E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontratat milionere të MEICO

Kombinati i Poliçanit dhe ndërmarrja Meico, pafundësi kontratash për demontimin e armatimit. Përfitimet nga municionet 168 milionë lekë

Kompania shtetërore “Meico” fitonte të ardhura pa fund nga demontimi i armatimit ushtarak. Konkretisht, pas demontimit të municioneve në Kombinatin e Poliçanit, mbetjet e së cilave shiteshin, kompania shtetërore ka fituar 168 milionë lekë të reja. Të ardhurat bëhen publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij vjetor për vitin 2007. Po ashtu, çmimi i shitjes për copë të armatimit përcaktohej nga Ministria e Mbrojtjes dhe për kombinatin mekanik të Poliçanit, çmimi i shitjes për copë ishte 46.24 lekë. Pra, procesi i demontimit si nga ana e marketingut, ashtu edhe në administrim është drejtuar kryesisht nga ndërmarrja “Meico”, e cila ka patuar të gjitha atributet e kryerjes së veprimeve në zbatimin e këtij procesi. Për vitin 2005, kombinati ka krijuar të ardhura në vlerë totale 56 268 434 lekë dhe për vitin 2006 janë krijuar të ardhura në vlerë 16 355 382 lekë, nga këto ndërmarrjes “Meico” i janë likuiduar të ardhurat përkatësisht: për vitin 2004 vlera 105 936 632 lekë, për vitin 2005 vlera 58 643 146 lekë dhe për vitin 2006, vlera 3 250 660 lekë. Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2004 deri në 8-mujorin e vitit 2007, e drejta e vendosjes së çmimit të shitjes i është hequr kombinatit të Poliçanit dhe i është dhënë ndërmarrjes ushtarake “Meico”, si ndërmarrje e specializuar dhe e ngarkuar të kryejë të gjithë ankandet për shitjen e produkteve të dala nga demontimi. Ndërsa, kombinati në Poliçan ka kryer funksionin vetëm si zbatues kontrate të lidhur nga “Meico”, kjo mbështetur në autorizimin nr. 5235/1, datë 14. 07. 2006, “Për lidhje dhe zbatim kontrate”, nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është zbatuar vetëm për katër subjekte që kanë fituar në ankandin e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes sipas njoftim-fituesve. Po ashtu, në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se nga kombinati mekanik në Poliçan dhe ndërmarrja “Meico” janë lidhur kontrata të ndryshme për demontimin e armatimit, ku janë përcaktuar afatet dhe vlerat sipas llojeve të armatimit me urdhër të ministrit, sipas aktrakordimeve dhe koeficienteve të caktuar (normativave) të miratuara nga komisioni i përbashkët i Ministrisë dhe kombinatit të Poliçanit. Po kështu, me miratim të këshillit drejtues është hartuar kostoja e demontimit për njësi, ku krahas shpenzimeve të drejtpërdrejta, si pagat e punës dhe shpenzime mekanike etj., në strukturën e kostos janë parashikuar edhe shpenzime të përgjithshme në masën 70-80 për qind e kostos materiale e teknike. Ky tregues nuk është i drejtë, pasi në strukturën e kostos, ndërmarrja duhet të kishte bërë detajimin e kostos, duke e ndarë në: shpenzime të përgjithshme direkte, të cilat ishin deri 10 për qind, ndërsa diferenca tjetër prej 60-80 për qindësh përbëhet nga: shpenzimet për mbajtjen në punë të punonjësve të nevojshëm, si administrata, punonjësit e zjarrfikëseve, roje, punëtorët e ujësjellësit të ndërmarrjes, energjia elektrike për gjithë kombinatin etj. Nga ndërmarrja “Meico” është caktuar çmimi si porositës dhe llogaritjet janë brenda çmimit, duke qenë se kombinati është një subjekt shtetëror me vetëfinancim i regjistruar pranë Degës së Tatimeve në Skrapar dhe për aktivitetin ekonomiko-financiar paraqet bilancin kontabël. Vendosja e çmimit është bërë në marrëveshje me Komisionin e Negocimit në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili ka vendosur kufirin e çmimit dhe në këtë rast, preventivi apo kostoja nuk është me fuqi ndikuese në kushtet e tregut, ku çmimi është vendimtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›