Vendim për furnizimin me karburant, pa akcizë, për mekanikën bujqësore, serat me ngrohje dhe subjektet, që kanë kaldaja në linjat e përpunimit të qumështit
V E N D I M
PER
PËR FURNIZIMIN ME KARBURANT, PA AKCIZË, PËR MEKANIKËN BUJQËSORE, SERAT ME NGROHJE DHE SUBJEKTET, QË KANË KALDAJA NË LINJAT E PËRPUNIMIT TË QUMËSHTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 19, të ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, të ligjit nr.8982, datë 12.12.2002, “Për sistemin e taksave vendore”, dhe të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fermerët, në të gjithë vendin, që kryejnë punime të mekanizuara në bujqësi, që kanë sera me ngrohje, si dhe subjektet, që kanë kaldaja në linjat e përpunimit të qumështit, të furnizohen me karburant, pa akcizë, me një çmim 40 lekë/litri.
2. Fermerët, që nuk paguajnë taksë për tokën bujqësore, sipas ligjit nr.8982, datë 12.12.2002, “Për sistemin e taksave vendore”, nuk përfitojnë nga ky vendim.
3. Karburanti, pa akcizë, të sigurohet nga “ARMO”, sha-ja, dhe furnizimi të bëhet nëpërmjet pikave të shpërndarjes, në të gjithë vendin, të miratuara nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e organeve të pushtetit vendor.
4. Efektet financiare, prej 200 000 000 (dyqind milionë) lekësh, për 6-mujorin e parë, për diferencën ndërmjet çmimit të programuar vjetor të ARMO, sha-së, e çmimit 40 lekë/litri, të paguar nga përfituesi, si dhe kostoja për kryerjen e shërbimit në pikat e karburantit, që nuk janë të ARMO, sha-së, të parashikohen në buxhetin e shtetit, të vitit 2006, për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
5. Normativat bazë të harxhimit të karburantit:
a) sipas kulturave bujqësore të jenë për:
• të lashtat 70-80 litra/ha;
• foragjeret 70-80 litra/ha;
• misrin 90-100 litër/ha;
• pemët frutore dhe vreshtat 85 litra/ha;
• perimet, patatet etj. 80 litra/ha.
b) për serat me ngrohje, 160 tonë solar/ha ose 155 tonë gazoil/ha.
c) për linjat e përpunimit të qumështit, 25 litra karburant për 1 ton qumësht të përpunuar.
6. Drejtoritë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, të përgatisin regjistrin e fermerëve, që të shërbejë për përllogaritjet e sasisë së karburantit për çdo përfitues.
7. Procedurat dhe skemat e shpërndarjes së karburantit caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministrit të Financave dhe ministrit të Brendshëm.
8. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA