E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Do të rrisim kontingjentin e ushtarëve në Afganistan



Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e NATO-s është shprehur se Shqipëria do të shndërrojë në përgjegjësi besimin e dhënë nga vendet aleate. Ai bëri të ditur se qeveria do të rrisë kontingjentin e ushtarëve në Afganistan me një tjetër kompani. “Dëshiroj t’ju garantoj ju se këtë mal besimi që ju vendosët mbi ne do ta shndërrojmë në përgjegjësi të mëdha për konsolidimin e vlerave dhe parimeve që NATO-ja mbron dhe për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të Aleancës, në të gjitha misionet e saj të ruajtjes së paqes dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Duke përshëndetur vendimin e Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, për të përqendruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kam kënaqësinë t’ju informoj se qeveria ime do të shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesëmbëdhjetë mjekësh dhe infermierësh”, - është shprehur kryeministri Berisha, i cili e cilësoi ditën e djeshme historike për Shqipërinë.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›