10 dëshmitarë kundër dy mjekëve
Akuza ka kërkuar 10 dëshmitarë për të provuar fajin e dy mjekëve në vdekjen e fëmijës Orgest Dardha. Trupi gjykues ka pranuar listën e dëshmitarëve të paraqitur nga prokuroria, si dhe kërkesën e kësaj të fundit për të sjellë në gjykatë edhe ekspertët që kanë bërë ekspertizën mjeko-ligjore. Mjeku Ramazan Isufi dhe anestezisti-reanimator, Bensar Shuteriqi, janë akuzuar për veprën penale "Mjekim i pakujdesshëm", parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal. Sipas akuzës, fëmija 16-muajsh nga Dibra ka vdekur si pasojë e një mbidoze anestezie që i është dhënë nga anestezisti. Por në ngjarjen e 9 tetorit të vitit 2006 organi i akuzës ka vërejtur edhe një sërë mangësish të tjera në punën e mjekëve që përbëjnë elementë të mjekimit të pakujdesshëm. Në listën e dëshmitarëve të kërkuar nga prokuroria, përveç gjyshit të fëmijës, Luan Dardha, janë edhe kryeinfermierja Kristina Marku, Veli Zavalani, Drita Beqo, Vinsent Gjergji, Vera Pëllumbi etj.