E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA, 600 mijë euro për klubet shqiptareKupat e Evropës/ Zbardhet lista e shpërblimeve që përfitojnë skuadrat tona. Tirana, mbretëresha e përfitimeve. Në arkat e bardhebluve përfundojnë 330 mijë €

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Klubet shqiptare, pjesëmarrëse në Kupat e Evropës, do të marrin gjithsej këtë sezon nga UEFA një shumë prej 600 mijë eurosh. Tirana, (Champions), Flamurtari, Vllaznia dhe Dinamo (Liga e Evropës) do të kenë premio të konsiderueshme nga UEFA për pjesëmarrjen në kompeticionet që organizon shtëpia evropiane e futbollit. Padyshim që kampionia e Shqipërisë, Tirana, është klubi që përfiton më shumë të ardhura.

Diferencat

Tirana do të marrë gjithsej 330 mijë euro shpërblim nga UEFA. Sipas rregullave të këtij institucioni, klubi bardheblu merr 200 mijë euro për faktin që është shpallur kampion i vendit, ndërsa 130 mijë euro i merr për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Flamurtari, Vllaznia dhe Dinamo, pjesëmarrëse në Ligën e Evropës (deri vitin e kaluar Kupa UEFA), përfitojnë secila nga 90 mijë euro për faktin që do të marrin pjesë në këtë kompeticion. Skuadra vlonjate merr pjesë direkt në turin e dytë të Ligës së Evropës, pasi është fituesja e Kupës së Shqipërisë, por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me të ardhurat financiare. Plusi i vetëm i kuqezinjve është që arrijnë të shmangin ndeshjen e turit të parë.

Mundësitë për më shumë

Tirana për çdo tur që do të kalojë, do të ketë mundësi që të përfitojë një shumë prej 130 mijë eurosh. E njëjta gjë vlen edhe për klubet pjesëmarrëse në Ligën e Evropës. Flamurtari, Vllaznia apo Dinamo, për çdo tur kualifikues, nëse arrijnë të kalojnë, marrin shpërblim plot 90 mijë euro. Diferenca mes dy kompeticioneve është se nëse Tirana arrin deri në ndeshjet “play-off”, ku garohet për të marrë pjesë në fazën në grupe, shpërblehet me një shumë prej 2.1 milionë eurosh dhe nëse arrin t’ia dalë mbanë, pra të sigurojë hyrjen në fazën në grupe, përfiton një shumë marramendëse prej 7.1 milionë eurosh. Në Ligën e Evropës këto shuma janë ndjeshëm më të ulëta. Nëse një nga skuadrat shqiptare arrin në “play-off” përfiton vetëm 90 mijë euro, ndërsa nëse siguron pjesëmarrjen në fazën në grupe, shuma që përfiton është 1 milion euro. Më pas, për çdo sukses të arritur, shumat e parave, duke marrë parasysh edhe gjendjen financiare të klubeve shqiptare, janë marramendëse.

Shpërndarja

Sipas rregullores së UEFA-s, klubet nuk i përfitojnë këto para menjëherë, pasi fondi për dhënien e premiove jepet gjithnjë në fund të edicionit. Kjo do të thotë se klubet shqiptare do t’i marrin paratë në fund të sezonit të ardhshëm. Deri vitin e kaluar, shpërblimet llogariteshin në franga zvicerane, ndërsa këtë herë këto premio janë konvertuar në euro.

E kaluara
UEFA ka rritur shpërblimet për skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet evropiane. Sezonin e kaluar çdo ekip kampion  përfitonte 150 mijë euro dhe gjithashtu merrte edhe 80 mijë euro shpërblim, ndërsa këtë sezon skuadra kampione përfiton 200 mijë euro për faktin se ka fituar titullin dhe 130 mijë euro për pjesëmarrjen në Champions. Pjesëmarrëset në Kupën UEFA merrnin 70 mijë euro, ndërsa tani përfitojnë 90 mijë euro.

Shorti
Turi i Parë
Hedhja e shortit: 22 qershor 2009
Ndeshjet e para: 2 korrik 2009
Ndeshjet e kthimit: 9 korrik 2009

Turi i dytë
Hedhja e shortit: 22 qershor 2009
Ndeshjet e para: 16 korrik 2009
Ndeshjet e kthimit: 23 korrik 2009

Liga e Evropës, rreziku nga skandinavet

Nuk do të jetë aspak i lehtë shorti për skuadrat shqiptare, si për Vllazninë e Dinamon, që do ta nisin aventurën e tyre nga turi i parë, edhe për Flamurtarin, që do ta nisë nga turi i dytë. Rreziku kryesor vjen nga skuadrat skandinave. Rozenborgu, Helsingborgu, Randers, por edhe qipriotët e Anorthosis Famagusta të Arian Beqajt janë skuadrat, për të cilat do urohej që të evitoheshin. Ndërkaq, vlonjatët mund t’i gëzohen faktit se e nisin nga turi i dytë aventurën, por realisht ata janë edhe më të rrezikuarit në shortin që do të hidhet më 22 qershor. Përballë tyre do të jenë në një vazo skuadra si: Steaua e Bukureshtit, Bazeli i Zvicrës, turqit e Gallatasarajit, Aalborg, serbët e Cërvena Zvezda-s, Brondbi, Metalurg Donjetck, Rapidi i Vjenës, NAC Breda, Larisa e deri te austriakët e Shturm Graci.

0
Asnjë nga klubet shqiptare nuk ka mundur që të sigurojë kualifikimin në fazën në grupe gjatë 20 viteve të fundit. Drejtuesit e Tiranës kanë premtuar se do të bëjnë të pamundurën për të formuar një ekip që ta realizojë këtë objektiv. 

Shpërblimet për Ligën e
Kampioneve 2009/2010

Ekipi kampion: 200.000 €
Turi i parë kualifikues: 130.000 €
Turi i dytë kualifikues: 130.000 €
Turi i tretë kualifikues: 130.000 €
“Play-off”: 2.100.000 €
Pjesëmarrja në grupe: 7.100.000 €
Fitorja në grup: 800.000 €
Barazimi në grup: 400.000 €
Eliminimi direkt: 3.000.000 €
Arritja në çerekfinale: 3.300.000 €
Arritja në gjysmë-finale: 4.200.000 €
Arritja në finale: 5.500.000 €
Fituesja e finales: 3.500.000 €

Shpërblimet për Ligën
e Evropës 2009/2010:

Turi i parë kualifikues: 90.000 €
Turi i dytë kualifikues: 90.000 €
Turi i tretë kualifikues: 90.000 €
“Play-off”: 90.000 €
Pjesëmarrja në grupe: 1.000.000 €
Fitorja në grup: 140.000 €
Barazimi në grup: 70.000 €
Faza e parë me eliminim direkt: 200.000 €
Faza e dytë me eliminim direkt: 300.000 €
Arritja në çerekfinale: 400.000 €
Arritja në gjysmëfinale: 700.000 €
Arritja në finale: 2.000.000 €
Fituesja e finales: 1.000.000 €

E Marte, 16 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›