E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Besa, sfida e parë e nxehtë e çerekfinaleve

Albania-sport - Dinamo-Besa (stadiumi "Selman Stërmasi", ora 13:00) është dhe sfida e parë e nxehtë e cerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë i luajtur në Kavajë u fitua nga Dinamo (1-2), një fitore më shumë e dhuruar falë gabimev të lojtarëve të Besës: penallti e realizuar në minutën e 2 nga dinamoviti Julian Ahmataj dhe autogol i Robert Grizhës në minutë e 83, i shoqëruar me golin e pamjaftueshëm të Parid Xhihanit në minutën 69.
Besa gjendet në një formë të jashtëzakonshme në kampionat me 4 fitore radhazi, përfshirë dhe atë me kryesuesen e kampionatit (10 gola të shënuar dhe 3 të pësuar), për më tepër e shkëputur 3 pikë nga Dinamo. Një fitore me dy gola diferencë 2-0 (3-1) apo dhe një fitore 3-2 për kavajasit do të thoshte kualifikim, teksa bluve të Redi Jupit i mjafton edhe një humbje në shtëpi 0-1, duke iu falur dy golave në fushën kundërshtare.
Dinamo në kampionat vjen në ballafaqimin me Besën pas dy humbjeve me Flamurtarin dhe Partizanin, dhe e pozicionuar në vendin e 6 dhe shumë larg tri ekipeve që pretendojnë vendet 2-3 (automatikisht Kupa UEFA dhe Kupa Intertoto), e shikon Kupën e Shqipërisë si të vetmen mundësi për të hyrë në zonën Europiane.
Dinamo, 13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë dhe Besa 6 herë finaliste e pasuksesshme, janë përballur 14 herë midis tyre, ku blutë kanë në bilancin e tyre 7 fitore kundrejt 2 të Besës (5 barazime).
Dinamo ka një përvojë të mjaftueshme dhe statistika të "bukura" si pjesëmarrëse 41 herë në cerekfinale, ndërsa kavajasit e kanë shijuar 19 herë të qenit në cerekfinale. Për të ecur më "thellë" në "pusin" e statistikave, Dinamo ka shansin të kualifikohet për herë të 30 në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë në 49 edicione të Kupës së Shqipërisë, ndaj një Bese që ka marrë pjesë vetëm 9 herë.

NDESHJA E PARË
BESA - DINAMO 1-2
Shënues: Parid Xhihani 69'/ Julian Ahmataj 2' (11-metërsh), Robert Grizha 83'(autogol)
Gjyqtarë: Peza, Salaj, Lamce
Stadiumi "Besa", Kavajë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›