E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Shehu: “Harrojini lojtarë si unë e Millo”

Nga Fatjon Kodra

Gati 22 vjet më parë, një talenti i ri me emrin Ylli Shehu shpërtheu te Partizani i drejtuar nga bejkush Birce, duke u bërë më pas një sulmuesit më të mirë të historisë së Shqipërisë. Ndonëse në moshë të re, ai do të bëhej një nga lojtarët kyc të Partizanit, që do të kalonte atëherë vite të arta në kampionatin shqiptar dhe kupat e Evropës. "Isha vetëm 16 vjec kur debutova në ekipin e parë në një ndeshje ndaj Naftëtarit në sezonin 1984-85. Ishte periudha kur trajneri Bejkush Birce kishte përjashtuar disa lojtarë nga ekipi i parë. M'u dha shansi dhe e shfrytëzova sic duhet", - tregon pas kaq kohësh. Për gjashtë vjet me radhë do të ishte mes dy prej golashënuesve më të mirë të kampionatit, pasi do të luante përkrah lojtarëve si Ocelli, Millo, Kushta apo edhe të tjerë. Në sezonin 1986-87, Ylli Shehu do të fitonte me Partizanin kampionatin e parë, në drejtimin e trajnerit Neptun Bajko, i cili kishte luksin e të pasurit nën urdhra një brez të shkëlqyer. Më pas, vjen dhe kombëtarja, ku ai u paraqit gjithashtu shumë mirë, por një dëmtim i rëndë do ta shkëpuste për dy vjet, duke ia ndalur vrullin. Ylli Shehu e jep me kënaqësi një mendim për kuqezinjtë e sotëm dhe problemet që kanë aktualisht. "E ndjek rregullisht kombëtaren dhe mendoj se ka një ekip shumë të mirë, - thotë në fillim Shehu. – Në fakt, nuk është se kemi vuajtur ndonjë herë për individë, kemi pasur gjithmonë lojtarë të talentuar, mirëpo problemi më i madh është se futbolli është një sport ku luhet në grup. Duhet të spikasë loja kolektive dhe jo individualitetet". Kur pyetet nëse mund të bëjë krahasime me lojtarët aktualë të kombëtares ma ato të kalibrit të brezit të artë, kur ai luante futboll, Ylli Shehu nxiton të shtojë se sot nuk ka lojtarë të tillë. "Nuk do të ketë sot lojtarë si Ylli Shehu apo Lefter Millo, harrojini. Mendoj se cdo lojtar është i vecantë në llojin e tij dhe nuk mund të ketë lojtarë të ngjashëm, - vijon legjenda e futbollit shqiptar. – Përvec kësaj, unë jam i mendimit se nuk mund të bëhen krahasime mes lojtarëve në kohe të ndryshme. Futbolli ka ndryshuar shumë dhe lojtarët i përshtaten kohës, kështu që për mendimi tim është e kotë të thuash se X lojtar ngjan shumë me këtë apo atë lojtarë që ka luajtur para 20 vitesh. Nuk mund të ketë ngjashmëri" – thotë Shehu. Defektet kuqezi Ajo që konstaton sot Ylli Shehu për kombëtaren në rolin e një specialisti është se ndëshkohemi gjithmonë nga gabime, ndonëse bëjnë një lojë të mirë. "Është pikërisht kjo gjë që më bën shumë përshtypje. Më duket sikur kombëtares i ka ngecur ora, bëhen akoma ato gabim si 10 apo 15 vjet më parë, - thotë me keqardhje Shehu. – Bëjmë volum, luajmë mirë dhe kur vjen puna e lëshojmë gjithcka në minutat e fundit, duke bërë gabime. Është e pafalshme që sot e kësaj dite të bëhen të tilla gabime, pasi të gjithë lojtarët luajnë jashtë dhe kanë shumë eksperiencë", - shton ish-futbollisti i njohur i kombëtares. Për sa i përket sulmuesve aktualë, Shehu flet me superlativa, duke vecuar vetëm Kapllanin. "kemi sulmues shumë të mirë, Bogdani dhe Tare janë shumë të mirë në ajër dhe mjaft të vlefshëm për skuadrën, - thotë Shehu. – Ndërsa Bogdani është shumë finok para portës dhe gjithashtu i mirë në ajër, aty ku unë gjithmonë kam caluar. Ka qenë pika ime e dobët", - përfundon legjenda e futbollit shqiptar. Karriera Dëmtimi në ‘90-n dhe aventura jashtë Shqipërisë Në vitin 1990, Ylli Shehu do të kalonte një periudhë mjaft të errët të karrierës së tij, pasi do të pësonte një dëmtim të rëndë, ndërkohë që ishte në një formë shumë të mirë. Për të vazhduar karrierën u nis menjëherë drejt Greqisë me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit. "U operova te doktori i Panathinaikosit në vitin 1990 dhe kjo mu bë e mundur nga drejtuesit e FSHF-së, - tregon Shehu. – Mu deshën dy vjet për të rikuperuar dëmtimin dhe më pas u ktheva te Partizani, ku në sezonin 1992-93 fitova dhe titullin kampion". Më pas menjëherë kalimi në Greqi te Apolloni i Athinës, ku kaloi një sezon të mirë. "Në sezonin 1994-5 kalova në Kroaci me skuadrën e Shibenikut, ku qëndrova gjithashtu një sezon shumë të mirë, për t'u transferuar në Belgjikë me skuadrën e Cercle Bryzh", tregon Shehu. Sërish një sezon më vonë ndërron skuadër, për t'u kthyer te Shibeniku. Sezoni i tij i fundit në futbollin aktiv do të ishte ai 2000-2001 në kampionatin e Bosnje Hercegovinës. Më pas var këpucët në gozhdë. Më ‘95, divorci kuqezi për shkak të klubit Ylli Shehu është "divorcuar" me kombëtaren në sezonin 1994-95, kur aktivizohej me skuadrën e Shibenikut në ligën e parë të Kroacisë. Shkaku ishte se ai nuk mund t'i përgjigjej thirrjes, duke qenë se i duheshin tri ditë për të adhur në Shqipëri. Kësisoj, bëri një zgjedhje të rëndësishme, e cila në ato kushte ishte më e duhura për të. "U detyrova të largohesha nga kombëtarja në vitin 1995, kur unë aktivizohesha në ligën e parë të Kroacisë te skuadra e Shibenikut bashkë edhe me Eduard Abazin, - tregon Ylli Shehu për atë sezon vendimtar për të. – Isha në një formë shumë të mirë. Për ta ardhur në Shqipëri nga Kroacia më duheshin tri ditë, duke qenë se duhet të udhëtoja me traget. Nga Serbia nuk kaloja dot në atë periudhë. Më vinte shumë keq, por nuk kisha c'të bëja dhe zgjodha klubin para kombëtares. Ia bërë të qartë drejtuesve të FSHF-së arsyet dhe ata më kuptuan", - tregon Ylli Shehu, i cili ka pasur një karrierë mjaft të pasur me klubet jashtë Shqipërisë. Aktualisht pa punë Aktualisht, legjenda e futbollit shqiptar është i papunë, pasi u largua nga Tomorri vetëm pak javë më parë. "më është bërë një ofertë te Partizani për ekipet e moshave, por kam dëshirë të provojë një ekipe të Kategorisë Superiore ose Kategorisë së Parë. Te Partizani do të ktheheshe vetëm me skuadrën e parë, ndoshta edhe si asistent", - u shpreh Shehu. Rekordi i golave Në vitin 1994 ka pasur edhe kulmin e karrierës së tij si golashënues në Kroaci. "Arrita të shënoja 22 gola, duke u renditur i dyti si golashënues me Shibenikun në Kroaci. Nëse do të kisha gjuajtur dhe penalltitë dhe të arrijë shifrën 30 gola. Ky ka qenë rekordi im, në Shqipëri s'kam bërë më shumë se 15-16 gola", - thotë Shehu. 16 vjec Ka qenë Ylli Shehu kur debutoi me ekipin e parë të Partizanit në një ndeshje zyrtare në kampionat në sezonin 1984-85. Atëherë trajner i ekipit të parë të skuadrës së kuqe ishte Bejkush Birce. 5 skuadra Ka pasur gjatë karrierës së tij të gjatë Ylli Shehu. Ai e nisi me karrierën me Partizanin, më pas Greqi me Apollon Athinë, Kroaci me Shibenik, Belgjikë me Cercle Bryzh dhe një skuadër bosnjake.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›