Të ikë "bariu", jo Bahriu

Arben Isaraj i PS thotë se fajtor për Gërdecin është Berisha dhe jo SHISH-i, kurse Dashamir Sula nga PD mundohet të justifikoje sulmin e Berishes mbi sherbimet sekrete
Thirrja e kryeministrit Sali Berisha për reformim në Shërbimet Sekrete Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë në ligjin që normon veprimtarinë e këtyre shërbimeve, ndajnë deputetët e mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Berisha një pjesë të fajit për tragjedinë e Gërdecit ia faturoi edhe Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili nuk kishte njoftuar për atë çka po ndodhte në këtë zonë të vendit. Mendimin e kreut të qeverisë për reformim në Shërbimet Sekrete e mbështet deputeti i Partisë Demokratike, Dashamir Sula. Ai thotë se është e nevojshme të shihen kompetencat që ka SHISH-i dhe agjentët e tij. “Duhen parë lëvizjet që kanë në terren. SHISH-i është mbyllur tek zyrat”, tha ai. Sipas Sulës, Shërbimeve Sekrete u përcaktohen kolonat sesi funksionon, pastaj kanë aktet e veta nënligjore për funksionimin, si shpërndahen, personat e infiltruar dhe të shtrirë në terren etj. “Problemi nuk duhet të jetë thjesht në konstatimin e çështjes dhe këtu është defekti më i madh. Këto grumbullojnë informacione ose materiale dhe i mbajnë nëpër dosjet e tyre”, thotë ai. Sipas tij, SHISH-i nuk duhet të mjaftohet vetëm me dhënie informacioni, por edhe të reagojë. Por deputeti socialist, Arben Isaraj, nuk heziton t’u kundërvihet deklaratave të Berishës dhe idesë së tij për reformat. Madje ai bën edhe një paralelizëm mes tragjedisë së Gërdecit dhe asaj të 11 shtatorit 2001, kur avionët e rrëmbyer nga terroristët e Al Kaedës goditën Kullat Binjake në Nju Jork. “Nuk mund të heqësh paralele midis Berishës dhe Bushit, siç nuk ka ngjashmëri midis Kullave Binjake dhe Gërdecit, sepse Bushi nuk i kishte dhënë Kullat Binjake në përdorim të Al Kaedës, ku kjo e fundit të demontonte raketat e SHBA-ve. Në të kundërt, Berisha dhe shteti i tij i korruptuar i ofroi mafies dhe kontrabandistëve ndërkombëtarë armët, municionet dhe repartet shqiptare në funksion të vetëm një gjëje: korrupsionit që veç pasoja kriminale do të sillte”, thotë Isaraj. Sipas tij, pas 11 shtatorit, Presidenti amerikan, Bush, nuk kërkoi ndryshime në ligjin mbi CIA-n apo FBI-në. Ai thotë se shteti amerikan nuk funksionoi dhe të gjithë ishin të bindur se fajin nuk e kishte ligji, por strukturat shtetërore që nuk funksionuan. “Në Shqipëri sot, legjislacioni mbi institucionet e sigurisë dhe teknologjisë së vjeljes dhe përpunimit të informacionit është bashkëkohor. Vetë Gërdeci tregoi se ligji dhe aktet nënligjore ekzistonin, përkundrazi ato u shkelën në mënyrë flagrante nga institucionet përgjegjëse të çdo fushe”, nënvizoi Isaraj. Ai thotë se arsyeja lidhet me faktin se të gjithë “mbyllnin” sytë dhe veshët përpara kësaj veprimtarie, “pasi të gjithë e dinin se askush nuk mund të përplasej me “të madhin”, që e kishte certifikuar Gërdecin tek amerikani i biçikletave dhe berberi i Qipros, që s’e rruante “mjekrën” e tij kur shihte që shqiptarët po linin leshtë e kokës”. “Është absurde sot, kur kushdo kërkon “kokën” e Bariut të tufës shtetërore, Berisha të kërkoi “kokën” e Bahriut të SHISH-it”, thotë ligjvënësi socialist. Ai thekson se thjesht dhe vetëm ndryshimet nuk e zgjidhin problemin, por fshehin fajin dhe fajtorët. E. GJENÇAJ Bush nuk i dha Al Kaedës, Kullat Binjake -Zoti Isaraj, si e gjykoni qëndrimin e kryetarit të qeverisë, Sali Berisha për rolin e SHISH-it në ngjarjen e Gërdecit? -Arben Isaraj: “Nuk mund të heqësh paralele midis Berishës dhe Bushit, siç nuk ka ngjashmëri midis Kullave Binjake dhe Gërdecit, sepse Bushi nuk i kishte dhënë Kullat Binjake në përdorim të Al Kaedës, ku kjo e fundit të demontonte raketat e SHBA-ve. Në të kundërt, Berisha dhe shteti i tij i korruptuar i ofroi mafies dhe kontrabandistëve ndërkombëtarë armët, municionet dhe repartet shqiptare në funksion të vetëm një gjëje: korrupsionit që veç pasoja kriminale do të sillte”. -Po bëhet fjalë për rol të shërbimit, përderisa është informativ... -“Po presidenti Bush nuk kërkoi ndryshime në ligjin mbi CIA-n apo FBI-në. Shteti nuk funksionoi dhe të gjithë ishin të bindur se fajin nuk e kishte ligji, por strukturat shtetërore që funksionuan”. -Edhe kryeministri atë tha, që institucionet e sigurisë kombëtare, të gjitha, jo veç SHISH-i nuk funksionuan. -Në Shqipëri sot legjislacioni mbi institucionet e sigurisë dhe teknologjinë e vjeljes dhe përpunimit të informacionit është bashkëkohor. Vetë Gërdeci tregoi se ligji dhe aktet nënligjorë ekzistonin. Përkundrazi, ato u shkelën në mënyrë flagrante nga institucionet përgjegjëse të çdo fushe”. -Përse mendoi se erdhi? -“Arsyeja? Të gjithë “mbyllnin” sytë dhe veshët përpara kësaj veprimtarie, pasi të gjithë e dinin se askush nuk mund të përplasej me “të madhin”, që e kishte certifikuar Gërdecin tek amerikani i biçikletave dhe berberi i Qipros që s’e rruante “mjekrën” e tij kur shihte që shqiptarët po linin leshtë e kokës. Është absurde sot, kur kushdo kërkon “kokën “ e Bariut të tufës shtetërore, Berisha të kërkojë “kokën” e Bahriut të SHISH-it. Kjo nuk e zgjidh problemin, por fsheh fajin dhe fajtorët”.