E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programet nuk ndryshojnë

Andis Harasani

PD dhe PS thone se s'kane ndermend te ndryshojne programet me rastin e reformes elektorale. Andis Harasani dhe Aleksander Biberaj argumentojne perse

 SSSAASS SSSAASSProgrami politik i partive shqiptare nuk pritet të ketë ndryshime nëse sistemi elektoral do të jetë ai proporcional rajonal. Problemin më serioz mund ta kenë kandidatët dhe aspak partitë. Zyrtarët socialistë dhe demokratë, Andis Harasani dhe Aleksandër Biberaj, i thanë “Korrierit”, se sistemet zgjedhorë nuk reflektojnë problem në programin e partive dhe as të ketë lidhje mes tyre. Sipas socialistit Andis Harasani dhe demokratit Aleksandër Biberaj, ndryshime do të ketë vetëm në mënyrën e të bërit fushatë elektorale dhe programet që do të paraqesin kandidatët për deputetë të 12 rajoneve, siç mendohet aktualisht të ndërtohet me sistemin proporcional rajonal. Sekretari i Programit Politik të PS-së, Andis Harasani, mendon se çdo sistem që mund të zgjidhet, nuk do të reflektojë në programin politik të Partisë Socialiste, që siç dihet, është duke u ndërtuar, bazuar në konsultat me popullin dhe mendimin e ekspertëve të pavarur. “Mendoj që duhet të presim se në çfarë sistemi do të hyjmë në zgjedhje dhe jam i bindur që kushdo që të jetë, sistemin nuk do ta reflektojë në programin politik të partive, pasi do të jetë e njëjta logjikë. Do të jetë i njëjti qëllim që partitë i kanë vënë vetes, për të çuar Shqipërinë përpara, në bazë të programeve që këto parti kanë”, - i tha ai “Korrierit”. I të njëjtit mendim është edhe deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. “Nuk shoh ndonjë lidhje reale ndërmjet sistemit zgjedhor dhe programit politik të partive, pasi dihet që çdo parti ka programin e vet, ka filozofinë e vet. Kuptohet që sistemet që bazohen në mazhoritar në përgjithësi, kanë fushata ndërmjet individëve, të cilat në momente të caktuara edhe ashpërsohen. Sistemi proporcional konsiderohet një sistem ku fushatat nuk e kanë atë ashpërsi, pasi fushatat bëhen në nivel qendror ose rajonal, por jo në nivel personal ndërmjet kandidatëve dhe kjo e lehtëson disi elementin agresiv në fushatë”, - shprehet Biberaj. Por, mesa duket, efektet ndryshimit të sistemit elektoral do të reflektojnë ndikime në fushatat e kandidatëve, çka pranohet nga dy përfaqësuesit e partive më të mëdha në vend. Ja si i shikon sekretari i Programit Politik të PS-së, Andis Harasani, efektet e sistemit proporcional rajonal, nëse do të jetë pikërisht ky propozim i socialistëve që do të miratohet në Kuvend: “Nuk do ketë më deputetë që do të shkojnë në një zonë të caktuar, por do të kemi një grup deputetësh të një rrethi të caktuar, të cilët do të shkojnë të gjithë bashkë, ndoshta dy e nga dy, ndoshta tre e nga tre, nëpër zona të caktuara dhe do të merren me problemet e zonës dhe do të mundohen që t’u japin zgjidhje këtyre problemeve me aq mundësi sa kanë deputetët. Duke theksuar gjithmonë, që roli i deputetit nuk është roli i punonjësit të komunales që rregullon ujin, dritat apo rrugën në një zonë të caktuar, por i zgjidh problemet në nivele makro dhe mundohet të krijojë ligje sa më fleksible dhe sa më të dobishme në Parlament”. Ndërkaq, edhe Aleksandër Biberaj i PD-së mendon se ndryshimi i sistemit në proporcional rajonal ka të bëjë më shumë me taktikën e të bërit fushatë elektorale të kandidatëve. Ai thekson se në zgjedhjet e përgjithshme ka një program qendror që bëhet nga parti në qendër dhe shpaloset nga lidershipi i partisë, kurse në nivel rajonal çdo kandidat bën programin e vet elektoral. “Nëse atëherë kam bërë programin për zonën time elektorale, tani do të jenë deputetët e një rajoni, që do të mblidhen e do të bëjnë një program për të, i cili përsëri mund të detajohet për problemet dhe shqetësimet që ka rrethi, në qoftë se bëjmë një ekuivalencë me zonat elektorale, pra bashkitë dhe komunat. Por duhet të kemi parasysh që nuk janë zgjedhje lokale, kështu që programi nuk do të jetë i detajuar në nivel komune ose bashkie, por do të thosha në nivel zone elektorale, siç janë sot, apo në nivel rrethi siç ka qenë organizimi dikur”, - shprehet Biberaj. Ai shton që, nëse implementohet sistemi proporcional rajonal, kandidatët do të kenë edhe një program për qarqet apo prefekturat ku do të kandidojnë. Ai shton se proporcionali i pastër do të kishte një program qendror dhe nuk do të kishte hapësira për programe individuale. Vetë Biberaj shton se, cilido qoftë sistemi që do të marrë shumicën e votave, nuk duhet të shkëpusë lidhjen mes deputetëve dhe zonave elektorale. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›