E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 deputetë kërkesë: Prizreni të bëhet kryeqytet

Prishtinë -Dhjetë deputetë të Parlamentit të Kosovës kanë kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në seancën e radhës të fusë në rend dite kërkesën për të debatuar dhe marrë vendim që Prizreni të shpallet kryeqytet i Republikës së Kosovës. “Kërkojmë që pas debatit dhe vendimit, Parlamenti i Kosovës të obligoj Qeverinë e Kosovës që të përgatis infrastrukturën ligjore për t’u bartur administrata e shtetit të Kosovës në Prizren më 10 qershor 2016”, thuhet në kërkesën e 10 deputetëve.

Sipas tyre, kërkesa që Prizreni të shpallet kryeqytet i Kosovës mbi të gjitha përkon me rëndësinë historike që ka ky qytet për popullatën e Kosovës në përgjithësi dhe për popullin shqiptar në veçanti. 10 deputetët që kanë parashtruar kërkesën janë: Zafir Berisha, Hajredin Kuqi, Rita Hajzeraj- Beqaj, Gani Geci, Driton Tali, Shkumbim Demalijaj, Numan Baliq, Ibrahim SH Makolli, Ibrahim Selmanaj dhe Naser Rugova.

Prizreni në periudha të caktuara historike ishte qendër e vilajetit, vendlindja e shtetit te parë autonom shqiptar, ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa prej 17 dhjetorit 1944 e deri më 31 dhjetor 1946 u rizgjodh kryeqendër e Kosovës. (GE/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›