'> Grushta e fyerje ne seancën e fundit parlamentare
Seanca e fundit plenare për këtë sesion ka arritur të kalojë vetëm me votat e mazhorancës rishikimin e buxhetit 2010, por duke lënë për muajin shtator draftin e shumëdebatuar dhe të kontestuar të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në këtë mbledhje të fundit, deputetët nuk i kanë shpëtuar përplasjeve fizike të cilat dhe pse kryesisht ishin jashtë fokusit të kamerave, kanë bërë që seanca të degradojë deri në ndërprerjen e saj. Sherri ka nisur gjatë momentit të votimit, kur deputetet e PS i janë drejtuar podiumit te kryetares se kuvendit për t'i kërkuar zbatimin e rregullores së kuvendit, për te garantuar replikën kur përmenden emrat. Por deputeti demokrat Lefter Maliqi ka tensionuar situatën duke qëlluar me grusht deputetin socialist Erion Brace e duke bërë që sherri të precipitojë në përfshirjen e të tjerë deputetëve në këtë konflikt i cili është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes se gardës. Më herët rishikimi i buxhetit është vlerësuar nga kryeministrit Berisha i cili duke mbrojtur shkurtimin e shpenzimeve dhe të ardhurave ka akuzuar PS se po përdorin modele nihiliste kundër rritjes së pagave dhe pensioneve. Por kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci duke i kujtuar kryeministrit se e ka zhytur vendin në krizë ekonomike dhe politike, shtoi se Shqipëria po keqqeveriset për shkak të korrupsionit qeveritar. Kryeministri ka shkëmbyer replika edhe me shumë deputete të PS kur këtyre të fundit u ka kujtuar vlerësimet e kryetarit të PS për mbajtjet e fjalimeve gjatë seancave parlamentare. Kështu seanca e fundit për këtë sesion nuk ka përfshirë ligjin e SHISH që mesa duket se bashku me krizën politike do të rifillojë të diskutohet në Shtator, duke i lënë hapësirë te gjithë deputeteve te kalojnë një periudhe paqeje ne kohen e pushimeve.