E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet, shkrihen tre seksione në policinë e Tiranës

Lëvizjet Ndryshime edhe në krerët e sektorëve. Emërohet shefi i Sektorit të Antikrimit të organizuar

Shkrihen tre seksione në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke shtuar forcat në dy të tjerë dhe duke sjellë një sërë ndryshimesh në funksione. Ndryshimet janë realizuar dy ditë më parë, ku me valën e tyre është emëruar edhe shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Riorganizimi

Sa i përket shkrirjes së tre seksioneve në drejtorinë e kryeqytetit, burimet kanë shpjeguar se ky është një projekt që bazohet në organizimin e forcave të policisë, sipas rekomandimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat mësohet se nga Drejtoria e Qarkut Tiranë është bërë shkrirja e Seksionit të Mbrojtjes së të Miturve e Dhunës në Familje, Seksionit Kundër Akteve Terroriste dhe Seksionit Kundër Krimeve Seksuale e Lirisë së Personit. Duke parë që këto seksione nuk kanë pasur shumë veprimtari në punën e tyre, është vendosur që ato të shkrihen në seksione të tjera, me qëllim që efikasiteti i policisë të jetë më i lartë dhe në rastet e ngjarjeve të veçanta, oficerët dhe ekspertët mund të punojnë edhe nga seksionet e tjera. Në këto kushte, është vendosur që Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve e Dhunës në Familje të kalojë në Sektorin e Rendit. Oficerët e këtij seksioni kanë kaluar në varësi të rendit, pasi edhe shumica e veprimtarisë së këtij seksioni vjen prej informacioneve të mbledhura nga strukturat e rendit dhe lidhen direkt me gjykatën. Një pjesë e oficerëve të saj ka kaluar në rend, që do vazhdojnë të trajtojnë çështjet e dhunës në familje, ndërkohë që pjesa tjetër janë lënë në varësi të strukturave të hetimit të krimit për seksionet e tjera. Ndërsa dy të tjerat, përkatësisht Seksioni Kundër Akteve Terroriste dhe Seksioni Kundër Krimeve Seksuale e Lirisë së Personit kanë kaluar në varësi të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, ose siç njihet ndryshe si “seksioni i vrasjeve”. Aty janë bashkuar oficerët më të mirë të hetimit të krimit, sa u përket krimeve të rënda me qëllim përmirësimin e performancës së policisë. Brenda këtij seksioni, që merr përmasat e një sektori në polici, do të ketë oficerë me drejtime të ndryshme, duke mos lënë pa mbuluar qoftë krimet seksuale, pengmarrjet, apo edhe aktet terroriste. Megjithatë, numri i oficerëve dhe efektivëve brenda këtij seksioni do të jetë më i lartë, duke sjellë kështu mbledhjen në një strukturë të vetme të gjithë seksioneve që kanë pothuajse të njëjtën veprimtari.

Lëvizjet

Veç ndryshimit të tre seksioneve në policinë e kryeqytetit dhe lëvizjes së oficerëve të këtyre seksioneve në funksionet e tjera të përcaktuara, ka pasur edhe një sërë ndryshimesh të tjera. Burimet policore thanë se lëvizja më e rëndësishme ka qenë ajo e emërimit të shefit të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Sipas të dhënave, në krye të këtij sektori është vendosur kryekomisar Lorenc Meta. Deri dje, Meta mbante funksionin e shefit të Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar. Funksioni i shefit të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar ishte vakant, qëkur u la i lirë nga Maks Guri, që u emërua shef i Sektorit të Analizës. Ndërkaq, në krye të Seksionit Kundër Krimit Ekonomik është emëruar Bedri Gjoni. Ai ka pasur një lëvizje paralele, pasi mbante postin e shefit të Seksionit Kundër Pastrimit të Parave. Në këtë seksion është komanduar një oficer, deri në emërimin e një tjetër shefi. Veç tyre, nga shefa seksioni bien edhe tre personat që drejtonin seksionet që u shkrinë për shkak të riorganizimit të forcave policore. Lëvizje ka pasur edhe në nivel më të ulët, ku janë ndryshuar rreth 10 oficerë. Sipas të dhënave, këto lëvizje janë bërë brenda qarkut, pasi kishte mangësi oficerësh në seksione të ndryshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›