E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 arsye pse them Këtu ka tradhti burra!

Ish anetaret e UÇK-se kane verejtjet e tyre per menyren sesi u arrit pavaresia e Kosoves

Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë nga qeveria e Kosovës u konsiderua si një fitore e madhe e shqiptarëve. Këtë shqiptarët e panë si fitore të pakontestueshme të amerikanëve në rivalitet me rusët. Por dallimi midis dështimit dhe fitores është fare i vogël, ndonëse shumë i rëndësishëm. Ndërkohë, dështimi nënkupton edhe dorëzim të vullnetshëm ndaj kundërshtarit. Ndërsa fitorja sjell gëzim, entuziazëm dhe eufori të pakontrolluar. Dhe nën efektin e kësaj euforie prej fëmije, duket se kanë rënë edhe shqiptarët. Kjo u intereson si ndërkombëtarëve, ashtu edhe qeverisë së Kosovës. Pasi në këtë mënyrë, populli nuk do të mund të merret dot me atë çka në të vërtetë përfaqëson Deklarata e Pavarësisë për shqiptarët në Kosovë, pasi askush nuk është marrë me të. Po të shihet me lupë, kjo deklaratë të jep të mendosh se, më shumë se deklaratë pavarësie, është deklaratë e re varësie totale. Por, le t’i lëmë fjalët e të shohim atë pikë për pikë. Pika 1 thotë: Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të OKB-së, Marti Ahtisari. Së pari, këta që deklarohen udhëheqës të popullit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk është e nuk mund të jenë të tillë. Dihet që në zgjedhje doli 25 për qind e popullit, por edhe sikur të bazohemi në lajmin zyrtar të UNMIK-ut, që thoshte së në zgjedhje morën pjesë 35 për qind e popullit, tregon së gjithçka mund të jetë, por jo zgjedhje masive demokratike. Dhe, duke qenë se as 50 për qind e popullit nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, parimisht mbështetur mbi proceset referendare apo plebishitare për çështje të natyrës së tillë, pra pavarësimit, ku nuk të jepet e drejta të deklarohesh në emër të vullnetit të popullit. Këto ishin zgjedhje për Kuvend e pushtet vendor, kur dihet se vullneti i popullit mund të shprehet vetëm me anë të referendumit. Dhe, përderisa shpallja është bërë në pajtueshmëri me planin “Ahtisari”, do të thotë që këtu sovranitet nuk ka. Pika 3 thotë: Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në planin “Ahtisari”. Të deklarosh së pranon obligimet e planit “Ahtisari”, do të thotë që je dakord ta ndash Kosovën dhe të vazhdosh ta lejosh atë nën integritetin e Serbisë. Kjo pikë bie ndesh me të deklaruarin “të pavarur”, pasi Ahtisari e ndan Kosovën në dy entitete; atë shqiptar dhe serb. Entitetit serb i jep plotësisht të drejtën të mbajë lidhje me pushtetin në Serbi dhe të marrë urdhra prej tij, por jo entitetit shqiptar të bëjë të njëjtën gjë me Shqipërinë. Pika 4 thotë: Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë, dhe kjo do të inkorporojë parimet e planit të Ahtisarit. Domethënë, që kjo Kushtetutë do të jetë një kopje e planit të Ahtisarit dhe aspak një Kushtetutë ashtu siç duhet të jenë ato, që mbrojnë liritë dhe parimet demokratike të popujve. Plani “Ahtisari” i shkel të gjitha liritë e shqiptarëve në Kosovë dhe duke qenë se është një plan i imponuar nga jashtë, i bie që nuk mund të jetë aspak demokratik dhe për pasojë, as Kushtetuta. Pika 5 thotë: Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile, për të mbikëqyrur zbatimin e planit “Ahtisari” dhe një sundim të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ne, po ashtu, ftojmë NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas rezolutës 1244 dhe planit të Ahtisarit. Të ftosh një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur e zbatuar një plan negative si ai i Ahtisarit për Kosovën dhe të jetë sundues i ligjit, nuk do të thotë asgjë tjetër, vetëm se një varësi totale dhe heqje dorë nga çfarëdolloj pavarësie dhe marrje e rolit të kuislingut. Pasi edhe ligjin duhet ta ushtrojnë ata, d.m.th. misioni evropian EULEX. Ndërsa t’i japësh të drejtën NATO-s të vazhdojë në Kosovë të ushtrojë detyrën sipas rezolutës 1244 dhe Ahtisarit, do të thotë të heqësh dorë nga krijimi i një ushtrie të popullit të Kosovës, e cila do të sigurojë integritetin dhe sovranitetin e vendit. Duke mos e bërë këtë, atëherë në çdo moment që trupat ushtarake serbe do të hynin në territorin e Kosovës, nuk do të quhej agresion, pasi t’i ke hequr dorë nga konstituimi i sovranitetit tënd. Pika 7 thotë: Ne i shprehim mirënjohje OKB-së për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me OKB-në, gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim. T’i shprehësh mirënjohjen UNMIK-ut për qeverisjen shkatërrimtare që i ka bërë Kosovës në këto 8 vite, do të thotë që të mohosh papunësinë në nivelin 80 për qind. Të mohosh e të jesh dakord me burgosjen e luftëtarëve të UÇK0-së me anë të gjyqeve politike e dëshmitarëve të rremë e të mbrojtur. Do të thotë të jesh dakord me vrasjen nga ana e policisë së UNMIK-ut të protestuesve në Prishtinë. Do të thotë të jesh dakord me shitjen që UNMIK-u i ka bërë pasurive të Kosovës. Dhe, të thuash që je dakord që UNMIK-u të vazhdojë punën në vijim, do të thotë që në Kosovë të lejosh të ekzistojnë 4 pushtete. Ai i UNMIK-ut dhe i EULEX-it që do të jenë mbi ligjin e mbi të gjithë. Ai i shqiptarëve të qeverisë së Kosovës që do të jetë i vetmi që do të japë llogari dhe ai i serbëve i krijuar nga plani “Ahtisari”, që është pushtet që nuk e kontrollon askush veç Serbisë. Pika 8 thotë: Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë, ashtu siç janë paraparë në aneksin VIII të planit të Ahtisari. Në këtë aneks, neni 3 thotë që Kosova duhet të pranojë marrëveshjen për kufirin nënshkruar midis Serbisë dhe Maqedonisë në vitin 2001, në të cilën shteti maqedonas i merr Kosovës 2500 hektarë tokë. Pra, këta “petritë” të parlamentit të Kosovës pranojnë cungimin e trojeve shqiptare. Pika 10 thotë: Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Të bësh një deklaratë të tillë kaq të papërgjegjshme, do të thotë të mohosh të drejtën e të gjithë popujve ose etnive të tjera që jetojnë në Serbi (ish-Jugosllavi) për t’u shkëputur e jetuar të lirë. Por mbi të gjitha, synon që të hedhë poshtë e të mohojë të gjitha përpjekjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të dalë nga sundimi serb. Pra, thënë shkurt, e shet Luginën e Preshevës. Në të gjitha pikat e deklaratës nuk përmendet në mënyrë të qartë e decizive shkëputja e Kosovë nga Serbia. Si dhe në të gjithë këtë deklaratë mundohet që të shfajësohet Serbia, duke mos e përmendur askund agresionin ushtarak e policor serb ndaj shqiptarëve. Duke mos përmendur askund krimet, vrasjet e djegiet e bëra nga forcat militare e paramilitare serbe dhe nuk përmendet askund dëbimi me përmasa biblike i 1 milion e 200 mijë shqiptarëve nga trojet e tyre. Nuk përmenden askund 3000 të zhdukurit që gjenden akoma nëpër varre masive diku në Serbi. Një filozof gjerman ka thënë: Ata që nuk duan ta kujtojë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë. Ajo që të vret më shumë në këtë deklaratë, është mospërmendja në asnjë pikë të saj e përpjekjeve të popullit shqiptar në Kosovë për liri. Mospërmendja dhe mohimi i luftës së UÇK-së dhe gjakut të dëshmorëve e viktimave të terrorit serb. Kjo deklaratë që është një kopje e shëmtuar e planit të Ahtisarit, i jep të drejtën Serbisë që të krijojë struktura paralele në Kosovë dhe ta krijojë një “Republikë Serbe” në Kosovë. Pra, atë që UNMIK-u nuk arriti ta bënte për 8 vjet, ta çonte prapë Kosovën në Serbi, e bënë parlamentarët e Kosovës me atë deklaratë. Ata sollën Serbinë në Kosovë. Dhe, si rrjedhojë, serbët do të kontrollojnë 33 për qind të territorit të Kosovës. Kjo deklaratë i lejon Maqedonisë të marrë 2500 ha tokë të Kosovës. Kjo deklaratë e mohon Luginën e Preshevës dhe përpjekjet e shqiptarëve atje. Po të kishin qenë gjallë sot ata burra që bënë Lidhjen e Prizrenit e ta kishin lexuar këtë deklaratë të nënshkruar nga 109 “petritë” të parlamentit të Kosovës, nuk do thoshin asgjë tjetër, vetëm se “Këtu ka tradhti burra”! *Autori ka qenë komandant në Zonën Operative të Qarrit në ish-Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›