E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e deputetëve, partitë e vogla favorizojnë biznesmenët

Intelektualët nga fundi, të parët në listë biznesmenët.

Eljona Ballhysa
Tre muaj para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kryetarët e partive kanë filluar të bëjnë llogaritë për fushatën elektorale që ndodhet në prag. Për të organizuar një fushatë elektorale, cilësia e së cilës jo rrallë herë ka treguar se është vendimtare për një rezultat pozitiv në zgjedhje, kërkohen shumë para, ndërkohë që donatorët janë të paktë në një kohë të tillë krize ekonomike. Ndaj kryetarët e partive, veçanërisht ata të partive të vogla, kanë filluar të mendojnë mirë për organizimin e fushatës dhe burimin e parave. Burime informacioni kanë bërë të ditur për gazetën se më të favorizuarit në listat e deputetëve do të jenë biznesmenët, ndërsa intelektualët janë lënë nga mesi ose nga fundi i listës. Sipas tyre, biznesmenët favorizohen duke marrë postet më të mira që kanë një përqindje të lartë garancie për fitoren e një mandati në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që kontributi i tyre financiar është i domosdoshëm në organizimin e fushatës elektorale të partisë.
Financat
Arka e partive të vogla parashikohet të mbushet jo vetëm nga kontributi i kandidatëve biznesmenë, por edhe nga kontributi monetar i individëve të tjerë që aspirojnë të futen në politikë. Këta persona që nuk kanë pasur karrierë politike më parë, ose deputetët aktualë që rrezikojnë të mos rikandidohen, duhet të paguajnë për të zënë një vend në listë. Kjo është formula që i jep zgjidhje problemit të parave, të domosdoshme për të organizuar fushatën zgjedhore.
Në korridoret e politikës çdo ditë e më tepër po flitet për hapjen e “merkatos” së deputetëve. Shifra marramendëse që fillojnë me miliona lekë e përfundojnë me mijëra euro përfliten se duhen palosur mirë nëse vendos të kandidosh për deputet. Për një vend në listë është e domosdoshme të paguash. Kjo cilësohet ndihmë financiare për partinë, për zhvillimin e fushatës zgjedhore, por është një investim i sigurt për një mandat të sigurt deputeti. Mandej formula dihet, sa më shumë të paguash, aq më lart në listë do të jetë emri. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur se partitë kanë vendosur pak a shumë shifra standarde për një vend në listë. Por më të rëndësishme janë vendet e para në zonat elektorale që cilësohen si bastione të partive.
Partitë
Burimet bëjnë të ditur se për tenderat e deputetëve janë më të hapura partitë e vogla, ndërsa në partitë e mëdha shteg i lirë u është lënë personave influentë. Dy kryetarët e mëdhenj mësohet se nuk janë të përfshirë në të tilla pazare. Në PD dhe PS me “tregun” e kandidatëve për deputetët merren figurat dytësore ose të tretat, por që kanë besimin e lidershipit të partisë dhe fjala e tyre arrin të dëgjohet për një emër në listën e ardhshme të kandidatëve për deputetë. Ndërsa partitë e vogla dihet se janë më të monopolizuara dhe në dorë çelësin e financave e kanë vetë kryetarët, të cilët, të gjendur disi në krizë ekonomike, përballë partive të mëdha, për të qenë në lartësinë e të mëdhenjve në organizimin e një fushate zgjedhore, vendosin çmime për deputetët, në mënyrë që të rrisin financat e partisë. Burimet bëjnë të ditur se me afrimin e fushatës zgjedhore do të rritet dhe çmimi për një vend në listën e kandidatëve për deputetë.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›