E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish seanca për Tymoschenkon

Gjykata e Lartë në Ukrainë shtyu, për të tretën herë më radhë, dëgjimin e ankesës së ish-kryeministres, Yulia Tymoschenko, rreth dënimit të saj me burg.

Gjykata në Kiev i dha të enjten leje prokurorisë për një shtyrje të sërishme, duke cituar nevojën për një vlerësim të ri mbi gjendjen shëndetësore të së akuzuarës.

Seanca, rrjedhimisht, u shty për datën 16 gusht.

Tymoschenko po trajtohet në spital për shkak të problemeve me shpinë dhe për këtë arsye nuk mori pjesë në seancën e fundit.

Ajo po kryen tashmë dënimin me burg prej shtatë vitesh, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare lidhur me marrëveshjen e dikurshme për energji me një kompani ruse, në kohën kur ishte kryeministre.

Në një rast tjetër, ajo akuzohet gjithashtu për shmangie nga tatimet.

Mbështetësit e Tymoschenkos thonë se rastet kundër saj janë politikisht të motivuara, ndërsa BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar burgimin e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›