Urdher për krijimin e forcës, për drejtimin dhe monitorimin e reformës rregullatore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit
URDHËR
Për krijimin e forcës, për drejtimin dhe monitorimin e reformës rregullatore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës,
URDHËROJ:
1. Krijimin e Task Forcës, për drejtimin dhe monitorimin e zbatimit të reformës rregullatore, për përmirësimin e klimës së biznesit, me këtë përbërje:
• Kryeministri kryetar;
• Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës anëtar;
• Ministri i Financave anëtar;
• Ministri i Punëve Publike, Transportit
dhe Telekomunikacionit anëtar;
• Ministri i Drejtësisë anëtar;
• Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit anëtar.
2. Misioni dhe funksionet e Task Forcës janë:
i. Përcakton përparësitë e qeverisë, në kuadër të reformës rregullatore, për përmirësimin e klimës së biznesit;
ii. Miraton planet e masave parësore për heqjen e pengesave administrative të biznesit, në përputhje me rekomandimet e raportit të vetvlerësimit, të kryer nga institucionet publike;
iii.Monitoron punën e grupeve teknike, sipas fushave parësore, me objektiv finalizimin e planeve përkatëse të masave;
iv. Mbikqyr zbatimin e reformës rregullatore dhe vlerëson impaktin e politikave të zbatuara.
3. Task Forca mblidhet një herë në tri muaj ose më kërkesë të kryetarit.
4. Struktura përgjegjëse për ndjekjen e zbatimit të kësaj reforme është Minstria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Funksionet dhe roli i saj janë:
i. Ndjek, në mënyrë të vazhdueshme, zbatimin e reformës, në përputhje me përparësitë dhe masat e përcaktuara nga Task Forca;
ii.Drejton procesin e hartimit të planeve të masave të reformës rregullatore dhe përgatit planet finale, në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Task Forcës;
iii.Raporton pranë Task Forcës, nëpërmjet ministrit të saj, për ecurinë e reformës, problematikat e hasura dhe masat e marrë për zgjidhjen e tyre. Njëkohësisht garanton vënien në dijeni, në kohë, të të gjithë donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare për ecurinë e reformës rregullatore në Shqipëri;
iv. Drejton procesin e vlerësimit të impaktit të reformës rregullatore, në përputhje me periudhat e përcaktuara nga Task Forca, si dhe përgatit raportin dhe rekomandimet përkatëse për të ndërhyrë në politikat e ndërmarra;
v.Garanton këshillin periodik me komunitetin e biznesit, për të thithur mendimet dhe sugjerimet e tij për reformën;
vi.Përgatit modelin dhe udhëzuesin për hapjen e zyrave të informimit, si pjesë integrale e reformës dhe për të rritur transparencën në informim. Modeli dhe udhëzuesi përkatës do të miratohen nga Task Forca.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të paraqesë, pranë Task Forcës, deri më 31 janar 2006, planin e veprimit në zbatim të raportit të vetëvlerësimit të pengesave administrative ndaj biznesit.
5. Roli dhe përgjegjësitë e anëtarit të Task Forcës.
i. Harton planet e masave, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon;
ii. Bashkërendon të gjitha veprimtaritë, në kuadër të reformës rregullatore, me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës;
iii.Raporton periodikisht në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për zbatimin e masave të marra, në kuadër të reformës rregullatore.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA