Incident me kryebashkiakun e Poliçanit
Një incident i ndodhur pasditen e së enjtes midis kreut të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, dhe një banori të këtij qyteti ka degjeneruar në një konflikt banal midis palëve. Burime të policisë bëjnë me dije se shtetasi Lake Shkëmbi ka replikuar me kreun e kësaj bashkie, çka ka vijuar me përplasje midis tyre. Sipas policisë, kryetari i Bashkisë së qytetit të Poliçanit Adriatik Zotkaj, është vënë në hetim nga ana e organeve të drejtësisë në Berat, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme uniformat blu kërkuan ndalimin e tij. Burime nga qyteti i Poliçanit bënë me dije se disa mjete policie janë vënë dje në kërkim të kryetarit të Bashkisë së Poliçanit dhe vëllait të tij, por nuk kanë arritur t’i ndalojnë. Zotkaj reagoi pas këtij incidenti, duke e cilësuar një provokim politik. Sipas Zotkajt këto janë provokime nga simpatizantë të papërgjegjshëm të LSI-së, të cilët herë pas here provokojnë e nxisin sherre. Në mbrojtje të kryetarit të bashkisë, Adriatik Zotkaj kanë dalë pushtetarë lokalë të majtë në Qarkun e Beratit, si dhe deputetët Erjon Braçe dhe Fidel Ylli. Ata e kanë cilësuar si provokative ngjarjen e ndodhur në protestën e organizuar në qytetin e Poliçanit. Deputeti i Skraparit, Fidel Ylli tha se “jemi më të bashkuar se kurrë dhe jo vetëm ne po të gjithë banorët do të shkojmë në Komisariatin e Beratit deri në zgjidhjen e këtij problemi”. Ylli ka ftuar simpatizantët e majtë që përtej kësaj ngjarjeje të vijojnë protestat deri në rrëzimin e kësaj qeverie. Erjon Braçe hodhi akuza më të ashpra, duke deklaruar se “jemi pikërisht një vit pas vrasjes së deputetit Xhindi dhe ende ngjarja është pa autor”.
#