në programe të hartuara në vitet e para të tranzicionit dhe që qartazi kanë rezultuar gjysmake e të pasakta është mjaft i ngadaltë dhe nuk i përgjigjet interesimit të publikut dhe kërkesave mjaft të larta ndaj tij. Ndërhyrjet e menjëhershme dhe energjike janë të domosdoshme, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në arsimin e lartë, sepse shënjat e analfabetizmit, braktisjes së fshehtë, cilësisë së ulët të mësimdhënjes dhe trysnisë për ta kompensuar me kurse plotësuese private, e kurrikulave çorientuese e të paharmonizuara, e mungesës së bazës laboratorike dhe mospërshtatjes me tregun e punës, tashmë janë evidente.
Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar e porsamiratuar dhe e hartuar me një angazhim gjithpërfshirës të specialistëve, grupeve të interesit, mësuesve, dhe shoqatave të arsimtarëve, i rikthehet me realizëm këtyre çështjeve me synimin e vendosjes së bazave të zhvillimit afatgjatë të një sistemi arsimor bashkëkohor. Për zbatimin e kësaj strategjie, Qeveria ka përcaktuar detyra të qarta për institucionet përgjegjëse dhe është e angazhuar të kërkojë zbatimin rigoroz të tyre.
Rishikimi tërësor i normave, riorganizimi dhe përsosja e sistemit të trainimit e kualifikimit, hartimi dhe zbatimi i standardeve të performancës, reformimi i kapaciteteve menaxhuese, rritja e autonomisë së shkollave dhe ndryshimet thelbësore në mënyrën dhe sasinë e financimit janë masa që do të fillojnë të zbatohen që këtë vit në sistemin e arsimit parauniversitar. Reforma e kurrikulave do të mbështetet në një kornizë kurrikulare kombëtare, që i jep përparësi aspektit cilësor të mësimnxënies dhe jo atij sasior, për të ulur ngarkesën shumë të lartë të nxënësve, nga më të lartat e vendeve të OECD-së, dhe për të zhvilluar shprehitë e analizës dhe sintezës gjatë procesit mësimor. Paralelisht këto do të gjejnë pasqyrim në tekstet shkollore. Është absurde gjendja e teksteve aktuale të disa lëndëve, veçanërisht në shkollat e mesme të përgjithshme, që nuk marrin në konsideratë shkallën e njohurive të vitit paraardhës, japin njohuri të vjetëruara, shpesh herë të pavlefshme, u mungon lidhja logjike midis kapitujve, ose janë shkruar a përkthyer me një gjuhë të pakuptueshme për moshën dhe formimin e nxënësve dhe të kontestueshme nga vetë mësuesit. Përballë fluksit ne rritje të ankesave të përsëritura të nxënësve dhe mësuesve nuk mund të vazhdohet të ngrihen supet, por duhet të përcaktohen standarde bashkëkohore dhe afate të qarta për zbatimin e tyre. Tekstet nuk mund të vazhdojnë të bëhen me tendera apo me përzgjedhje miqsh nga autorë anonimë apo punonjës të privilegjuar të administratës, por nga mësuesit më me përvoje dhe katedrat e universitetit duhet të drejtojnë punën shkencore për përgatitjen e teksteve sipas kurrikulash të harmonizuara.
Arsimi i lartë, gjithashtu, ka vite që lëkundet midis stanjacionit dhe nevojës për ndryshim, si në aspektin konceptual ashtu edhe në përmbajtje, organizim e menaxhim. Hapja e një numuri të madh degësh e profilesh të reja në Tiranë e në rrethe, të pambështetura në studime dhe analiza të plota të tregut të punës, niveli i ulët i mësimdhënies, mosangazhimi në punën shkencore, mungesa e standardeve dhe mekanizmave të vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm, infrastruktura e pakët mbështetëse, rastet e mungesës së transparencës në menaxhimin e fondeve të alokuara nga buxheti i shtetit dhe të ardhurave nga aktiviteti i vetë shkollave të larta, mungesa e sistemeve bashkëkohore të informacionit, konservatorizmi dhe pengimi i përfshirjes në katedra i të rinjve që kanë studjuar në universitete të dëgjuara, kriteret e pa harmonizuara për dhënien e titujve të lartë shkencorë, ç'balancimi mes shkollës publike dhe asaj private, janë dukuri që kanë lëkundur besimin e qytetarëve tek shkolla jonë e lartë, duke sjellë sakrifica pagesash të mëdha për t'u arsimuar jashtë vendit.
Qeveria është e mendimit se duhet t'í njohim e debatojmë hapur e publikisht këto të vërteta, sepse pasojat e tyre janë të pallogaritshme në zhvillimin e ardhshëm të vendit. Gjithkush duhet ta kuptojë qartë, mbi të gjitha mësuesit dhe nxënësit, se çështja e pagave, veçanërisht në arsimin e lartë, është vetëm pjesa e dukshme e problemit, që është shumë më i thellë e më kompleks dhe lipset që të përbejë një nga temat e atij diskutimi të gjerë për të cilin fola më sipër.
Në këtë kuadër, krahas punës së filluar në bashkëpunim me rektoratet dhe trupat e tjera akademike, Qeveria do të krijojë një Komitet Kombëtar të Arsimit të Lartë, të përbërë nga personalitetet më të spikatura shkencore të vendit, që të drejtojë hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të arsimit të lartë dhe të sugjerojë masat më të shpejta që duhen marrë, në bazë të interesave madhore integruese të vendit dhe larg interesave te ngushta të universiteteve apo fakulteteve të veçanta, që shpesh pavarësinë e kanë shndërruar në bunker të mediokritetit dhe pazareve klanore që po e dëmtojnë rëndë cilësinë e mësimdhënies.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Viti 2004 konsolidoi parametrat kryesorë të funksionimit të administratës publike dhe e rriti dukshëm performancën e saj. Administrata publike ndodhet tashmë në një stad të pakthyeshëm reformimi në sajë të këmbënguljes për të zbatuar me korrektesë ligjin e shërbimit civil, duke vendosur procedura transparente rekrutimi, që garantojnë mundësi të barabarta për të gjithë, dhe duke nxitur punësimin e të rinjve, që kanë mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera brenda dhe jashtë vendit. Cdo qytetar që aspiron për t'u futur në administratën civile, ka tani në kohë reale e pa shpenzime të gjithë informacionin e nevojshëm mbi vendet e lira të punës, është i garantuar për mbajtjen e postit të tij dhe është i përfshirë në një proces të vazhdueshëm motivimi financiar. Kjo ka rritur dukshëm interesin për t'u punësuar në administratën publike, veçanërisht tek të rinjtë. Si rezultat, mosha mesatare e aplikantëve në konkurset e vitit 2004 ishte 33 vjeç, 40 nga të punësuarit kishin mbaruar studimet jasht shtetit, nga 13 të tillë në vitin 2003, dhe sot të rinjtë përbëjnë rreth 30% të punonjësve të administratës publike. Në të njëjtën kohë është minimizuar numri i të punësuarve me kontrata pune të përkohëshme, që një vit më parë u evidentua si një mangësi e cila anashkalonte procedurat e shërbimit civil.
Fusha e veprimit të këtij ligji u shtri edhe në sistemin e tatimeve dhe doganave dhe tani po punohet që të njëjtat standarde profesionale dhe etike të arrihen edhe në të gjithë pjesën tjetër të shërbimit civil. Ka filluar, gjthashtu, të zbatohet një plan intensiv trainimi për nëpunësit civilë dhe vetëm gjatë vitit 2004 rezultojnë rreth 2100 nëpunës të trainuar.
Rritja e mëtejshme e efiçiencës së administratës publike kërkon një rishikimi thelbësor të ekzekutivit shqiptar nëpërmjet një procesi të kujdesëshëm analize e ndryshimi funksional e strukturor të institucioneve që e përbëjnë. Qeveria, në vijim të punës së bërë gjatë vitit 2004, është e angazhuar të rikonceptojë institucionet ekzistuese dhe proceset e brendëshme administrative të institucioneve në përputhje me rolin që ato duhet të kenë në këtë stad të ri zhvillimi, të modernizojë sitemin e politikëbërjes, duke shmangur mbivendosjet funksionale ekzistuese, duke caktuar misione e kompetenca të qarta për çdo Ministri, duke thjeshtëzuar strukturat administrative, duke ulur shpenzimet dhe përmirësuar në këtë mënyrë shërbimet. Ky proces, i mbështetur në një qasje të integruar, larg voluntarizmit dhe spekulimit politik, po zbatohet në të gjitha Ministritë dhe institucionet në varësi me linja të qarta koordinimi dhe shkëmbimi informacioni midis tyre. Me finalizimin e këtyre ndërhyrjeve mbyllet cikli i plotë strategjik i reformës së administratës publike, i cili garanton zbatimin e standardeve europiane të menaxhimit publik.
Reformat e thella në administratën publike kanë krijuar mundësi edhe për të realizuar një luftë më frontale kundër korrupsionit. Në konceptimin e Qeverisë që unë drejtoj, kjo luftë nuk mund të matet me deklarata politike apo klasifikime virtuale e të pabazuara shkencërisht, që lëshohen si tollumbace për interesa politike ose klienteliste. Lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet politik, kapacitete institucionale, ligjore e teknike. Kriteri shkencor i vlerësimit të progresit të kësaj lufte është rezultati dhe jo retorika e strategjive apo numri i programeve të inicuara që shpesh mbivendosen.
Përmbysja në perceptimin dhe funksionimin e sistemit doganor është një nga shëmbujt më sintetikë të këtij progresi. Në vitin 2004 nga doganat u arkëtuan 61.6 miliard lekë apo 6 miliard lekë më shumë se një vit më parë. Kjo do të thotë se u siguruan të paktën 11.5% më shumë të ardhura se viti 2003, por rritja reale është shumë më e madhe, (rreth 30%, ose 140 milionë dollarë amerikanë) po të mbahet parasysh efekti negativ i kursit të këmbimit me dollarin. Ky rezultat nuk është aspak i rastit, por pasojë e zbatimit me rigorozitet të masave të rëndësishme që u planifikuan për të përmirësuar këtë sistem të ekspozuar ndaj korrupsionit. Viti 2004 ishte viti i informatizimit dhe automatizimit të procedurave doganore. Për herë të parë u kalua nga sistemet manuale në ato të informatizuara dhe u arrit që rreth 75% e transaksioneve të përpunohen në këtë sistem. Zbatimi me sukses i këtyre masave dëshmon për vullnetin politik të Qeverisë për të luftuar korrupsionin, si dhe për angazhim të plotë të kapaciteteve të saj administrative e teknike për të garantuar rezultatin pozitiv. Në këtë drejtim ne po avancojmë me shpejtësi me pikësynimin që të përfundojmë brenda vitit 2005 informatizimin e plotë të çdo pike kontrolli doganor.
Shprehje e këtij qëndrimi është plotësimi i kuadrit ligjor dhe ngritja pa hezitim e Autoritetit të Konkurencës, me qëllimin e vetëm të luftohen pozitat dominuese në treg, shtrembërimet nga konkurenca e pandershme dhe favorizimet eventuale nga individë në strukturat politike dhe institucionale.
Vendosmëria e Qeverisë për ndërtimin e një shteti funksional shprehet qartë edhe në qëndrimin pa ekuivoke ndaj penaliteteve. Në polici janë ndëshkuar 600 oficerë e policë, nga drejtoria e auditit në Ministrinë e Financave janë dhënë mbi 3500 masa ndëshkimore, administrative apo kallëzime penale. Vlera e penaliteteve të aplikuara është rreth 2.1 miliard lekë, ose 5 herë më shumë se një vit më parë. Janë depozituar në prokurori 76 kallëzime penale për subjekte të ndryshme doganore nga 17 kallzime një vit më parë. Janë në proces 114 praktika hetimore dhe verifikuese që do t'í kalojnë së shpejti prokurorisë për procedim. Janë dërguar për ndjekje penale 33 punonjës doganorë dhe janë marrë masa administrative për 151 punonjës.
Qeveria është e vendosur të luftojë korrupsionin duke zbatuar politika që përmirësojnë qeverisjen dhe forcojnë institucionet. Progresi i deritanishëm i procesit të decentralizimit dhe thellimi i mëtejshëm i tij, në veçanti i decentralizimit fiskal, është një tjetër dëshmi konkrete e kësaj vendosmërie. Përgjegjësitë duhet të shkojnë sa më parë aty ku jepen shërbimet, sepse kjo rrit efiçiencën e tyre dhe e bën më të lehtë kontrollin e publikut mbi to. Një hap i madh përpara u bë në këtë drejtim me vendimet e Qeverisë të muajit shtator 2004 për politikat e decentralizimit në sektorin e arsimit parauniversitar, të kujdesit shëndetësor parësor e ndihmës ekonomike si dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror. Por ne ende nuk jemi të kënaqur dhe do të vazhdojmë ta thellojmë transferimin e përgjegjësive, duke bërë ndryshime thelbësore në rolin dhe peshën specifike të aktorëve qeverisës.
Hapi vendimtar që u hodh para 3 vitesh për decentralizimin fiskal nuk ishte thjesht një vendim politik, por një reformë e studjuar për të mundësuar pavarësinë financiare të autoriteteve vendore dhe luftuar evazionin fiskal. Si rezultat, u bë e mundur që në vitin 2004 të ardhurat vendore të plotësohen në masën 100%, duke zënë 60% të të ardhurave të buxhetit vendor, ndërsa në vitin 2005 njësitë e qeverisjes vendore do të menaxhojnë rreth 300 milion dollarë apo rreth 3.5 herë më shumë se tre vjet më parë.
Shëmbull i qartë i efekteve pozitive të decentralizimit fiskal është Bashkia e Tiranës. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat në vitin 2004 rezultuan rreth 6 herë më të larta se në vitin 2002, kur filloi procesi i decentralizimit fiskal, kryesisht nga rritja e numrit të bizneseve të vogla që paguajnë taksa. Vetëm vitin e fundit, nga puna e përgjegjëshme identifikuese në terren e punonjësve të bashkisë së Tiranës u rregjistruan rreth 2000 biznese shtesë.
Pabarazitë që vihen re në shpenzimet vendore për frymë sipas rretheve, kur vlera maksimale e tyre shkon deri në tri herë më e lartë se ajo minimale, bile edhe më shumë për funksione specifike, veçanërisht për infrastrukturën, bëjnë të domosdoshme rishikimin e formulës së shpërndarjes së grantit në bazë të kushteve të reja të krijuara për çdo komune e bashki nga decentralizimi fiskal. Kjo do të shoqërohet me përfundimin e procesit të inventarizimit dhe transferimit të pronave dhe me transferimin e plotë të funksioneve të shërbimit të kompanive utilitare (ujë-kanalizime), duke i dhënë një zgjidhje optimale çështjes së detyrimeve të mbartura të tyre.
Suksesi i kësaj sfide kombëtare zhvillimi kushtëzohet nga angazhimi i plotë i pushtetit vendor, rritja e kapaciteteve të tij dhe forcimi i bashkëpunimit institucional me pushtetin qëndror. Qeveria do të vazhdojë të financojë projekte të njësive vendore në dobi të rritjes së mirëqënies së komunitetit, por zgjerimi i financimeve të tilla kërkon mobilizimin e të gjitha burimeve, deri në nivel komune e bashkie. Aq e rëndësishme është kjo, sa nëse do të ishte mbledhur e gjithë taksa mbi pasurinë e patundëshme për dy vjet, do të ishin inkasuar dhe investuar në dobi të komuniteteve lokale rreth 50 milion dollarë më shumë.
Gjej rastin t'i ftoj autoritetet e zgjedhura vendore të punojnë së bashku me ne për të forcuar kapacitetet e administrimit financiar dhe pasuror, pasi nuk mund të vazhdohet më me praktikat e deritanishme kur paratë mblidhen nga agjentët tatimorë të strukturave të pushtetit qendëror dhe derdhen në arkat e komunave dhe bashkive për t'u shpenzuar, apo që edhe investimet për projekte të vogla lokale të menaxhohen nga Tirana apo nga njësi menaxhimi jashtë strukturave lokale. Marrja përsipër e këtyre përgjegjësive është plotësisht e mundëshme sepse, në vlerësimin tim, administratat lokale kanë përparim të dukshëm në drejtim të rritjes së kapaciteteve menaxhuese dhe përfshirjes në to të specialistëve më të aftë lokalë.
Të nderuar miq,
Funksionimi i Aparatit Shtetëror është një aspekt tjetër i rëndësishëm që lidhet me efiçiencën e qeverisjes dhe përmbushjen e detyrave të programuara nga Ministritë. Gjatë vitit 2004 Këshilli i Ministrave e ka monitoruar funksionimin administrativ të Ministrive nëpërmjet tre treguesve kryesorë: realizimi i investimeve publike, plotësimi i detyrave të lëna në analizën e vitit 2003 dhe zbatimi i detyrave të përfshira në Matricën e projekt-akteve ligjore e rregulluese. Nga një analizë e veçantë dhe e hollësishme e këtyre treguesve rezulton se plani i investimeve publike është realizuar në masën 90 deri 100% nga shumica e Ministrive. Rezultatet të ulta ne kete drejtim verehen ne Ministrine e Punës dhe e Cështjeve Sociale, e cila ka realizuar rreth 73% të investimeve gjithsej dhe vetëm 16% të investimeve me financim të huaj; Ministria e Rendit Publik, që ka realizuar 78% të investimeve të financuara nga buxheti i shtetit dhe Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, për pjesën e investimeve të programuara nga shoqëritë në sektorin e hidrokarbureve, që është realizuar vetëm 58% dhe më duhet të evidentoj se mosrealizimi është më i lartë se një vit më parë.
Shumica e detyrave konkrete të lëna në analizën e punës së vitit 2003 janë përmbushur nga Ministritë brenda afateve të programuara dhe për to janë marrë tashmë vendimet e duhura. Për çështje të tilla si reforma e institucioneve në vartësi të Ministrive, kalimi i policisë ndërtimore si pjesë e policisë bashkiake etj. Qeveria është në prag të marrjes së këtyre vendimeve. Prapambetje ka në miratimin e projektligjeve për planifikimin urban dhe për urbanistikën, për shkak të moskoordinimit të mjaftueshëm ndërmjet Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor e Decentralizimit.
Megjithë numrin e madh të projekt-akteve ligjore e rregulluese të miratuara këtë vit, që e tejkalon dukshëm Matricën e programuar në fillim të vitit, fakti që rreth 56% e akteve te shqyrtuara nuk kanë qënë programuar më parë dëshmon se në shumë raste stafet e ministrave nuk kanë një vizion të qartë për masat që u paraprijnë reformave. Kjo nxit stilin e punëve të kryera me nxitim, herë-herë të pasakta apo të pjesëshme, që kanë si pasojë amendimin e shpeshtë të akteve dhe kjo shprehet qartë në faktin se amendimet kanë zënë rreth 25 përqind të numrit të akteve të miratuara nga Qeveria.
Gjatë vitit 2005, treguesve të monitorimit të funksionimit administrativ të Ministrive do t'u shtohet edhe treguesi i zbatueshmërisë së akteve, duke shfrytëzuar përvojën e vendeve të përparuara në këtë fushë, sepse prodhimi i bollshëm i tyre nuk ka vlerë pa u shoqëruar me planveprime të detajuara dhe pa vlerësuar ndikimin e tyre në zhvillimin real të vendit dhe në përmirësimin e jetësës së njerëzve.
Në vijim të analizës së këtyre dobësive, Matricat e veprimeve prioritare të vitit 2005 do t'u kthehen menjëherë të gjitha Ministrive për t'u paraqitur brenda datës 10 shkurt të rishikuara e të plotësuara me tregues të matshëm, që lejojnë monitorimin e progresit dhe zbatueshmërinë e tyre.
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Të nderuar të ftuar,
Kjo ishte një pasqyrë e përgjithshme e disa prej çështjeve më kryesore që tërheqin vëmendjen e Qeverisë pas analizave që janë bërë për vitin 2004 dhe sfidat madhore që rrjedhin për vitn 2005 e në vazhdim. Paraqitja e tyre në këtë mbledhje të hapur të Qeverisë për përfaqësuesit e administratës publike qëndrore e lokale, të shoqërisë civile, medias, shoqatave të biznesit, si dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë nuk duhet konsideruar si një analizë përmbyllëse, por mendoj se duhet t'i shërbejë më së miri hapjes së debatit të gjithanshëm për këto çështje madhore të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. Qeveria është e angazhuar ta nisë këtë debat dhe është e vëmendëshme të reagojë pozitivisht e me përgjegjësi ndaj çdo kritike, ideje apo sugjerimi, që i shërben zgjidhjeve sa më të frutshme për të ardhmen.
Me punën dhe rezultatet e këtyre viteve dhe sidomos me progresin gjatë vitit 2004, ne jemi përpjekur të konturojmë një model të ri zhvillimi për vendin. Ky është një model zhvillimi funksionues, që mbështetet në resurse të ekuilibruara dhe jo në eksese voluntariste, spekulative e aventuriste, jashtë programeve të domosdoshme që i shërbejnë integrimit të vendit në strukturat Euroatlantike dhe partneritetit gjithnjë e më të strukturuar me institucionet ndërkombëtare. Ky është një model zhvillimi që përputhet plotësisht me aspiratën europiane të shoqërisë shqiptare. Ky është një model zhvillimi global, që po konkuron me dinjitet me vende që kanë adaptuar po këto principe zhvillimi.
Qeveria ka arritur t'i garantojë këtij zhvillimi një mjedis të sigurtë e të qëndrueshëm politik, ekonomik e social, gjithnjë e më pak të prekshëm nga krimi e nga trafiqet, më pak të cënueshëm nga rreziqet e aventurizmit apo të ekstremizmit shtetëror ose politik në rajon. Kjo shprehet më së miri me progresin e madh të Shqipërisë në çështjet e sigurisë, në afrimin e saj me NATO-n, në marrëdhëniet e shkëlqyera me Bashkimin Europian, me të cilin jemi në prag të finalizimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Në analizën time viti që sapo mbyllëm sheshoi përfundimisht edhe një varg dilemash të krijuara në mënyrë spekulative në lidhje me politikën e jashtme të shtetit tonë. Tashmë politika jonë ndërkombëtare dhe diplomacia janë shkeputur përfundimisht nga çdo lloj ideologjie. Ato vijnë e vijnë e bëhen çdo ditë e më shumë bëshkëkohore, pragmatiste, partneriale, gjithnjë në interes vetëm të Shqipërisë dhe të progresit të saj në rrugën e integrimit euroatlantik. Qendrat botërore të politikëbërjes, siç janë Brukseli dhe Uashingtoni, të cilat përbëjnë dhe thelbin e orientimit tonë të qartë gjeopolitik e vlerësojnë sot Shqipërinë sipas paradigmës së një vendi të moderuar, i cili ka luajtur dhe vijon të luajë një rol konstruktiv, bashkëpunues e bashkëveprues me të gjithë vendet e rajonit, duke u shndërruar në një faktor të qëndrueshëm stabiliteti. Ky nuk është një vlerësim a priori, por një konkluzion logjik i filozofisë dhe praktikës sonë integruese, bashkëpunuese në një sërë nismash rajonale e më gjerë, ku Shqipëria në asnjë rast nuk ka tradhëtuar frymën e dialogut e të mirëkuptimit midis popujve e qytetërimeve.
Vlerësimet për progresin dhe qëndrimet e Shqipërisë janë deklaruar qartë në kontaktet dhe veprimtaritë e shumta dhe gjithnjë e më të shpeshta diplomatike. Ato u rikonfirmuan sërish vetëm pak më parë në takimet e mia me Kancelarin gjerman Shroeder dhe me presidentin francez, zotin Shirak, të cilët na dhanë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Të nderuar pjesëmarrës,
Viti që sapo kemi filluar mbetet një vit shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ndër sfidat më të spikatura të tij, janë pa asnjë dyshim organizimi i zgjedhjeve politike të radhës. Gjatë viteve të qeverisjes sonë ne kemi dëshmuar vendosmërinë dhe përgjegjshmërinë tonë politike dhe institucionale për ringritjen e institucionit të zgjedhjeve, që është institucioni bazë i demokracisë. Tashmë progresi i bërë në këtë drejtim, krahasuar me goditjen vdekjeprurëse që iu dha këtij institucioni në vitin 1996, është evident për gjithsecilin. Vullneti ynë politik dhe ekzekutiv mbetet i palëkundur për ta sjellë përfundimisht këtë institucion në përputhje të plotë me standartet e demokracive më të përparuara në botë. Në përmbushje të detyrimeve tona, unë si kryeministër, përsëris se për ne, socialistët dhe progresistët, standarti i zgjedhjeve është më i rëndësishëm se rezultati i tyre dhe se qeverisja reformatore që unë drejtoj është e aftë dhe e përgatitur të konkurrojë për të fituar edhe standartin edhe rezultatin elektoral.
Duke i vlerësuar këto zgjedhje edhe si një sprovë për procesin tonë të integrimit europian, gjej rastin të theksoj edhe një herë se ky vit do të shënojë edhe përfundimin e negociatave për një marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në. Sot marrëdhëniet tona me këtë partner karakterizohen nga normaliteti dhe partneriteti. Qeveria shqiptare përvec vullnetit të palëkundur politik, ka impenjimin e kërkuar dhe disponon kapacitetet e duhura për të ecur me ritme edhe më të shpejta në këtë proces. Nga faza kur ne ishim vetëm zbatues të detyrave, tashmë kemi hyrë në fazën e një bashkëpunimi dhe dialogu proaktiv. Përpilimi i Dokumentit të Partneritetit Europian ishte prova më e mirë e pjekurisë, seriozitetit dhe largpamësisë angazhuese të punës sonë. Është pikërisht ky marrëdhënie e re cilësore që na bën optimistë për suksesin e këtyre negociatave.
Në përfundim të kësaj analize, unë dëshiroj të ritheksoj se stadi në të cilin ndodhet Shqipëria, ka nevojë për punën e të gjithëve, për kontributet e të gjithëve dhe në këtë këndvështrim unë do të përsërisja domosdoshmërinë e fillimit të një debati të gjerë brenda dhe jashtë institucioneve, të një debati të hapur dhe larg emocioneve të ditës për çështjet sensitive që shtrova dhe që lidhen ngushtësisht me përshpejtimin e ritmeve të afrimit të atdheut tonë të dashur me realitetet euroatlantike.
Ju faleminderit!