E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhi Zeka futbollisti më i mirë i vitit-2006

Në hotelin "Grand" në Prishtinë, Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur manifestimin e shpalljes së "Laureatëve të Vitit – 2006". Fillimisht të pranishmit kanë pasur rast që nëpërmjet videoprojektorit të shohin një kronologji të shkurt të ngjarjeve kryesore, të cilat shënuan vitin 2006 në futbollin e Kosovës, të përgatitur nga redaksia e sportit e RTV 21.
Më pas të pranishmit i përshendeti kryetari i FFK-së, Sabri Hashani: "Pas 15 vjetësh të mbijetesës së sportit kosovar, pranimi në familjen e madhe evropiane të futbollit nuk është më ideal, por gjë e cila pritet dhe do të ndodh së shpejti, prandaj secili prej nesh kemi përgjegjësi para këtij akti aq të pritur. Futbollistët tanë, trajnerët dhe të gjithë punëtorët sportiv, e sidomos sponsorët e klubeve e kanë dhënë provimin e tyre historik, duke mbajtur gjallë dhe zhvilluar futbollin në Kosovë, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Laureatët e këtij viti janë fryt i vetëdijesimit të klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe i të gjithë punëtorëve sportivë, të cilët mendojnë dhe veprojnë për të mirën e futbollit të Kosovës dhe sportit në përgjithësi. Pa dyshim, është kënaqësi e posaqme t'i nderojmë më të mirët e këtij viti, të cilët kanë nderuar klubin e tyre, shokët dhe futbollin kosovar në përgjithësi", ka theksuar ndër të tjera në fillim të këtij manifestimi kryetari Hashani. Epiteti i futbollistit më të mirë për vitin 2006 në bazë të votave të trajnerëve të Superligës, por i verifikuar edhe nga Komisioni treanëtarësh në përbërje: Haki Demolli, Agim Maloku dhe Hysen Gashi, i takoi futbollistit të Besës së Pejës, Haxhi Zeka. Ndërkohë, klubi më i suksesshëm u shpall KF "Prishtina" (fituese e Kupës së Kosovës, Superkupës dhe kampione e stinorit vjeshtor), epiteti i trajnerit më të mirë i takoi Genc Hoxhës (KF "Besa"), gjyqtari kryesor më i mirë u shpall Përparim Hasani, kurse asistenti më i mirë Fatmir Agërbashi, derisa epiteti i punëtorit më të dalluar sportiv i takoi kryetarit të KF "Prishtina", Remzi Ejupi. Me mirënjohje të vecantë për kontributin e cmuar për futbollin e Kosovës është nderuar bashkëpuntori i jashtëm i FFK-së, Albert Bunjaku (Suedi).

Dhjetë futbollistët më të dalluar të vitit 2006
1.Haxhi Zeka (Besa)
2.Mensur Duraku (Besa)
3.Elvis Osmani (Trepca'89)
4.Uliks Emra (Prishtina)
5.Benis Krasniqi (Trepca)
6.Ahmet Jonuzi (Kosova V.)
7.Emin Baliqi (Prishtina)
8.Berat Hyseni (Flamurtari)
9.Arben Zhjeci (Prishtina)
10.Valmir Bytyci (Shqiponja)

Deklaruan për ffk-kosova.com
Haxhi Zeka: Ndjehem pak i emocionuar pas marrjes së këtij cmimi. Për mua është një sukses i madh që në karrierën time u shpalla futbollist i vitit në Kosovë. Mendoj që këtë epitet e kam fituar me meritë. Ky është një sukses edhe i klubit Besa. i falenderoj bashkëlojtarët e mi, të cilët kanë kontribuar në sukseset e mia.

Mensur Duraku: Ndjehem mirë, sikur ta kisha fituar epitetin e më të mirit. Unë kam respekt të madh për Haxhi Zekën dhe mendoj që ai me meritë e ka fituar këtë cmim. Për mua ka qenë nder që isha në mesin e 10 futbollistëve më të mirë dhe që isha në pozitën e dytë në këtë shpallje.

Marre nga ffk-kosova.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›