E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vazhdon konsultimet me shoqërinë civile dhe grupet e interesit për Strategjinë Ndërsektoriale të luftës kundër korrupsionit

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit, z. Gazmend Oketa, u zhvillua sot mbledhja e Grupit Këshillimor të përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe komunitetit të biznesit, i cili diskutoi projekt strategjinë ndërsektoriale të parandalimit, luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente, për periudhën 2007-2013.

Kjo strategji është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, e cila synon të adresojë sfidat e zhvillimit drejt integrimit evropian të Shqipërisë. Strategjia e luftës kundër korrupsionit dhe e qeverisjes transparente propozon një numër reformash, nismash dhe masash të rendësishme, synimet kryesore të të cilës janë politikat parandaluese dhe masat konkrete për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.

Përfaqësues të shoqërisë civile, me ekpseriencë në çështjet e luftës kundër korrupsionit, vlerësuan seriozitetin dhe profesionalizmin e dokumentit strategjik të përgatitur nga qeveria, por vunë theksin në nevojën e harmonizimit mes masave parandaluese dhe atyre ndëshkuese, si dhe në domosdoshmërinë e parcaktimit të indikatorëve të qartë e të matshëm të zbatimit të strategjisë.

Në takim pati edhe shumë propozime konkrete, të cilat do të pasqyrohen në dokumentin përfundimtar që do të miratohet së shpejti.

Qeveria ka programuar një sërë takimesh të kësaj natyre për të konsultuar me shoqërinë civile dhe grupet e interesit të gjithë komponentët e Strategjisë afatgjatë për Zhvillim dhe Integrim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›