Goudjabi: “Goli, dhuratë për Krishtlindje për tifozët e Dinamos”

Albania Sport (AS) - Senegalezi El-Hadji Goudjabi shënoi golin e barazimit 1-1 për Dinamon në fitoren me Elbasanin (2-1) në ndeshjen e vlefshme për javën e 17 të Kategorisë Superiore të kampionatit shqiptar të futbollit. Sulmuesi më i mirë i Dinamos gjatë sezonit të kaluar (16 gola) ekskluzivisht për "Albania-Sport" pohoi: "Goli në të vertetë nuk më takon vetëm mua. Unë do ta konsideroja një dhuratë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri për mbështetësit e Dinamos, por dhe një sinjal për vitin që do të vijë. Së bashku me Diop do ta kalojmë në Shqipëri Vitin e Ri dhe kjo është gjëja më e bukur për ne të dy. Një transferim i mundshëm te Besa në merkaton e janarit? Nuk ka shumë gjera të vërteta, por dua të them se kam disa oferta, por ajo që dëshiroj është respektimi i kontratës me Dinamon. Katër gola, shumë pak? Shpresoj se do të shënoj më shumë se vitin e kaluar".