E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 Prilli dhe Sali Berisha



Kryeministri Berisha ka filluar serinë e fundit të gënjeshtrave e të mashtrimeve. Siç duket, në këtë mënyrë kujton se do të bëjë për vete votuesit dhe do t’i përballojë zgjedhjet e qershorit. Natyrisht, këto janë shpresa të kota, sepse shqiptarët e njohin tashmë Sali Berishën. Njohin bëmat e tij të viteve ’90-të kur ai ishte President, që përfundoi me 2500 të vrarë dhe me vjedhjen e pasurisë së qytetarëve të varfër me anën e të ashtuquajturave “piramida“, të cilat, në intervistën dhënë një gazete kosovare, përpiqet t’ua faturojë serbëve! E njohin edhe me bëmat e këtyre viteve, kur ai udhëheq qeverinë, gjatë të cilave, të paktën dy gjëra nuk mund të harrohen: “Gërdeci“ me të vrarët, të plagosurit e shkatërrimet e tij dhe mega-korrupsioni i përqendruar në Rrugën Durrës-Kukës.
Në intervistat e fundit, në qendër të sulmeve të Berishës ka qenë figura ime. Natyrisht, mua nuk më intereson të njoh shkaqet e vërteta dhe arsyet përse Sali Berisha ndihet i shqetësuar nga personi im. Unë jam mësuar me kritika e polemika të niveleve të ndryshme, brenda e jashtë shtetit. Prandaj në çdo rast jam i qetë e gjakftohtë, sidomos kur kam të bëj me shpifje e gënjeshtra.
Në fillim, Berisha më akuzoi se paskam arrestuar Nexhmije Hoxhën, në një kohë që të gjithë shqiptarët e dinë se futja në burg e saj ishte kërkesë e ultimatumit që Berisha i bëri (në dhjetor 1991) Qeverisë së Stabilitetit. Dhe pasi kjo kërkesë u kundërshtua nga Presidenti i kohës, pra nga unë, dhe nuk gjeti mbështetje në Parlament, Berisha me njerëzit e tij detyroi ish-prokurorin e Përgjithshëm të lëshojë fletarrestin.
Një prilli nxorri një ”përrallë“ tjetër, akoma më ”gjakatare“. Zoti Berisha shpalli se Ramiz Alia, as më shumë e as më pak, paska dashur të vrasë në vitin 1991 Sali Berishën dhe Ibrahim Rugovën “sepse kishin sharë E. Hoxhën“!? Çfarë të thuash për këto përralla, për këto trillime që janë fund e krye stisje pa asnjë bazë? Çfarë të thuash për faktin e thjeshtë, se, siç vepron rëndom në aktivitetin e tij të përditshëm, ky kryeministër akuzon kaq hapur dhe rëndë ish-presidentin e vendit të tij, pa dhënë asnjë provë apo fakt?!
Berisha zgjodhi shtypin kosovar për të hedhur në treg fantazitë e tij të sëmura. Siç duket, tani ai kërkon edhe përkrahjen e kosovarëve. Intervista e tij është e mbushur me shpifje kundër shtetit të mëparshëm shqiptar, kundër Enver Hoxhës, se gjoja ata e paskan braktisur Kosovën dhe, ç’është më e keqja, “ata kurrë nuk kanë dashur që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur, Republikë më vete”.
Shikoni!? Doli Berisha i vitit 2009 që t’i bindë kosovarët se Enver Hoxha nuk e ka dashur Kosovën dhe lirinë e saj!? Nuk ka e nuk mund të ketë njeri as në Kosovë, as në Shqipëri, askund në botë, që të besojë përralla të tilla, të denja vetëm për 1 prillin.
Nuk mund t’i besojë, sepse të gjithë shqiptarët, e mbi të gjithë vetë kosovarët, e njohin Sali Berishën e bëmat tij kundër Kosovës. Kush ishte ai që lejoi kontrabandën e naftës në vitet ’90, duke shkelur embargon ndërkombëtare, me të cilën ushqehej ushtria serbe për të vrarë kosovarët?
A nuk ishte Sali Berisha ai që kundërshtoi kompromisin e Rambujesë, që shënoi parathënien e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd dhe fitoren e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit e saj shqiptarë (Rugovëe e Thaçin me shokë) i damkosi si tradhtarë? Kujtoj se zoti Berisha e quajti UÇK-në ”grup terrorist”, ashtu siç e quanin serbët. Ndërsa tani na thotë se shtëpia e tij paska qenë ”depo armësh për UÇK-në”!
Së fundi, dëshiroj të pyes se kush ishte ai që ia hapi dyert e shtëpisë së vet një farë Fazlliçi, që jo vetëm dëmton interesat e Shqipërisë, por luan edhe në emër të interesave të qarta serbe në këtë pjesë të Ballkanit?
I nderuari Berisha, u kujtove shumë vonë për Kosovën, të cilën e ke trajtuar vetëm nga këndvështrimi i interesave të tua personale. Ekziston një ndryshim i madh thelbësor midis meje dhe teje, zoti Berisha, përsa i përket karakterit të lidhjeve dhe të marrëdhënieve me Kosovën e popullin e saj. Me t’u çliruar Shqipëria nga pushtuesit fashistë, pra në fillim të muajit dhjetor 1944, unë kam shkuar me Divizionin e Pestë të Ushtrisë NÇL shqiptare për të ndihmuar kosovarët që të fitojnë lirinë, kurse ti, zoti Berisha, 50 vjet më vonë, vetëm për interesa personale i hape rrugë kontrabandës dhe furnizimit me naftë të Millosheviçit për të vrarë kosovarët që luftonin për liri. Besoj se lexuesi shqiptar dhe ai kosovar nuk ka nevojë për më shumë argumente që të dallojë shpifjet e Berishës dhe pozitën e palakmueshme të tij në prag të zgjedhjeve të qershorit.

Ramiz Alia

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›