E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kmer, pas hekurave, torturuesi i qendrës S-21

Kaing Guek Eav, 66 vjeç, i njohur si shoku "Duch" (që shqiptohet Doik), doli para dy ditësh përpara një gjykate speciale të përbërë nga 50 gjykatës vendas dhe ndërkombëtarë, vendosur disa dhjetëra kilometra larg Phnom Pehn. Ngjarja të sjell ndërmend fatin e Adolf Eishmanit, kriminelit nazist të dënuar në Jerusalem në vitin 1962 me varje. Pothuajse gjysmë shekulli më pas, edhe Doik duhet të japë llogari për gjenocidin kamboxhian, i pari i zhvilluar pas luftërave botërore, nga 17 prilli i vitit 1975 deri më 7 janar të vitit 1979, nën regjimin e Kmerëve të Kuq, të cilët sipas llogaritjeve shkaktuan më shumë se 2 milionë të vdekur. Dy milionë burra dhe gra janë vrarë nga Kmerët e Kuq të Pol Potit, nga torturat e tmerrshme të atyre viteve, apo në fushat e punës së detyruar. Gjenocidi kamboxhian ishte i pari i pasluftës dhe i dyti në rrjedhën e kohës edhe për sa u përket përmasave, në krahasim me atë të përgatitur nga nazistët kundër hebrenjve. Si Eishman, ashtu edhe Doik thotë se u është bindur urdhrave të regjimit të Pol Potit (që vdiq në vitin 1998, si pasojë e një ataku kardiak, edhe pse shumë mendojnë se është vrarë ose helmuar nga mjeku i tij). Sipas tij, urdhrat i jepte tjetërkush. Ato vinin të gjitha nga lart. Në dokumentet që shoqëronin të burgosurit thuhej në fund se ai duhej të vdiste me çdo kusht. "Nëse unë nuk do të kisha qenë dakord me urdhrat dhe do të kisha shfaqur shenja hezitimi për përmbushjen e tyre, shteti do të kishte vepruar mbi mua dhe familjen time në të njëjtën mënyrë siç kishte bërë ndaj të gjithë kundërshtarëve". Doik drejtonte qendrën S-21 (e vendosur në atë që dikur ishte shkolla e Toul Sleng, në një lagje të Phnom Penh), ku pyeteshin dhe torturoheshin ata që dyshoheshin se ishin armiqtë e "Angkar"-it, organizatës revolucionare që pak e nga pak u shndërrua në Partinë Komuniste të Kampuçea-s. Seancat e pyetjeve bëheshin me metoda shumë të ngjashme me ato të nazistëve. Viktimat fotografoheshin dhe deklaratat e tyre verbalizoheshin dhe arkivoheshin. Mjetet e torturës nuk ishin ndryshe nga ato të SS-ve gjermane dhe Gestapos. 17 mijë, nga 2 milionë viktimat, mes të cilëve kishte ish-zyrtarë partiakë, diplomatë, priftërinj, budistë, inxhinierë, mësues, muzikantë, apo shkrimtarë e artistë, u dërguan në godinën e një ish-shkolle të mesme në qendër të kryeqytetit të vendit, Phnom Penh. Dhe mijëra të tjerë, pasi torturoheshin, dërgoheshin bashkë me familjet e tyre në fushat e punës, ku kishin pak probabilitet për të mbijetuar. Nga shkollë, ajo ishte kthyer në një prej institucioneve të torturës më çnjerëzore të shekullit XX. Emri i koduar i qendrës ishte S-21 dhe drejtohej nga Doik. Gjatë një periudhe prej 40 muajsh, Doik kreu aty asgjësimin më brutal të të gjithë klasës intelektuale kamboxhiane dhe këtë e bëri me një gjakftohtësi të madhe. Rrëfimet nga të burgosurit nxirreshin përmes torturave primitive. Të burgosurit ishin vendosur në shtretër hekuri, disa vareshin kokëposhtë me litar për orë e ditë të tëra, të tjerë torturoheshin me thika e mjete të tjera të mprehta. Torturuesit ishin shpesh fëmijë 10-15 vjeçarë, që vinin nga fiset primitive, por të mësuar për të kryer veprime nga më çnjerëzoret ndaj të burgosurve, ose atyre që cilësoheshin si të dyshuar. Te të dyshuarit bënin pjesë të gjithë ata që për sa i përket përkatësisë sociale dhe edukimit perëndimor, konsideroheshin si armiqtë e "Angkar"-it. Kaing Guek Eav, i njohur si "shoku Doik", na bën ta krahasojmë me Eishmanin, dhe jo vetëm sepse si kriminel nazist mbrohej duke thënë se "nuk mund të mos u bindesha urdhrave". Në atë kohë, varja e Eishmanit ndezi një polemikë të madhe mes intelektualëve hebrenj. Disa thanë se me vendimin gjyqësor të Jerusalemit, izraelitët i kishin ndihmuar gjermanët "të pastronin të kaluarën e tyre". Hanah Arendt, Martin Bubere dhe Yeshayahu Leibovitz përdorën argumente të ndryshme, por kritikuan mënyrën se si ishte zhvilluar procesi gjyqësor. Nëse pranohet parimi i dënimit kapital, nuk ka asnjë dyshim për faktin që Eishman e meritonte. Tani Doik ka të njëjtin rol që intelektualët hebrenj i caktuan Eishmanit. Ai nuk rrezikon dënimin me vdekje, sepse gjykata ndërkombëtare që po e gjykon e ka të përjashtuar. Megjithatë, dënimi i tij, cilido qoftë, do të ndihmojë shumë kamboxhianë të mbyllin atë kapitull të së shkuarës së tyre. Dënimi i tij, mbi të gjitha, do të ndihmojë ish-Kmerët e Kuq që sot janë në pushtet dhe që mezi po presin ta mbyllin atë kapitull të përgjakshëm të historisë, pjesë e së cilës në një farë mënyre kanë qenë edhe vetë. U deshën më shumë se 30 vjet për të ndërtuar një gjykatë speciale dhe njerëz më të rëndësishëm se "torturuesi" Doik jetojnë akoma në burg, në pritje të procesit gjyqësor. Mes tyre, Noun Chea, Jeng Sars, gruaja e tij Ieng Thirith, Khieu Samphan. Doik ra në grackë falë një fotografi irlandez, që dhjetë vjet më parë e zbuloi teksa "luante" rolin e një anëtari të një organizate humanitare. Ishte konvertuar si i krishterë. Sa për histori, gjenocidi kamboxhian, ose më mirë ideja origjinale, lindi në rrugën "Saint andre des Arts" në Francë. Pikërisht aty, në një prej lagjeve më të rafinuara të Parisit, Saloth Sar, ose ndryshe Pol Poti, dhe Ieng Sary, së bashku me dy motrat elegante që u bënë bashkëshortet e tyre, Tirith dhe Panary, nisën të mendonin për revolucionin. Erdhën në Francë me bursa studimi, por frekuentuan, sidomos në fillimet e viteve ‘50, celulat e partisë komuniste franceze, pjesë e së cilës ishte edhe Pol Poti. Kërkonin të ndërtonin në Kamboxhian e largët një shoqëri perfekte. Për të ringjallur qytetërimin antik, kmerët u përpoqën të bënin një revolucion të përshtatshëm për realitetin e vendit të tyre, duke dashur të evitojnë gabimet e bëra nga revolucionarët perëndimorë; shumë prej të cilave kishin dështuar ose ishin drejt dështimit, sepse nuk i kishin liruar shoqëritë e tyre nga klasat borgjeze, nga traditat, nga kulturat e tyre. Pol Poti kishte mobilizuar njerëzit nga provincat e largëta kamboxhiane, të edukuar dhe mësuar siç i kërkonte detyra. Në shkollën e Tuol Sleng, ku Doik zbatonte urdhrat, të rinjtë me moshë 10-15 vjeçare, të ardhur nga provincat e largëta, merrnin pjesë në tortura. Ishin edukuar të mos besonin dhe të urrenin të gjithë ata që ishin kontaminuar nga të huajt. Urrenin qytetet dhe njerëzit që banonin aty. Për këtë arsye, Kmerët e Kuq, kur arritën ta shtinin në dorë, e boshatisën Phnom Penh si të ishte kosh plehrash. Nisën të vrisnin të gjithë ata që flisnin gjuhë të huaja apo frekuentonin shkollat e tyre. Kmerët e Kuq ishin një lëvizje ekstremiste marksiste, e cila kishte për synim ta çonte vendin në "Vitin O", ta shkëpuste nga pjesa tjetër e botës dhe të ndërtonte në vend vizionin e liderëve komunistë, ose të ashtuquajturën "utopi agrare".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›