-Konferencë për shtyp e Zëdhënësit të Kryeministrit, z.Aldrin Dalipi- Kryeministri Fatos Nano në krye të një delegacioni do të nisë nesër një tur takimesh zyrtare jashtë vendit dhe pÃ

-Konferencë për shtyp e Zëdhënësit të Kryeministrit, z.Aldrin Dalipi-
Kryeministri Fatos Nano në krye të një delegacioni do të nisë nesër një tur takimesh zyrtare jashtë vendit dhe përkatësisht në Bullgari, Rumani, dhe Poloni. Kryeministri do të shoqërohet në këtë veprimtari nga rreth 40 përfaqësues të bisnesit shqiptar.
Në këto vizita, të cilat do të zhvillohen nga data 17 deri më 21 Nëntor, Kryeministri do të takohet me autoritetet më të larta të vendeve përkatëse. I ftuar nga Kryeministri i Bullgarisë, SaksoBurgovski, përveç takimeve me homologun e tij, zoti Nano do të takohet edhe me Presidentin Pervanov dhe Kryetarin e Parlamentit Bullgar, si dhe do të nënshkruhet një marrëveshje në fushën e ndihmës juridike. Gjatë vizitës në Bukuresht, me ftesë të Kryeministrit të Rumanisë, Adrian Nastase, do të zhvillohen takime me një numër autoritetesh të larta të këtij vendi, si dhe do të nënshkruhen tre marrëveshje të rëndësishme në fushën e Mbrojtjes, Shëndetësisë dhe Dogana. Kryeministri do të marrë pjesë gjithashtu në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të Vendeve të Nismës së Europës Qendrore në Poloni, që zhvillohet më 20-21 Nëntor.
Gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë në të dy vendet, Bullgari dhe Rumani, vëmendja do të fokusohet në një analizë të marrëdhënieve dypalëshe që nga vizitat e zhvilluara në fillim të vitit nga Kryeministri Bullgar dhe ai Rumun në vendin tonë, ndërsa do të përcaktohen axhendat dhe objektivat për intensifikimin e bashkëpunimit për vitin 2004 e më tej, në fusha të ndryshme me interes të ndërsjelltë. Inisiativat Rajonale dhe çështja e integrimit do të jenë një pikë tjetër e bisedimeve ku, në veçanti, do të diskutohet propozimi i Kryeministrit Nano për hapat drejt konkretizimit të një "Shengeni Ballkanik", e cila do të nxiste lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve, etj.
Gjithashtu, në Bullgari dhe Rumani, do të zhvillohen "Forume Bilaterale Ekonomike" ku përfaqësues të komuniteteve të biznesit nga Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania do të diskutojnë për identifikimin e rrugëve konkrete të bashkëpunimit, për integrimin e tregjeve dhe sipërmarrjes me vendet respektive.
Gjatë vizitës së tij në Poloni, me rastin e Samitit të Kryetarëve të Qeverive të Europës Qendrore, Kryeministri do të takohet dhe do të shkëmbejë mendime me homologë të tij, si dhe do të mbajë një fjalë për rolin e Shqipërisë në zhvillimin e mëtejshëm të programeve të kësaj Nisme. Kryeministri do të pritet në takime të veçanta nga personalitetet më të larta të Polonisë.
Pyetje: A do të lërë përfaqësues zoti Nano për të vazhduar negociatat?
Përgjigje: Nuk besoj se është çështje kryesore se cili do të përfaqësojë kë. Kryeministri dhe Kryetari i PS ka dëshmuar në 12 vjet se ka vullnetin e plotë për të nxitur dialogun brenda kësaj partie. Por në çdo rast, Kryeministri ka deklaruar se asnjë takim informal, asnjë tavolinë konsultimesh, nuk mund të zëvendësojë strukturat legale, përfaqësuese, të zgjedhura të Partisë Socialiste. Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste garanton se nuk do të lejojë as pazare për karrige, as fraksione dhe grupime për pushtet, as flirte të tyre me opozitën për të delegjitimuar maxhorancën socialiste dhe progresiste.
Pyetje: Kjo do të thotë që bisedimet do të vazhdojnë në forumet e partisë?
Përgjigje: Unë besoj se u shpreha qartë për këtë çështje. Faleminderit.