E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “Gjashtë muajt e qeverisë sime”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i dha nota të larta qeverisë së tij për gjashtë muajt e funksionimit, duke e cilësuar si periudhë historike për Kosovën, ndërsa nuk përmendi as edhe një dështim apo rezultatet jo të kënaqshme në dikasteret e qeverisë që drejton. Në një konferencë për media, e para pas kthimit të tij nga pushimi vjetor, ai tha se gjatë gjashtë muajve të shkuar, Kosova ka ecur me hapa të shpejtë, nga periudha e tranzicionit në shtetformim dhe njohje të saj.
“Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë muaj historikë për popullin dhe vendin tonë. Një muaj pas formimit të institucioneve të reja, spektri politik kosovar, në koordinim me SHBA-në e BE-në, e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më vonë u bënë edhe simbolet, kushtetuta, ndërsa Kosova u njoh nga shtetet më të forta demokratike të botës”, tha Thaçi.
Përveç Mitrovicës, për të cilën ai tha se nuk është shumë i kënaqur, pavarësisht rezultateve që janë arritur, Thaçi nuk përmendi problemet e tjera sociale, as grevën e mantelbardhëve e as mungesën e energjisë elektrike. Për arritjet e tjera, ai tha do të flasë një ditë tjetër.
Në këtë konferencë, kryeministri ndërkaq përmendi procesin e njohjes së Kosovës dhe lobimin që po bëhet në botë për njohje. Sipas tij, Beogradi përkundër fushatës mediatike, është në difensivë përsa i përket njohjes së shtetit të Kosovës.
Disa shtete, siç tha shefi kosovar i ekzekutivit, e kanë njohur Kosovën, disa të tjera janë në procesin e njohjes, ndërsa ka shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë, por i njohin pasaportat e saj.
Thaçi tha se çdo veprim i lobimit të politikës së jashtme të institucioneve të Kosovës ka qenë dhe është i koordinuar ngushtë me partnerët perëndimorë, bashkëpunim ky, që sipas tij, solli edhe çlirimin e Kosovës edhe ndërtimin e tranzicionit demokratik, por edhe pavarësinë e saj. “Bashkëpunimi i ngushtë më botën perëndimore ka qenë, është dhe do të mbetet vizon i Kosovës, prandaj çdo shmangie nga kjo rrugë është aventurë e panevojshme për vendin dhe popullin tonë”, tha kryeministri, duke shtuar se “Kosova i beson SHBA-së, BE-së dhe NATO-s”, tha ai.
Rruga e njohjes, siç këmbënguli Thaçi, është e përbashkët me aleatët ndërkombëtarë, prandaj Kosova është në rrugë të suksesit dhe nuk ka hapësirë për ndonjë dilemë të panevojshme. Ai, ndërkaq ka shprehur mirëkuptim edhe ndaj atyre shteteve që kërkojnë më shumë kohë për njohje.
Edhe një herë, duke anashkaluar deklaratën e tij se në shtator Kosovën do të njohin 100 shtete, Thaçi tha sot se kjo çështje nuk varet vetëm nga vetë kosovarët. Kosova, siç tha ai, po e bën punën e vet ashtu siç është më së miri. Megjithatë shefi i ekzekutivit tha se krahasuar me vendet tjera që kanë shpallur pavarësinë së voni, historia e Kosovës është me e suksesshmja.
Në këtë konferencë, Hashim Thaçi shprehu optimizmin e tij se shumë shtete islamike janë në anën e pavarësisë së Kosovës dhe shumë shpejt do ta zyrtarizojnë njohjen.
“Vendet Islamike nuk janë kundër Kosovës dhe shumica e tyre janë mirëkuptuese për pavarësinë e Kosovës dhe tashmë pritet vendimi i tyre hap pas hapi për njohje”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, nënshkrimin e memorandumit ndërmjet UNMIK dhe EULEX-it, kryeministri Thaçi e vlerësoi si proces të natyrshëm që forcon institucionet e Kosovës.
“Qeveria do të respektojë me përpikëri Kushtetutën e Republikës, ndërkaq çdo transferim dhe çdo rikonfigurim i UNMIK-ut, nënkupton forcim të funksionimit të institucioneve të Kosovës”, u shpreh kryeministri duke falënderuar UNMIK-un për punën e mirë që ka bërë gjatë viteve të shkuara.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›