1 milion dollarë të hedhur në erë?

Tirana, rekordmenia shqiptare, është duke kaluar një nga momentet më të vështira në 15 vitet e fundit. E shpërfytyruar në lojë, e c'organizuar në drejtim, e dështuar në merkato, pa shpresë për titull, me tre trajnerë të brenda 22 javëve. Një kosto financiare që ka një faturë 1 milion dollarë për 23-herë kampionët, që shpresojnë të fitojnë Kupën e Shqipërisë.
"Të katër donatorët, - tha një burim nga klubi", - japin secili nga 250 mijë dollarë për një sezon te Tirana. Dhe ky është viti i katërt i tyre". Në fakt, Klubi i Futbollit "Tirana" është në pronësi dhe në varësi të Bashkisë së Tiranës.
"Bashkia paguan një pjesë jo të vogël, - shton burimi. "Ajo paguan të gjitha shpenzimet që kryen klubi në ndeshjet në transfertë, duke filluar nga akomodimi në hotele e deri te detajet më të parëndësishme në dukje". Gjatë një sezoni (33 javë, të ndara në tri faza) Tirana luan gjysmën e ndeshjeve jashtë (16-17 ndeshje).
"Fatura arrin deri në 200 mijë dollarë, pasi në shpenzimet hyjnë edhe pagat e 14 punonjësve të klubit, por edhe ato të mirëmbajtjes së stadiumit "Selman Stërmasi" apo fushës stërvitore "Skënder Halili".
Gjithsesi, të gjitha të ardhurat që krijohen nga shitja e biletave në "Selman Stërmasi" apo dhe dhënia me qira e stadiumit në rastet kur luan Dinamo apo dhe Partizani arkëtohen në Bashkinë e kryeqytetit. Për ndeshjen e Kupës së Shqipëirisë, Dinamo-Partizani, klubi dinamovit do të paguajë 150 mijë lekë.