Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha mori pjesë në Takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP)
Në datën 14 shtator 2007, në Sofje, zhvilloi punimet Takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP).
Në këtë aktivitet, delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, u kryesua nga z. Lulzim Basha, Ministër i Punëve të Jashtme.
Në fjalën e tij në takim, z. Basha, ritheksoi vullnetin e qeverisë Shqiptare për marrëdhënie të fqinjësisë së mire e të bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet e rajonit. Ai vuri në dukje rolin e SEECP si instrument qendror politik i këtij bashkëpunimi, edhe në kushtet kur krijohet Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), e cila është struktura rajonale që do të zëvendësojë Paktin e Stabilitetit, në fillim të vitit 2008. Duke shprehur mbështetjen për krijimin e kësaj strukture, z. Basha, u shpreh që Shqipëria mbetet e gatshme për të luajtur një rol konstruktiv për zgjidhjen e të gjitha çështjeve teknike që lidhen me bërjen funksionale të tyre.
Në këtë kuadër, Ministrat firmosën Marrëveshjen me Bosnje Hercegovinën si vendi pritës për Sekretariatin e ri te RCC.
Vend qendror në ndërhyrjen e z. Basha, zuri analiza e situatës në Kosovë, pasi, siç u shpreh ai, kjo çështje ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale si dhe mund te vonojë perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjatë qëndrimit në Sofje në kuadër të aktivitetit, z. Basha zhvilloi dhe një sërë takime dy palëshe me homologët e tij, në të cilat u prekën e u trajtuan çështje konkrete të forcimit të bashkëpunimit me vendet respektive.