E Shtunë, 31 Tetor 2026

0pt; LINE-HEIGHT: normal; TEXT-ALIGN: center" align="center">

V E N D I M

 

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE TË FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË INSIG, SHA-SË”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sha-së”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE TË FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË INSIG, SHA-SË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Objekti

 

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i formës dhe i formulës së transferimit të aksioneve, që zotëron shteti shqiptar, në shoqërinë tregtare INSIG, sha, dhe i të drejtave të lidhura me to.

Neni 2

Forma e privatizimit

 

1.     Forma e transferimit të 100 për qind të aksioneve të shoqërisë tregtare INSIG, sha-së, të cilat zotërohen nga shteti shqiptar, është transferimi me anë të shitjes, në favor të investitorëve, nëpërmjet procedurës “Tender i hapur ndërkombëtar”, sipas formulës së përcaktuar në nenin 3, të këtij ligji.

2.     “Investitor”, është shoqëria e njohur në tregun, kombëtar dhe ndërkombëtar, të sigurimeve, që është e suksesshme në treg dhe është në gjendje të tregojë e të përmbushë kapacitetet e kërkuara për zhvillimin e INSIG, sha-së, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë.

3.     Kriteret e përzgjedhjes së investitorëve dhe kriteret e vlerësimit të ofertave për privatizimin e INSIG, sha-së, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 3

Formula e privatizimit

Struktura e formulës së privatizimit të INSIG, sha-së, është që deri në 100 për qind të aksioneve t’u ofrohen për shitje investitorëve, të cilët përzgjidhen me tender të hapur ndërkombëtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 4

Vlerësimi i çmimit dhe përzgjedhja e vlerësuesit

1.     Vlera e të drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në INSIG, sha-në, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen, është vlera e miratuar me vendimin nr.1578, datë 4.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerës të së drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në INSIG, sha-në, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen e tyre”.

2.     Nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar. Kriteri i përzgjedhjes  së blerësit/blerësve do të jetë çmimi, i cili:

a)     nuk mund të jetë më i ulët se vlera mesatare, e përcaktuar në raportin e vlerësuesit ndërkombëtar;

b)     duhet të jetë më i lartë nga ai i ofruara nga blerësit e kualifikuar në fazat e mëparshme të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar.

3.     Projektmarrëveshja miratohet në Këshillin e Ministrave. Marrëveshja e shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, nënshkruhet nga ministri i Financave dhe përfaqësuesi i blerësit.

 

Neni 5

Kostoja e privatizimit

1.     Shpenzimet e lidhura me pagesën e këshilltarit të privatizimit dhe ato të lidhura me suksesin e privatizimit përballohen nga arkëtimet, prej shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së.

2.     Shpenzimet e tjera, të nevojshme gjatë fazës së parë, përpara transferimit të aksioneve në favor të blerësit/blerësve, përballohen si pjesë e kostos operacionale të INSIG, sha-së.

Neni 6

Monedha e pagesës

 

Transferimi i aksioneve në favor të investitorëve të përzgjedhur, sipas këtij ligji, bëhet në një monedhë të huaj, sipas përcaktimit të bërë nga ministri i Financave.

Neni 7

Aksionet e mbetura

 

Kur edhe pas përzgjedhjes dhe transferimit të aksioneve, sipas këtij ligji, kanë mbetur aksione të pashitura, ato u shiten, me ofertë publike, subjekteve private shqiptare, brenda tri vjetëve nga data e transferimit të kësaj pjesë të aksioneve.

Pagesa për shitjen e aksioneve subjekteve private shqiptare bëhet në monedhën vendase.

Neni 8

Detyrimet e investitorëve

1.     Investitorët, pjesëmarrës në procesin e shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, duhet të respektojnë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe, në mënyrë të veçantë, kërkesat e parashikuara nga legjislacioni tregtar dhe ai i sigurimeve në Republikën e Shqipërisë.

2.     Investitorët e përzgjedhur sipas këtij ligji, për zotërimin e aksioneve të INSIG, sha-së, duhet të bien dakord, paraprakisht, për të miratuar çdo ndryshim të nevojshëm në statusin e kësaj shoqërie, për nënshkrimin e aksioneve të shoqërisë nga aksionerët e rinj, siç parashikohet në këtë ligj dhe të mbrojnë të drejtat e aksionerëve në minorancë, të shoqërisë, sipas standardeve bashkëkohore të drejtimit të përbashkët.

Neni 9

Zbatimi i privatizimit

Ministria e Financave, në bashkëpunim me INSIG, sha-në, kryen procedurat e privatizimit të kësaj shoqërie, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 10

Nxjerrja e akteve

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

Neni 11

Shfuqizime

 

Ligji nr.9649, datë 27.11.2006, “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sha-së”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 12

Hyrja në fuqi

Ky ligj në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

 

JOZEFINA TOPALLI

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8306, DATË 14.2.1998, “PËR STRATEGJINË E PRIVATIZIMIT TË SEKTORËVE ME RËNDËSI TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.8306, datë 14.2.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA   P R O J E K T L I GJ

PËR

 

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8306, DATË 14.2.1998, “PËR STRATEGJINË E PRIVATIZIMIT TË SEKTORËVE ME RËNDËSI TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

 

Paragrafi i parë i nenit 4, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Sektorë me rëndësi të veçantë të ekonomisë janë: industria e energjetikës dhe e mineraleve, e naftës dhe e gazit, postat, telekomunikacionet, pyjet dhe ujërat, rrugët automobilistike e hekurudhore, portet detare, aeroportet, transporti ajror e hekurudhor.”.

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI

 

 

JOZEFINA TOPALLI

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË, PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I   SALI BERISHA  

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË, PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

 

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1,  83, pika 1,  dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

 

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.

 

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI

 

JOZEFINA TOPALLI

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E STATUTIT TË AGJENCISË NDËRKOMBËTARE TË ENERGJISË SË RINOVUESHME (IRENA)”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e statutit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I   SALI BERISHA  

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

RATIFIKIMIN E STATUTIT TË AGJENCISË NDËRKOMBËTARE TË ENERGJISË SË RINOVUESHME (IRENA)

 

 

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1,  83, pika 1,  dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

 

Ratifikimin e statutit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA), sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.

 

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI

 

JOZEFINA TOPALLI

***

 

V E N D I M

PËR

 

HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË DISA SIPËRFAQEVE, PËRKATËSISHT, NË NGASTRAT E EKONOMIVE PYJORE TË QARKUT SHKODËR E LEZHË, QË DO TË PËRDOREN NGA OST, SHA-JA, PËR NDËRTIMIN E LINJËS 400 KV PODGORICË-TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të     nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar,  me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.     Sipërfaqet, në ngastrat e ekonomisë pyjore, në zonat kadastrale nr.2624, nr.3148, nr.2363 e nr. 2707, në qarkun e Shkodrës, gjithsej, 1496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 , sipërfaqet në ngastrat e  ekonomisë pyjore, në pasuritë me numra kadastralë K-34-76-(232-C), K-34-76-(248-A), K-34-76-(248-C), K-34-88-(8-A), K-34-88-(8-C), nr.1458, K-34-88-(24-A), K-34-88-(24-C), K-34-88-(40-A), K-34-88-(40-C), K-34-88-(56-A),           K-34-88-(56-C), K-34-88-(72-A), K-34-88-(72-D), K-34-88-(88-B), nr.1624, K-34-76-(118-D), K-34-76-(134-A), nr.2660, K-34-76-(150-C), nr.2886, nr.2203, nr.1875, K-34-76-(166-D), K-34-76-(182-B),                   K-34-76-(183-A), K-34-76-(183-C), K-34-76-(199-A), K-34-76-(199-D),       K-34-76-(215-B), K-34-76-(215-D), K-34-76-(231-B), K-34-76-(232-A), në qarkun e Lezhës, gjithsej 8212.7 (tetë mijë e dyqind e dymbëdhjetë, presje shtatë) m2, të cilat do të përdoren nga OST, sha-ja, për ndërtimin e linjës    400 KV Podgoricë-Tiranë, të hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, sipas tabelave 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14 e 15 dhe hartave përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.     Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pas përcaktimit në terren dhe në hartë të kufijve të rinj të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të bëjë çregjistrimin e tyre nga kategoria “toka të zëna, kullotë” dhe “toka të zëna, pyll” dhe t’i regjistrojnë në sipërfaqe joproduktive, për vendosjen e shtyllave, pjesë të linjës së interkonjeksionit 400KV Pogdoricë-Tiranë, në përputhje me vendimin nr.1353, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”.

3.     Vlera e këtyre sipërfaqeve pyjore dhe kullosore të paguhet nga OST,       sha-ja, sipas lidhjes 4, që i bashkëlidhet vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”.

4.     Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI BERISHA

***

V E N D I M

 

 

PËR

 

 

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E BORDIT TË MBIKËQYRJES PUBLIKE TË EKSPERTËVE KONTABËL, TË REGJISTRUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 6, e 60,     pika 1, të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ngritjen e bordit të mbikëqyrjes publike (në vijim thjesht “bordi”), si strukturë përgjegjëse për mbikëqyrjen e profesionit të ekspertëve kontabël, të regjistruar, të shoqërive audituese dhe kontabilistit të miratuar, sipas qëllimit dhe mënyrave, të parashikuara në ligjin nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”.

I. STRUKTURA DHE PËRBËRJA

1. Bordi, është organ kolegjial, i përbërë nga shtatë anëtarë, të emëruar nga ministri i Financave, për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë radhazi.

2. Bordi përbëhet nga:

a)     Kryetari dhe tre anëtarë, të cilët duhet të jenë persona, që nuk e ushtrojnë profesionin, sipas kuptimit të nenit 2, të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009;

b)     Tre anëtarë të tjerë, të cilët duhet të jenë persona, që mund ta ushtrojnë profesionin në praktikë, me një përvojë jo më pak se 5 vjet në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, të shoqërive tregtare.

II. KRITERET E PËRZGJEDHJES

Anëtarët e bordit, përveç kritereve të parashikuara në ligjin nr.10091, datë 5.3.2009, duhet të përmbushin edhe kriteret e mëposhtme:

a)     Anëtarët e bordit, persona, që nuk e ushtrojnë profesionin në praktikë, duhet:

i)      të kenë figurë të pastër morale;

ii)     të zotërojnë njohuri të mjaftueshme dhe të kenë përvojë, së paku, 5 vite, për çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit;

iii)    të mos kenë qenë anëtarë të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël, të autorizuar, së paku, prej një periudhe prej tri vitesh para emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit;

iv)    të mos kenë patur të drejtë vote në një shoqëri auditimi, së paku, për një periudhë prej tri vitesh përpara emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit;

v)     të mos kenë qenë anëtarë të organeve të qeverisjes dhe/ose të drejtimit të një shoqërie auditimi, së paku, prej një periudhe prej tri vitesh, para emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit;

vi)    të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël, të autorizuar.

b)     Anëtarët e bordit, persona, që e ushtrojnë profesionin në praktikë, duhet të:

i)      kenë përvojë jo më pak se 5 vjet në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, të shoqërive tregtare;

ii)     shquhen për aftësi e përgjegjësi profesionale:

-    të mos kenë qenë të ndëshkuar më parë me masa disiplinore, të natyrës së pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të profesionit apo të pezullimit të kryerjes së disa llojeve të shërbimeve profesionale.

-    të mos jenë anëtarë në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël, të autorizuar.

III. ORGANET PROPOZUESE, PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES DHE TË SHKARKIMIT TË ANËTARËVE

Çdo institucion publik gëzon të drejtën e propozimit, sipas kërkesës së kandidatëve, që janë nëpunës/punonjës të institucionit propozues, për emërimin, nga ministri i Financave, të katër anëtarëve të bordit, të cilët nuk e ushtrojnë profesionin në praktikë. Çdo organizatë profesionale, që ka objekt të veprimtarisë auditimin ligjor, gëzon të drejtën e propozimit të kandidatëve, për tre anëtarë të bordit, të cilët e ushtrojnë profesionin në praktikë. Kërkesa për propozim shoqërohet me dokumentacionin, që vërteton përmbushjen e kritereve, të parashikuara në ligj dhe në këtë vendim. Procedurat e përzgjedhjes bazohen në konkurrimin, në bazë të dokumentacionit. Ministri i Financave publikon 1 javë rresht, në faqen zyrtare të internetit të institucionit dhe në dy gazeta me tirazh më të lartë, njoftimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, kriteret, që duhet të përmbushen nga secili kandidat, vendin, si dhe afatin e dorëzimit të dokumentacionit, të kërkuar sipas këtij vendimi. Afati i dorëzimit të dokumentacionit bëhet brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të fundit të shpalljes së njoftimit. Ministri i Financave, brenda 30 ditëve nga afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit, miraton kandidaturat, të cilat plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë vendim. Lista e kandidatëve të emëruar publikohet menjëherë, tri ditë rresht në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave dhe në dy gazeta, me tirazh më të madh shitjeje. Anëtarët, në mbledhjen e parë, përzgjedhin, ndërmjet anëtarëve, që nuk e ushtrojnë profesionin, kryetarin e bordit dhe ia përcjellin, për miratim, ministrit të Financave, i cili, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së propozimit, miraton kryetarin e bordit. Anëtarësia në bord përfundon kur anëtari:   

a) mbaron mandatin, sipas afatit të parashikuar në ligj dhe këtë vendim;

b) shkarkohet;

c) vdes;

ç) jep dorëheqjen.

Kryetari i bordit, 30 ditë përpara përfundimit të mandatit, për rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 5 ditë pas përfundimit të mandatit, sipas shkronjës “c”, njofton, me shkrim, ministrin e Financave, për përfundimin e mandatit të anëtarit/anëtarëve.

Procedura e zgjedhjes së anëtarëve të rinj realizohet sipas dispozitave dhe afateve të  parashikuara në këtë kre.

Përjashtimisht për mandatin e parë, dy anëtarë, që nuk e ushtrojnë profesionin, ose një anëtar, që e ushtron profesionin, emërohen për një mandat 3-vjeçar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›