Sokol Jareci: “Kryebashkiaku Gjika pas ndeshjes më tha...”

EKSKLUZIVE- I vlerësuar për profesionalizëm nga ekspertët, por dhe i akuzuar për njëanshmëri nga presidentë skuadrash; i preferuar për ndeshjet e mëdha nga trajnerët, por i ndodhur edhe në "listën e zezë" të disa klubeve. Gjyqtari shqiptar me stemën e FIFA-s, Sokol Jareci, i ndodhur në qendër të mllefit vlonjat pas barazimit 2-2 në Flamurtari-Teuta, flet ekskluzivisht për Albania-sport.com, ku tregon dialogun me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, njëherësh edhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika në lidhje me golin e barazimit të Teutës në minutën e 94'.
Sharjet ndaj gjyqtarit ishin të shumta në përfundimit të takiit, madje nga tribuna kryesore e stadiumit "Flamurtari" u hodhën pa asnjë hezitim shishe, por dhe sende të forta. "Gjykoj që nga viti 1990, por atë që më ndodhi në Vlorë nuk e kam përjetuar kurrë", - thotë Jareci. "Për mua mbetet një eksperiencë e hidhur, por megjithatë më duhet të pranoj se ky realiteti ynë", - tha gjyqtari që ka drejtuar më shumë se 400 ndeshje në Shqipëri dhe 35 takime ndërkombëtare (që nga viti 2000).
"Është e papranueshme që një gjyqtar të sulmohet në atë mënyrë. Nuk dua të ve theksi i dëmtimit të imazhit të tij apo klasës së gjyqtarëve në tërësi, por mbi të gjitha prish imazhin e ambientit sportiv. Ka forma të ndryshme të protestave, hedhja e gurëve apo shisheve është kulmi dhe ekstremi i gjërave. Kemi gjykuar shumë ndeshje jashtë shtetit, por nuk kemi parë kurrë sjellje të atilla". Sa ndryshon gjykimi i një ndeshjeje në Tiranë nga ato në rrethe? Në Tiranë është shumë më lehtë, gjyqtari nuk e ndjen presionin e tifozerisë vendase. Kur gjykon një ndeshje derbi Tirana-Partizani, Dinamo-Tirana, Partizani-Dinamo, ndihesh njëlloj sikur gjykon një ndeshje ndërkombëtare. Pastaj, kur kalon në stadiume, sidomos në kategorinë e parë, gjithcka ndryshon. Siguria është më e vogël se në Kategorinë Superiore.
Pas përfundimi të takimit, Jareci u kontaktua në ambientet e brendshme të stadiumit nga krybashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. "Folëm në dhomat e zhveshjes, biseduam. Kryetari ishte pak i revoltuar. Është një person për të cilin unë kam një respekt maksimal. Është një njeri që e mbështet futbollin. ‘Na ndëshkove pa të drejtë', më tha Gjika. I thashë se për momentin ke të drejtë të jesh i irrituar, por kur të shohësh kronikën e ndeshjes do të konstatosh se goli i Teutës ishte i rregullt. Nga pozicioni që unë isha në fushë, goli i rregullt".
Jareci nuk pranon kurrsesi se Vlora është një fushë e vështirë. "Nuk mund të bëj një krahasim të tillë. Absolutisht jo. Tifozeria vlonjate njihet për entuziazmin e saj dhe ka mënyrën e saj të shprehurit, edhe pse ndonjëherë nuk është e pranueshme për ne. Megjithatë, ka raste që është edhe objektive, por absolutisht nuk duhet ngatëruar me ambientin që u krijua pas ndeshjes Flamurtari-Teuta. Jareci si me incidentet e Bardhyl Pashaj në Vlorë? Në asnjë mënyrë jo!. Në fushë kishte një fair-play të jashtëzakonshëm, lojtarë që luanin me dëshirë. Sërish në Vlorë? Shkoj me kënaqësi"