E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 vjet burg për trafikimin e minorenes

Trafikimi dhe shfrytëzimi si lypëse i një vajze në moshë të mitur i ka kushtuar 7 vjet heqje lirie një 42-vjeçari nga Fieri. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur dje fajtor Ramazan Dudën, për veprën penale të "Trafikimit të të miturve", e parashikuar nga neni 128/b-1 i Kodit Penal dhe e ka dënuar atë me 7 vjet heqje lirie. Ramazan Duda ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar, pas denoncimit të bërë nga 13-vjeçarja Suzana D. Vajza ishte marrë nga qyteti i Kavajës, ku jetonte dhe ishte dërguar në Fier. Aty Duda e kishte detyruar të lypte në bulevardin kryesor të qytetit. Sipas dëshmisë së vetë vajzës në gjykatë, ajo kishte punuar për rreth dy vjet dhe fitimet i kishte marrë të gjitha 42-vjeçari. Gjatë pretencës së tij, prokurori i çështjes kishte kërkuar që Duda të dënohej me 9 vjet heqje lirie dhe një gjobë prej 400 mijë lekësh. Dje gjykata ka dhënë vendimin përfundimtar, duke e dërguar 42-vjeçarin për shtatë vitet e ardhshme pas hekurave të burgut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›