Pus nafte në mes të lumit

Në ujërat e lumit Gjanicë po derdhen çdo ditë sasi të mëdha nafte që dalin nga një pus i riaktivizuar
FIER - Nëse disa e kërkojnë naftën me “qiri” dhe për të bëhen dhe luftëra, në vendin tonë nafta derdhet me bollëk në lumë. Një pus i riaktivizuar derdh çdo ditë sasi shumë të mëdha nafte në lumin Gjanica, i cili më pas kalon mes qytetit të Fierit së bashku me ndotjen që krijohet nga nafta. Për shkak të rrëshqitjes së dheut, ky pus ka devijuar derdhjen e tij dhe tanimë krateri i tij është në mes të lumit Gjanica. Pas shumë vitesh ndërprerje prodhimi nafte, një pus nafte është riaktivizuar, duke vetënxjerrë në grykën e tij naftë bruto, e cila për shkak të heqjes së tubit kryesor që ka pasur lidhje me grupin e naftës që grumbullon prodhimin e saj nga puset, derdhet në lumin Gjanica. Lajmi konfirmohet edhe nga drejtues të sektorit ku bën pjesë ky pus i nxjerrjes së naftës bruto, të cilët të ndodhur para një zbulimi që bën gazeta “Korrieri”, pohojnë se pak ditë më parë e kanë marrë vesh edhe ata vetë dhe kanë ngritur brigadën për të riparuar defektin. Pusi Bëhet fjalë për një pus, prodhimi i të cilit sipas specialistëve të naftës është shpuar diku atu nga vitet 1950 dhe për shkak të dublimit të numrave përkatës, është lënë pa numër (pjesë e fondit të ndalur, por që është në inventarin e ndërmarrjes së prodhimit të naftës në Patos), por që bën pjesë në grupin 8 të sektorit numër 4 të Ndërmarrjes së Grumbullimit të Naftës në Patos. Ky pus prodhimi nafte deri në vitet 1985 ka qenë aktiv, pohojnë punonjës të këtij sektori, por për shkak të viteve të gjata në prodhim, ndërpreu nxjerrjen e naftës dhe për këtë shkak kaloi në fondin e puseve të ndalur. Sipas inxhinierit të këtij sektori, Pajtim Isufi, mësohet se këta lloje pusesh herë pas here riaktivizohen dhe atë prodhim që nxjerrin nga riaktivizimi, e dërgojnë në depot qendrore në grupet e ndërtuara. Shefi i këtij sektori nafte, Qamil Ahmeti, pohon për gazetën “Korrieri” se, “pasi më vutë ju në dijeni, unë u interesova, duke dërguar punonjës atje, të cilët më pohuan problemin e krijuar”. Sipas Ahmetit, tubacioni që lidh grykën e pusit me grupin ku grumbullohet nafta është i këputur. “Këputja e këtij tubi, - vijon më poshtë Ahmeti, - mund të jetë këputur nga prurjet e lumit Gjanica, ose nga ndonjë banor i zonës, i cili e ka shfrytëzuar për të vjedhur naftën bruto që del nga gryka e tij. Brigada e riparimeve është njoftuar dhe tubacioni kryesor do të lidhet urgjentisht. Në mes të lumit Pusi në fjalë në kohën e shpimit të tij e më pas në kohën që është ngritur kulla e prodhimit, ka qenë disa metra pranë shtratit të lumit Gjanica. Ky lum deri në vitet 1980 ka pasur prurje të shumta dhe ka bërë që në kohën e dimrit të gërryejë sasi toke që ndodheshin pranë shtratit të tij. Kjo ka bërë që me erozionin e tokës në vite, tashmë gryka kryesore e pusit të naftës të mos jetë pranë shtratit të lumit, por në mes të tij, dhe kjo ka bërë që kjo sasi nafte që del në sipërfaqe, të derdhet në lumin Gjanica dhe të mos shkojë në depot e grumbullimit të saj në grup, që ndodhen vetëm 100 metra larg tij.