E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç ndodh pas marrëveshjes ndërmjet OKB-së dhe BE-së

Autori i Lajmit: red.
Analistët në Kosovë, marrëveshjen teknike, të cilën e nënshkruan përfaqësuesit e misionit të OKB-së dhe atij të BE-së, e shohin si një veprim të mirë drejt bartjes së kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i.
Marrëveshjen teknike, të cilën e kanë nënshkruar dje përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian, që parasheh bartjen e aseteve te misioni i ri në Kosovë – EULEX, analistët politikë në Prishtinë e shohin si një hap të mirë drejt kalimit gradual të kompetencave.
Driton Lajçi, analist për çështje poltike, konsideron se një marrëveshje e tillë jep indikacion se gradualisht do të bëhet transferimi i kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i.
"Edhe pse është marrëveshje teknike dhe bëhet fjalë për lirimin e hapësirave fizike, bartjen e automjeteve dhe gjërave të tjera, është një hap i mirë, është hap në drejtimin e duhur, është hap që lë të kuptohet që UNMIK-u gradualisht po lëshon pe dhe po i hap dyert misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Është hap, i cili duhet përshëndetur e përkrahur dhe i cili duhet të vazhdojë edhe në transferimin e përgjegjësive të tjera te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës", tha Lajçi.
Edhe analisti tjetër, Migjen Kelmendi, vlerëson se një marrëveshje e tillë është bërë në kohën e duhur dhe, sipas tij, këto veprime kanë qenë të pritura.
"Për mua po zhvillohet procesi i institucionalizimit ndërkombëtar të Kosovës. Ky akt është akt i pritur dhe akt i duhur në drejtimin e duhur, i cili si finale ka njohjen e Kosovës nga shtetet dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me fjalë të tjera, ky proces që është komplikuar me atë Jo-në e famshme të Rusisë në Këshillin e Sigurimit dhe me një fushatë të tmerrshme antipavarësisë së Kosovës, në esencë prapëseprapë nuk po bën që ky proces të pengohet", tha Kelmendi.
Por, analisti Driton Lajçi parasheh edhe vështirësi në kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i dhe institucionet e Kosovës. Ai konsideron se probelemt do të dalin kur përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të tentojnë të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë Kosovën.
"Vështirësitë më të mëdha do të jenë në relacionin e pushtetit ekzekutiv ose një pjese të pushtetit ekzekutiv që është i shtrirë te pikat e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, i cili në njëfarë mënyre mban akoma disa nga kompetencat te misioni pasues i UNMIK-ut, pas rikonfigurimit. Në relacionin Qeveri e Kosovës dhe UNMIK, akoma do të ketë vështirësi, për shkak se Qeveria e Kosovës do të insistojë në shtrirjen e autoritetit të vet në gjithë Kosovën. Ndërsa, UNMIK-u, në anën tjetër, akoma ka një përkrahje politike edhe të fuqive të mëdha. Prandaj, ky dualizëm i pushteteve në relacionin Qeveri dhe UNMIK, do të vazhdojë edhe më tej", tha Lajçi.
Procesin e kalimit të kompetencave nga një mision te një tjetër, analisti Kelmendi nuk e sheh si proces të lehtë. Ai vlerëson se të gjitha këto zhvillime ndodhin për një zbatueshmëri sa më të madhe të ligjeve në Kosovë.
"Unë në parim, përgjithësisht nuk e shoh si të lehtë këtë proces, por ajo për çka edhe u inicua krejt ky mision ndërkombëtar që quhet EULEX, është pikërisht nevoja e Kosovës që t i avancojë raportet institucionale, në raport me gjyqin dhe me drejtësinë, aty ku po ngec kjo shoqëri. Edhe pse është bërë shtet i pavarur, shteti i pavarur nuk do të thotë se i paska arritur të gjitha me vetë aktin e pavarësisë. Ajo ku kjo shoqëri duhet të japë provën kryesore, është respekti i ligjit", tha Kelmendi.
Transferimi i aseteve nga UNMIK-u tek EULEX-i shënon fazën e parë të tranzicionit, gjatë së cilës UNMIK-u fillon dhe reduktimin e stafit të vet, që deri në vjeshtën e këtij viti parashihet të arrijë deri në masën 70 për qind.

Zëdhënësi Aleksandër Ivanko
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›