-Kryeministri Fatos Nano takohet me personalitete të larta ndërkombëtare me të cilët vlerëson rolin e z. Gjingjiç si promotor të reformave integruese - Kryeministri Fatos Nano mori pjesë
-Kryeministri Fatos Nano takohet me personalitete të larta ndërkombëtare me të cilët vlerëson rolin e z. Gjingjiç si promotor të reformave integruese -
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e varrimit, në Beograd, të Kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç.
Përkrah udhëheqësve dhe personaliteteve të lartë të shteteve të tjera, të pranishëm në përcjelljen e fundit të Kryeministrit reformator serb, Kryeministri Nano zhvilloi homazhe para trupit të pajetë të Zoran Gjingjiç, të vendosur në Kishën Shën Sava dhe më pas, në ceremoninë e varrimit, të zhvilluar me nderime ushtarake, në të ashtuquajturën Rruga e Njerëzve të Mëdhenj, në Varrezat e Reja, në Beograd.
Në emër të shtetit dhe të popullit shqiptar, Kryeministri Nano,
vendosi edhe një kurorë me lule.
Kryeministri Nano, mbërriti në aeroportin e Beogradit rreth orës 9.00 të paradides, ku u prit në aeroport nga përfaqësues të qeverisë serbe dhe më pas u drejtua për në Pallatin Presidencial, ku u prit në një takim të veçantë për rreth 30 minuta, nga Presidenti i Shtetit Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviç.
Në Pallatin Presidencial, Kryeministri Fatos Nano u takua edhe me personalitete të tjera të shteteve që merrnin pjesë në këtë ceremoni mortore. Në këto takime u vlerësua "roli i pazëvendësueshëm" i Kryeministrit Serb, Zoran Gjingjiç, si "promotor i reformave, i zhvillimeve demokratike në vendin e tij dhe i politikave bashkëpunuese mes vendeve të rajonit, në forcim të proceseve integruese euroatlantike".
Kryeministri Fatos Nano u takua me Kryeministrin e Maqedonisë, Branko Cervenkovski, Kryeministrin e Kroacisë, Ivica Racan, Kryeministrin e Rumanisë, Adrian Nastase, Presidentin e Bullgarisë, Georgi Parvanov, Ministren e Deleguar përÇështjet Europiane të Francës, Noëll Lenoir, me Ministrin e Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer, si dhe me Kryeadministratorin e Kombeve te Bashkuara ne Kosove, Mikael Shtajner, etj.
Po ashtu, Kryeministri Nano u takua edhe me Presidentin e radhës së Bashkimit Europian, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreu, me Kryetarin e Parlamentit Italian, Pjer Ferdinando Cazini, me Presidentin e Komisionit Europian, Romano Prodi, ish Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Robin Cook dhe të tjerë personalitete ndërkombëtare.
Në këto takime, Kryeministri Nano shprehu mbështetjen e Shqipërisë, për "nxitjen e reformave dhe zhvillimeve në shtetin Serbi Mali i Zi dhe konfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm që ndihmon integrimin e përbashkët, si dhe nxitjen e iniciativave të përbashkëta, në luftën kundër krimit të organizuar".
Prezenca e Kryeministrit shqiptar Fatos Nano, si përfaqësues i Shqipërisë, në këtë ditë të veshtirë për Shtetin Serbi-Mal i Zi, u prit me respekt. Shqipëria në këto momente jep mesazhin e qartë për bashkëpunim dhe për forcim të përpjekjeve të përbashkëta për stabilitet dhe paqe në rajon dhe për tu orjentuar vetëm nga e ardhmja, duke lënë pas të kaluarën.