Zëvendëskryeministri Oketa merr pjesë në takimin mbi Korridorin 8
Gjatë qëndrimit në Itali, Zëvendëskryeministri z.Gazmend Oketa mori pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi çështje të Korridorit 8. Në këtë aktivitet z.Oketa shoqërohej nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi. Takimi u organizua nga Rajoni i Puglias dhe në të morën pjesë dhe delegacione nga Maqedonia dhe Bullgaria.
Presidenti i Rajonit të Puglias z.Nichi Vendola mbajti fjalën e hapjes, gjatë së cilës theksoi rëndësinë e vendeve që përshkon rajoni 8 për zhvillimin dhe ekspozimin e Rajonit të Puglias. Z.Gazmend Oketa mbajti fjalën e rastit, në emër të delegacionit shqiptar, në të cilën theksoi arritjet dhe mbështetjen që jep qeveria shqiptare për këtë iniciativë të rëndësishme për të gjithë rajonin.
Në emër të qeverisë italiane, takimin e përshëndeti z.Massimo D’Alema, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm. Në fjalën e tij ai u ndal në mundësitë që paraqet Shqipëria por edhe i gjithë Ballkani për zhvillimin e rajonit të Puglias. Ai veçoi Shqipërinë si një rast i suksesshëm i progresit pozitiv të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis vendeve, duke theksuar se ky është rast për t’u ndjekur si shembull me vendet e tjera. "Shqipëria. - theksoi ai, - ka qenë për ne një problem, është bërë një mundësi”. Nga ana tjetër, ai tha: “Duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk kemi arritur ta bëjmë Korridorin 8 një prioritet efektiv për Europën”, duke theksuar që kjo kërkon një impenjim të fortë të vendeve të interesuara. Gjithashtu, z.D’Alema preku dhe çështjen e Kosovës, duke theksuar se nevojitet një akord kompleks për Pavarësinë, si dhe për çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Më pas, organizatorët e takimit shtruan një drekë për nder të delegacioneve pjesëmarrëse. Në këtë drekë të pranishmit patën mundësi të shkëmbenin mendime dhe opinione mbi çështje të zhvillimit rajonal dhe bashkëpunimit midis vendeve tona.