E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Jemi mirenjohes per besimin

Ditë historike për Shqipërinë dje në Strasburg

Dorëzimi i traktateve të Uashingtonit nga Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, dje gjatë ditës së dytë të punimeve të Samitit të 60-të të NATO-s, shënoi dhe aderimin zyrtar të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Presidenti amerikan, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Aleanca mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, ndërsa ka përgëzuar dy vendet për arritjet dhe kontributin e dhënë në misionet paqeruajtëse. Më pas, Obama është ngritur nga tryeza e bisedimeve dhe ka shtrënguar duart me Presidentin shqiptar Bamir Topi dhe atë kroat Stipe Mesiç. Më pas Presidenti i SHBA-ve u ka dorëzuar dy presidentëve dokumentin e anëtarësimit. Në samit fjalën e ka marrë dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili ndërsa ka falënderuar vendet anëtare të NATO-s për pranimin e Shqipërisë në Aleancë, është shprehur se Shqipëria do të angazhohet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga aderimi në NATO.
Samiti
“Mirë se erdhët në NATO! Ne jemi të kënaqur për pjesëmarrjen tuaj në aleancën 60-vjeçare”. Ka qenë ky urimi i bërë nga Presidenti amerikan, Barak Obama, për Shqipërinë dhe Kroacinë, dy vendet që dje u ulën për herë të parë në tryezën e samitit si vende me të drejta të plota në NATO. “Është kënaqësi që ne ende presim anëtarë të rinj dhe është për t’u vënë në dukje se Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme, kjo me anë të kontigjenteve ushtarake që kanë dërguar në Afganistan, në një kontribut të rëndësishëm për Aleancën e Atlantikut Verior”, - vazhdoi Obama. “Unë ju përgëzoj edhe për arritjet tuaja dhe ne do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë në krah, në integrimin edhe më të madh tuajin në Aleancën Atlantike. Dyert mbeten të hapura për të gjitha vendet aspirante që do të përmbushin standardet e nevojshme”, - ka theksuar Obama.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, gjatë fjalës së tij ka theksuar se Shqipëria dhe Kroacia e meritojnë anëtarësimin në Aleancë.

Qëndrimi i Shqipërisë

Ndërsa presidenti Topi, nga ana e tij, e ka cilësuar privilegj përfaqësimin e Shqipërisë në këtë samit. “Ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar të përfaqësoj vendin tim në këtë samit jubilar e njëkohësisht shumë krenar që anëtarësimi i Shqipërisë kurorëzohet në këtë ditë të shënuar. Vij këtu për të sjellë mirënjohjen, falënderimin, miqësinë më të thellë të popullit shqiptar për Aleancën, për Ju të dashur aleatë, për parlamentet dhe qeveritë dhe për popujt miq të popullit shqiptar. Jam këtu, për t'Ju konfirmuar besnikërinë e përgjegjshme të Shqipërisë ndaj shpresave dhe besimit Tuaj në aspiratën e popullit tim për t'u integruar. Në përvjetorin e 20-të të shembjes së Murit të Berlinit, Shqipëria bëhet shembulli historik se si një popull, pasi përmbysi diktaturën më të ashpër dhe këputi zinxhirët e izolimit më të gjatë politik, vetëm sepse besoi në idealin e lirisë, në atë të të drejtave të njeriut dhe në kuptimin e plotë të fjalës demokraci, u bë anëtar i organizatës më të madhe, kampione të lirisë dhe të vlerave universale”, - është shprehur Topi. Ai ka theksuar se Shqipëria është në krah të vendeve demokratike të botës për shkak të angazhimeve pro paqes dhe stabilitetit dhe frymës bashkëpunuese në rajon dhe më gjerë. “Ne ndodhemi përkrah Jush sot sepse mbetemi të vendosur të përballemi dhe t’i fitojmë sfidat tona të brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake, sepse, nga sot, kontributi dhe roli aktiv e moderues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit do të kthehet në vlerë të shtuar të investimit për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm të tij, në mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës dhe në shëndoshjen e frymës së bashkëpunimit dhe të politikës së fqinjësisë së mirë për një të ardhme të përbashkët euroatlantike. Ushtarakët e Forcave tona të Armatosura do të jenë më krenarë se më parë, atje ku NATO do të luftojë për lirinë dhe demokracinë, atje ku siguria dhe paqja do të ndihem të kërcënuara, atje ku kontributi i tyre do t'u shërbejë fitores ndaj terrorizmit global dhe pasurimit të bashkëjetesës së qytetërimeve tona”, - është shprehur Topi, ndërsa ka vlerësuar si historike rikthimin e Francës në Aleancë. “Samiti i sotëm do të mbetet në histori edhe si dëshmia e mikpritjes dhe e miqësisë franko-gjermane e njëkohësisht si modeli se si dy kombe të mëdha gjetën forcën e madhe të mësonin nga e kaluara e tyre vetëm duke besuar në të ardhmen e tyre të përbashkët, në atë të ardhme që besojnë edhe shqiptarët sot”, - është shprehur presidenti shqiptar.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›