E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 Maji, pa protesta

Nga Express më 30 prill 2011 në ora 17:30

Derisa në vendet e tjera të botës protestohet me rastin e festës së 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, për të kërkuar më tepër të drejta dhe kushte më të mira të punës, në Kosovë me rastin e kësaj dite drejtuesit e sindikatave të punëtorëve kanë zgjedhur që në këtë ditë të festojnë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura në Kosovë, Haxhi Arifi ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se i vetmi aktivitet i organizuar me rastin e 1 Majit ka qenë një tryezë, ku janë shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.

“Ne kemi organizuar një tryezë me përfaqësues të qeverisë, Odës Ekonomike dhe shoqërisë civile në të cilën janë shqyrtuar kërkesat që ka pasur BSPK në protestën e vitit të kaluar. Shtatë nga dhjetë kërkesat tona janë realizuar. Tani kemi kërkesat për rritjen e pensioneve, privatizimin dhe pagën minimale, e cila duhet të jetë 250 euro”, ka thënë Arifi.

Për më tepër, Arifi ka bërë të ditur se për dallim nga viti i kaluar kur ishte protestuar në qendër të Prishtinës, të dielën me 1 Maj nuk do të ketë asnjë organizim apo protestë, ndërkaq sipas tij kush dëshiron të protestojë është i lirë ta bëjë këtë, por pa përkrahjen e BSPK-së.

Nesër në botë shënohet 1 Maji, Dita ndërkombëtare e Punës.

Dita e Punës është festë ndërkombëtare, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve. Festohet në ditën e parë të majit në shenjë respekti ndaj viktimave të protestës, që u mbajt prej 1 deri 4 maj të vitit 1886 në Çikago.

Qëllimi i protestës i rreth 40.000 punëtorëve ishte vendosja e orarit të punës prej tetë orëve në ditë. Policia ka përdorur forcë dhe ka pasur viktima. Organizatorët e protestës janë dërguar në gjyq, ndërsa katër prej tyre janë ekzekutuar.

Në kujtim të viktimave nga protesta e Çikagos, Internacionalja e dytë në kongresin e saj themelues në vitin 1889 në Paris ka miratuar deklaratë, me të cilën punëtorët ftohen në demonstrata masive më 1 maj që ta përmirësojnë pozitën e tyre. Prej atëherë festa është manifestim i solidaritetit të klasës punëtore në botë. (kp)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›