E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 ditë afat për Assadin

Fuqitë perëndimore hartuan një projekt-rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do t’ia jepte presidentit të Sirisë, Bashar Al Assad, 10 ditë në dispozicion për të nisur zbatimin e planit për paqe të Kofi Annanit e në rast se nuk ndodh kjo, të përballet me sanksione.

Raportet thonë se teksti i mbështetur nga Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kërcënon me sanksione jo-ushtarake, në rast se regjimi i Assadit nuk zbaton planin për armëpushim të Annanit.

Rusia dhe Kina, që kanë të drejtën e Veto-s në Këshillin e Sigurimit, kanë refuzuar t’i mbështesin përpjekjet e deritashme për imponimin e sanksioneve.

Në anën tjetër, Annan tha se Irani dhe Iraku mbështesin planin për një tranzicion politik të udhëhequr nga Siria në Damask.

Komentet e tij për këtë çështje Annan i bëri në një konferencë për media, pas raportimit në Këshillin e Sigurimit për vizitat në Siri, Iran dhe Irak.

Annan ka theksuar vazhdimisht nevojën e përfshirjes së Iranit në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje paqësore për krizën në Siri, pavarësisht rolit të shteteve perëndimore.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se roli i Iranit në Siri nuk ka qenë produktiv, ndërsa shfaqi interesimin e Washingtonit rreth bashkëpunimit me shtetet që do të ishin më konstruktive.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›