E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi mbi sigurinë ushqimore

Autori i Lajmit: red.
Specialistët thonë se eksperienca e personelit në industritë prodhuese të ushqimit është e ulët

Ushqimet e helmuara shkaktojnë shqetësime të rënda në shëndet, sidomos tek fëmijët. Nuk ka qenë i paktë këtë verë numri i të helmuarve nga konsumimi i ushqimeve. Të dhënat tregojnë se mbi 50 pacientë shtrohen çdo ditë në spital. Sipas specialistëve, toksikimi i produkteve ushqimore ndodh për shkak të proceseve të dekompozimit që në gjuhën mjekësore provokohen nga flora normale saprofite. Prandaj kontrolli i vazhdueshëm i cilësisë së ushqimeve dhe rritja e sigurisë ushqimore është një domosdoshmëri për ruajtjen e shëndetit publik. Një studim i kryer nga specialistë të institucioneve të shëndetit publik në vend (ISHP dhe DSHP), ka bërë një vlerësim të situatës së sigurisë së produkteve ushqimore të prodhuara në vend. Për marrjen në studim të mostrave ushqimore është marrë parasysh konsumi ditor dhe preferencat ushqimore të popullatës.
Studimi
Studimi është kryer për një periudhë 4- vjeçare ku janë marrë afërsisht 900 mostra ushqimesh, të ndara në 5 kategori produktesh ushqimore. Kështu janë marrë produkte drithërash gjithsej 300 mostra (miell dhe produkte të gatuara); bulmetra gjithsej 312 mostra (qumësht i pasterizuar dhe nënproduktet e tij) nga këto: 88 mostra qumështi, 69 mostra djathi, 68 mostra kosi, 50 mostra gjalpi, 37 mostra gjize, që përbëjnë së bashku 41% të numrit të përgjithshëm të mostrave; produkte mishi (sallame) 53 mostra, që zënë 5% të numrit të përgjithshëm; pije joalkoolike (lëngje frutash dhe pije të gazuara) 82 mostra, që përbëjnë 8% të numrit total të mostrave.
Rezultatet
Nga rezultatet e matjeve rezulton se, për sa u përket treguesve mikrobiologjikë, kemi ndotje mbi normat e lejuara për të gjitha llojet e produkteve ushqimore të marra në studim. Gjithashtu studimi flet për një nivel të ulët higjieno-sanitar të personelit prodhues. Sidomos ndotje më e madhe vihet re në produktet gjalpë, gjizë dhe kos, të cilat zakonisht përdoren pa u përpunuar me nxehtësi nga konsumatori dhe për këtë përbëjnë një rrezik biologjik për shëndetin e tij (sidomos për fëmijët).
Mikrobet
Në studim theksohet edhe prania e mikrobit (St. aureus) në mostrat e djathit, gjalpit dhe gjizës që, megjithëse në përqindje të ulët, përbëjnë një rrezik biologjik për shëndetin e konsumatorit, sepse këto ushqime zakonisht konsumohen pa përpunim termik paraprak. Sipas specialistëve, e rëndësishme është të vihet në dukje se mikroorganizmat patogjene nuk rezultuan në shumicën e mostrave. Gjithashtu, nivelet e ndotjeve me MAM, mykra, etj tregojnë për pamjaftueshmëri të kushteve të punës në këto ndërmarrje.
Personeli
“Nga vetë rezultatet del e qartë se punonjësit e këtyre industrive ushqimore nuk kanë formimin e duhur profesional për sa i përket sigurisë ushqimore dhe rregullave higjieno-sanitare që duhet të zbatohen me korrektesë, prandaj del e nevojshme të trajnohen punonjësit që punojnë në linjat prodhuese ushqimore”, - theksohet në studim. Mostrat e marra në studim dalin në përqindje të konsiderueshme mbi normat e lejuara. Kjo tregon se, përveç kontrollit të brendshëm të vetë prodhuesve, nuk funksionon siç duhet as kontrolli i inspektorëve sanitarë (kontrolli i jashtëm). “Në të ardhmen lind e nevojshme që, krahas treguesve të mësipërm, të kontrollohen edhe mykotoksinat dhe aflatoksinat në ushqime si dhe Listeria monocitogenes në sallame dhe qelizat somatike në qumështin e papërpunuar si indikatorë të sigurisë ushqimore”, - thonë specialistët.
Konkluzioni
Përfundimet e studimit theksojnë se është domosdoshmëri për industrinë tonë ushqimore aplikimi i sistemit të sigurisë ushqimore HAÇP. Krahas vendosjes se HAÇP duhet forcuar edhe kontrolli i inspektorit sanitar si nëpër ndërmarrjet prodhuese ashtu dhe në treg. Gjithashtu, specialistët theksojnë se lind nevoja e forcimit të bazës laboratorike në DSHP-të e rretheve për kontrollin e vazhdueshëm të produkteve ushqimore.

Box
Shkenca
Ushqimet e freskëta pas një fare kohe u nënshtrohen transformimeve pak a shumë të shpejta fizike dhe kimike, që i bëjnë ato të papërdorshme. Që në shekullin XIX, Pasteri, ndër të parët shkencëtarë zbuloi se mikroorganizmat ishin përgjegjësit kryesorë të ndryshimeve dhe të transformimeve të substancave organike. Më vonë u zbulua se aktiviteti mikrobik ndërmjetësohej nga enzimat, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e çdo reaksioni metabolik. Por krahas reaksioneve enzimatike me natyrë biologjike, midis shkaqeve të ndryshimit u përcaktuan edhe reaksionet thjesht kimike të pandërmjetësuara nga enzimat. Ato së bashku me agjentët fizikë, kontribuojnë në mënyrë të dukshme në prishjen e substancave ushqimore. Pjesa më e madhe e substancave ushqimore përbën një terren të favorshëm për rritjen e mikroorganizmave që zhvillohen në kurriz të komponimeve organike duke ndryshuar ushqimet. Veprimi mikrobik shprehet në ndryshimet e karakterit organoleptik dhe të vlerave ushqyese. Disa nga reaksionet bazë që ndodhin në këto raste janë hidroliza e proteinave dhe aminoacideve (putrifikimi), hidroliza e lipideve dhe irrancidimi, hidroliza e karbohidrateve dhe fermentimi e oksidimi i alkooleve etj.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›