Muca: “Vendimi personal, jo presion i donatorëve”

"Unë kam përgjegjësitë e mia si cdo drejtues për këtë gjendje jo të zakonshme", - tha ish-sekretari i KF Tirana, Shkëlqim Muca, në daljen e parë publike për mediat, pas zyrtarizimit të dorëheqjes së tij nga funksioni më i lartë administrativ i 23-herë kampioneve. "Është një vendim që e kam marrë personalisht dhe i pa ndikuar nga askush. Është një vendim në një situatë jo të zakonshme për klubin. E them me plot bindje se nuk është një vendim i marrë nga kjo situatë....
"Arsyeja kryesore nuk ka të bëjë me rezultatet. Te Tirana ka filluar një proces transformimi i klubit, që ka të bëjë me shndërrimin në një shoqëri aksionere për ta cuar më pas drejt privatizimit. Unë jam pjesë e këtij procesi duke qenë drejtues. Sic e dini, unë brenda këtyre njerëzve (donatorëve) që po merren me këtë zhvillim, kam njerëz të familjes sime (Muca është baxhanaku i donatorit Agron Papuli). Për të shmangur të gjitha aludimet dhe për ta bërë sa më transparent procesin, për të mos aluduar edhe njerëzit për njëanshmëri, që të mos ekzistojë edhe konflikti i interesave mendova si zgjidhjen më të mirë dorëheqjen".
Muca, një prodhim i pastër i shkollës bardheblu ("Jam i lidhur me këtë klub, qysh në moshën 14-15 vjec",- tha ai), lëshon diagonalisht edhe një akuzë jo të parëndësishme. "Ka pasur aludime kohët e fundit, të cilat i kam dëgjuar shpesh nëpër media, edhe pse ato në të vërtetë nuk janë zyrtare dhe nuk vinin nga brenda klubit. Aludimet në media pohonin sikur unë jam për njëanshmëri dhe për të favorizuar njerëzit e familjes sime".
Ish-shefi i Tiranës shton: "Është një periudhë që unë të jem sa më i qetë. Për këtë arsye dhashë edhe dorëheqjen që të marrin fund edhe këto aludime".
Ish-trajneri nuk harron: "Dua të falënderoj donatorët e Tiranës, gjithë stafin, futbollistët, me të cilët kemi punuar gjatë këtyre viteve, shumë të bukura për mua në drejtim, pasi kemi fituar shumë trofe. Nuk ka qenë merita vetëm e imja, por e të gjithëve, donatorëve, futbollistëve, stafeve të ndryshme që kanë drejtuar".
Muca nga pozita e të dorëhequrit shton: "Të gjithë do të mbeten miq për mua. Jam gati të kontribuoj me të gjitha forcat për Tiranën. Jam gjithmonë gati për të. E përsëris ishte një vendim i vështirë për mua, pro tani që e morra jam shumë i qetë. Sërish trajer? Pse jo, ende jam i ri".
Por ish-sekretari lëshon edhe një shigjetë, goxha të helmatosur: "Donatorët, këta njerëz që investojnë jo pak, por duhet të rrisin profesionalizmin e tyre që punët të shkojnë sa më mirë. Dëshiroj që këta njerëz që investojnë prej vitesh shuma të mëdha të bëhen pronarë të ardhshëm të klubit".
Por edhe një peng i vogël për ish-drejtuesin: "Jam munduar të bëj shumë për klubin, të kishim një infrastrukturë sa më të mirë. Do të doja të bënim edhe një stadium modern", - përfundoi trajneri që e nxori për herë të fundit kampion Tiranën, në sezonin 2006-2007.