E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 kërkesa nga Vetëvendosja

Anetaret e levizjes kontestatore thone se do t'u dergojne autoriteteve nje liste prej dhjete kerkesash per vendosjen e plote te pavaresise se Kosoves

Lëvizja “Vetëvendosje” vlerëson se Kosova nuk mund të jetë e pavarur, derisa të mos e shtrijë autoritetin e saj në tërë territorin e vendit. Lëvizja “Vetëvendosje” do t’u dërgojë nesër institucioneve të Republikës së Kosovës letrën me 10 propozimet drejt pavarësimit të plotë të vendit. Drejtuesit e saj vlerësojnë së Kosova me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga një numër shtetesh ka krijuar vetëm formë, por jo edhe përmbajtje. Ata theksojnë se nuk mund të ketë pavarësi, derisa institucionet e Kosovës të mos mund të shtrijnë autoritetin e tyre në territorin e mbarë vendit dhe të vazhdojnë të zotohen për zbatimin e pakos së Ahtisarit. “Vetëvendosja” kërkon që Presidenti i Republikës së Kosovës menjëherë të urdhërojë krijimin e ushtrisë së shtetit të ri, si garantuese e ruajtjes së tërësisë territoriale. Albin Kurti, lider i “Vetëvendosjes”, kërkon të ndalohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe vizita e ministrave serbë nëpër enklavat serbe. “Vetëvendosja” kërkon që Kuvendi i Kosovës bashkë me pakon e Ahtisarit të kthejë edhe draftkushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo kërkon gjithashtu krijimin e menjëhershëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. “Vetëvendosja” përsërit qëndrimin e saj për largimin e misionit të UNMIK-ut dhe atij të EULEX-it. “Qeveria e Kosovës është në përfundim të përgatitjeve për projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes”, njoftoi nderkaq zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Sipas tij, Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë këtë projektligj dhe ai të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të kushtetutës së re, që duhet të ndodhë në fillim të muajit prill. Projektligji parashikon formimin e forcave të armatosura të Kosovës, të cilat edhe simbolikisht do të marrin pjesë në operacionet e NATO-s. Forcat e Armatosura më pas do të duhet të formojnë Armatën e Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›