Rama: “Anëtarësimi në NATO të shërbejë si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme”
“Sot është një ditë historike për Shqipërinë. Kaluam ferrin e diktaturës për këtë ditë. Kurrë nuk nguruam që të bashkohemi me NATO-n. Asnjë popull i bashkuar sa ne. Kjo është festa juaj”, - kështu u është drejtuar kryesocialisti Edi Rama mijëra qytetarëve të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë, të cilët morën pjesë dje në ceremoninë festive të organizuar nga Bashkia e Tiranës, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka cilësuar moment historik dhe të paharrueshëm anëtarësimin e vendit në strukturën euroatlantike, teksa ka theksuar edhe një herë se kjo është një meritë e të gjithë shqiptarëve. Kjo ishte edhe arsyeja që gjatë fjalës që ai ka mbajtur gjatë ceremonisë festive u ka thënë të pranishmëve se festa për anëtarësimin e Shqipërisë është festa e tyre, festa e të gjithë shqiptarëve. Kreu i PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiaku Edi Rama më pas është ndalur në sukseset e mëtejshme që duhet të arrijë Shqipëria. Ai tha se anëtarësimi në NATO duhet të pasohet edhe nga anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama tha gjithashtu se ky anëtarësim duhet të shërbejë si garanci për politikën që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, teksa ai ka përsëritur edhe një herë kërkesën e domosdoshme që të gjithë shqiptarët të pajisen falas me karta identiteti, në mënyrë që të mos u mohohet e drejta e votimit. “Shqipëria në NATO nuk mund të kuptohet pa të drejtën e secilit për të luftuar lirisht dhe për të shprehur të drejtën e votës pavarësisht nëse është i varfër apo i pasur. Falë anëtarësimit në NATO, jemi më të vetëdijshëm se kurrë për domosdoshmërinë e garantimit të demokracisë. Duke bërë këtë, shumë shpejt do të festojmë edhe hyrjen në Bashkimin Europian”, - tha kryesocialisti Edi Rama.
6 Prill 2009