E Shtunë, 31 Tetor 2026

... Me tren drejt Çeçenisë së “paqtë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Moskë – Treni Moskë-Grozni lë përfundimisht stacionin e trenit të Kazanit për tu nisur nga Moska në orën 14:37. Në kabinën time të ngrohur me qymyrgur ndodhet një krevat marinari, ndërsa në klasin e tretë ndodhen rreth 50 pasagjerë. Për 43 orët e ardhshme unë do të ndaj dyshekun tim me plisa me xhaketën time, ndërsa dikush tjetër ka futur mes këmbëve të mia një çantë kampingu prej doku, të cilën do të më duhet ta duroj gjatë gjithë udhëtimit dyditor. Shoh një djalë adoleshent që përpiqet të ngjitet në krevatin e tij të marinarit, por që nuk e arrin, edhe pse përdor çantën e tij të kampingut dhe treni lëkundet sa majtas djathtas duke ia vështirësuar misionin. Sytë më shkojnë tek një kopje e “Haxhi Muratit,” tek novela e shkurtër që shkrimtari i njohur rus, Lev Tolstoi, e shkroi më 1905-n për trupat ruse që luftonin trupat çeçene separatiste. Dhe unë i jam drejtuar një fushëbeteje po kaq të vjetër. Akoma më e rëndësishme, poshtë dyshekut tim kam vendosur portofolin dhe bllokun e shënimeve, së bashku me një aparat fotografik, kamerën dhe një regjistrues. I mbaj të fshehura këto sendet e fundit që të mos dallohem se në tren ndodhem për qëllime gazetareske. Vitin e shkuar Rusia tërhoqi shumicën e trupave të saj nga Çeçenia dhe deklaroi se lufta 15-vjeçare kundër separatistëve çeçenë kishte përfunduar. Tani një tjetër luftë po zhvillohet në republikë, një fushatë arrestimesh arbitrare, torturash dhe ekzekutimesh nga komandot paraushtarake besnike të presidentit çeçen, Ramzan Kadirov. Për të parandaluar që përplasjet të kalojnë kufijtë çeçenë, qeveria e Kadirovit i frikëson gazetarët, të cilët përpiqen të pasqyrojnë dhunimet e të drejtave të njeriut. Kolegët e mi në Rusi më thonë se, nëse forcat çeçene të sigurisë do të zbulojnë se unë ndodhem këtu për këtë qëllim, ato do të bëjnë të pamundurën për të më penguar që të intervistoj disa nga viktimat e saj. “Dhe kjo është e keqja që mund të ndodhë”? - pyes unë. Si përgjigje, mikesha ime tund kokën e saj në një mënyrë që më kujton një situatë të pakëndshme. Gazetarja më e famshme që është dënuar për shkak se ka raportuar nga Çeçenia ishte Ana Politkovskaja. Ajo u gjet e vdekur në ashensorin e apartamentit të saj në Moskë në vitin 2006. Kjo është ajo që ndodh, nëse regjimi me dorë të hekurt i Kadirovit tentohet të kritikohet. Korrikun e shkuar, Natalia Estemirova, një kërkuese e njohur çeçene e grupit të të drejtave ruse të njeriut, “Memorial”, u rrëmbye në Çeçeni, u qëllua dy herë në kokë, mënyrë tipike e një ekzekutimi, dhe u hodh në anë të një rruge. Një nga koleget e saj më thotë se dhjetëra punonjës çeçenë të të drejtave të njeriut, kritikë të qeverisë, ish-rebelë dhe qytetarë të zakonshëm civilë, që nuk kuptohet se ku kanë gabuar, zhduken në mënyrë të pashpjegueshme çdo javë.

Moskë—Mozdok-Rostov-Grozni

Gjatë udhëtimit në fushat e pafundme të Rusisë pasagjerët nisin dhe hapin ushqimet e tyre të para. Fruta të thata, fara luledielli dhe duke u mbllaçitur përpiqen të zgjidhin problemet e jetës dhe pengesat e saj. Pa pyetur, kuptoj se dy vajza të reja që i hipin trenit në Rostov, janë kushërira dhe udhëtojnë për të qenë të pranishme në varrimin e gjyshit të tyre në Grozni. Aftësia e këtyre vëzhgimeve vjen me përvojën. Pas mbërritjes në Grozni, qyteti duket sikur nuk ka pasur kurrë luftë. Përpara të shfaqet një ndërtesë me tulla të kuqe në ndërtim dhe disa restorante. Por ndërsa hyn brenda në qytetet, shikon krateret e thella që nuk e gënjejnë të tashmen për plagët e së shkuarës. Pavarësisht, ringjalljes së kryeqytetit çeçen, një pjesë e mirë e qytetit mbetet ende një varr masiv.

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›