E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja viziton ushtritë

Nga Express më 30 prill 2011 në ora 09:22

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Bühler, ka zhvilluar të premten disa vizita trupave të KFOR-it në qytete të ndryshme të Kosovës.

Fillimisht, Jahjaga dhe Bühler, të shoqëruar edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku, kanë vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj, ku trupat e KFOR-it janë të angazhuar për trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së. Presidentja tha se FSK-ja është në rrugë të arritjes së kapaciteteve të plota operative, kurse Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes po luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim dhe që FSK-ja të jetë e përgatitur profesionalisht.

Ajo theksoi se në përgatitjen e trupave të FSK-së një rol shumë të rëndësishëm është duke luajtur KFOR-i, me angazhimin e vet në trajnimin e trupave të FSK-së. Jahjaga vizitoi edhe Kampin fushor të KFOR-it në Prizren, ku u njoh me punën dhe aktivitetet në këtë kamp.

Me këtë rast, presidentja e vendit falënderoi ushtarët e KFOR-it për gjithë kontributin që kanë dhënë për sigurinë në Kosovë dhe për shumë aktivitete në të mirë të komunitetit dhe komunës së Prizrenit në përgjithësi. Jahjaga të premten ka vizituar edhe Kampin Italian të KFOR-it në Pejë. Edhe këtu ajo është njoftuar me aktivitetet e ushtarëve të KFOR-it, si dhe ka nderuar ushtarët e rënë në detyrë gjatë shërbimit në Kosovë, që nga viti 1999.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›